Si u aplikua dënimi me vdekje përmes karrigës elektrike si “më humane sesa varja”?

Epiqendra
By
5 Min Read
5 Min Read

Shkruan: Labinot Kunushevci

Nëse tërheqim një paralele historike të ndëshkimit të sjelljeve negative apo thyerjes së rregullave nga individët, në shoqëri, në periudha e në sisteme të ndryshme kulturore e normative, shohim se me zhvillimin e shoqërisë ka ndodhur një evoluim interesant i mekanizmit të ndëshkimit. Që nga goditja me gurë, helmimi, kryqëzimi, zhveshja e lëkurës, kriposja e këmbëve të të dënuarve që t’ua lëpijnë dhitë deri në vdekje, murosja për së gjalli, gijotina pushkatimi, varja në litar, dhoma me gaz, karrige elektrike e deri tek injeksioni vdekjeprurës, me theks debati kulturor dhe ligjor lidhur me heqjen e tërësishme të dënimit me vdekje dhe zëvendësimin e tij me burgim të përjetshëm, tregon që shoqëria e ka zhvilluar këtë mekanizëm drejt mënyrave më humane, pa dhimbje e brutalitete, të dënimit me vdekje. Lidhur me këtë qëndrim është mirë të lexohet vepra e Michael Foucault “Disiplinë dhe ndëshkim”.

Pra, pyetja sociologjike që shtrohet këtu është:

“A duhet dënuar për t’u hakmarrë apo aq sa nevojitet për të parandaluar një krim të dytë?!” 

Ka shumë krime monstruoze, sidomos ato në masë, që nuk i ngushëllon apo shpaguan dot asnjë formë dënimi. Një botë që shuhet me krime të pandëshkuara tregon “fajësinë” e Zotit të asaj bote? Jo, jo! Vetëm Zoti ka fuqinë dhe mundësinë që t’i ngushëllojë miliarda viktima të kriminelëve historikë, përmes drejtësisë hyjnore në botën tjetër. Sepse shumë fatura të krimeve nuk paguhen në këtë botë.

Nëse për hir të njerëzores qenka “humanizuar” mekanizmi i dënimit me vdekje, pse nuk janë ripërtërirë ligjet dhe rregullat që konceptojnë krimet e reja gjenocidale? Pra, sa krime të llahtarshme kanë ndodhur në historinë e dhjetëra gjenocideve historike e të cilat nuk njihen qoftë nga Konventa e OKB-së për Gjenocidin, qoftë nga organizata globale “Genocide Watch”?!

Kthehemi tek karriga elektrike, të cilën Thomas Edison e financoi si projekt, si një metodë më “humane” sesa varja, gjë që bëri që shteti i Nju Jorkut ta adoptonte karrigen elektrike në 1890.

Dentisti Alfred P. Southwick zhvilloi idenë e përdorimit të energjisë elektrike për të kryer dënimin me vdekje qysh në vitin 1881.

Në burgun Auburn në Nju Jork, ekzekutimi i parë me rrymë elektrike në histori kryhet kundër William Kemmler, i cili ishte dënuar për vrasjen me sëpatë të dashurën e tij, Matilda Ziegler.

Elektroskutimi si një mjet ekzekutimi human u sugjerua për herë të parë në 1881 nga Dr. Albert Southwick, një dentist. Southwick kishte parë një pijanec të moshuar të vrarë “pa dhimbje” pasi preku terminalet e një gjeneratori elektrik në Buffalo, Nju Jork. Në formën e përhapur të ekzekutimit në atë kohë – vdekja me varje – të dënuarit dihej se vareshin deri në 30 minuta përpara se t’i dorëzoheshin asfiksimit.

Në 1889, Ligji për Ekzekutimin Elektrik I Nju Jorkut, i pari i këtij lloji në botë, hyri në fuqi dhe Edwin R. Davis, elektricisti i burgut Auburn, u ngarkua të projektonte një karrige elektrike. E ngjashme me pajisjen moderne, karrigia e Davis ishte e pajisur me dy elektroda, të cilat përbëheshin nga disqe metalikë të mbajtur së bashku me gome dhe të mbuluara me një sfungjer të lagur. Elektrodat do të vendoseshin në kokën dhe shpinën e kriminelit.

Më 6 gusht 1890, William Kemmler u bë personi i parë që u dërgua në karrige. Pasi u lidh, një ngarkesë prej rreth 700 volt u aktivizua për vetëm 17 sekonda përpara se të dështonte ekzekutimi. Edhe pse dëshmitarët raportuan se kishin nuhatur rroba të djegura dhe mish të djegur, Kemmler nuk kishte vdekur dhe një goditje e dytë ishte përgatitur. Ngarkesa e dytë ishte 1030 volt dhe u aplikua për rreth dy minuta, ku u vu re tym që dilte nga koka e Kemmler, i cili ishte dukshëm i vdekur. Një autopsi tregoi se elektroda e lidhur në shpinë ishte djegur deri në shtyllën kurrizore./EPIQENDRA.COM

Share This Article