Si janë bërë idiotët kaq të famshëm në media?

Epiqendra
By
20 Min Read
20 Min Read

Shkruan: Labinot Kunushevci

Sot idiotët janë të lumtur që media u ka dhënë mundësi t’i shprehin pasionet e tyre, të krijojnë mbretërinë e protagonistëve, të shndërrohen në figura të popullarizuara e sensacionale, të bëhen fytyra të njohura të vlerave të panjohura dhe të manifestojnë koeficientin e lartë të idiotësisë që kanë.

Njerëzit që kërkojnë famë dhe të jenë të pranueshëm me çdo kusht, kanë çrregullime dhe deformime serioze në personalitetin e tyre. Ata nuk kanë stabilitet dhe balancë, nuk dinë të shijojnë jetën për veten e tyre. Sepse fama është projeksion i shoqërisë dhe jo pasqyrë e ndërgjegjes individuale.

Jetën e projektojnë në këndvështrimin e tjetrit dhe e mbajnë peng të pritjeve dhe të vlerësimeve të publikut. Ne jemi të rrethuar me njerëz të tillë që kanë ambicie për famë dhe pozicione mediale, pavarësisht boshllëkut të vlerave.

Sot shkrimtarët gjenialë nuk shkruajnë, kanë braktisur shkrimin ose shkruajnë fare pak nën hije dhe janë të vetmuar. Vendet e tyre, letrat e bardha dhe lapsat e zinj, i kanë kolonizuar sharrëxhinjtë e shkrimit. Para disa dekadash, standardi për t’u bërë shkrimtar, këngëtar apo artist ka qenë shumë i lartë. Nuk ka mundur çdo kush të shkruante libër, të kompozonte këngë apo të bëhej aktor filmi a serie.

Sot kanë rënë vlerat, është zgjeruar dhe bastarduar tregu, janë përmbytur kriteret. Komercializmi, si rrymim i ajrit, ka depërtuar pasi kemi hapur dyert dhe dritaret e vlerave estetike dhe profesionale në të njëjtën kohë, duke i ofruar mundësi secilit pseudoautor e pseudoartist të zërë një vend diku.

Sot kemi shkrimtarë që ndihmojnë liderët famëkeq të ndërtojnë narracionin dhe gënjeshtrën e madhe që shteti të cilin ata udhëheqin është një parajsë.

Disa profile kontroverse, që u duket vetja gjentëlmenë e sharmantë, që në të vërtetë vuajnë nga deliri fetar, derisa dikur u bën të njohur me muzikë, sot u ofrohet rehati mediale të flasin në cilësinë e filozofit apo të intelektualit, se kanë shpikur teori të reja filozofike ekzistencialiste, se kanë komunikuar me Zotin, me të padukshmen, me metafizikën, me një energji shpirtërore dhe se kanë një lloj fuqie profetike, duke ndarë sensacionalisht përvojat e tyre të trishtueshme, që më shumë janë djallëzore, paranojë dhe halucinacion, për të mos thënë gati skizofreni, sesa të shenjta, shpirtërore apo të vërteta, siç ata pretendojnë.

Problemet dhe konfliktet sociale janë streha e preferuar e idiotëve të ngarkuar me probleme të pazgjidhura personale. Figura kontroverse, me të kaluar të dyshimtë e me biografi penale, pa integritet dhe pa elokuencë, me gjuhë ofenduese dhe bullizuese, moralisht të varfër, por me një ego shumë të theksuar, nostalgjikë të ish-sistemit, janë mysafirët kryesorë dominues të shumë studiove dhe emisioneve mediale, të cilëve është vështirë t’u bëhet një psiko-analizë, pa e parë reagimin e tyre gjatë terapive përmirësuese, që duhet urgjentisht t’u nënshtrohen.

Problemi nuk qëndron tek fantazmat publike me kostume elegante, që zënë vend në kolltukët komfortë të emisioneve, por te disa moderatorë apo udhëheqës emisionesh, të cilët ftojnë figura të cilat me mjeshtëri u ikin pyetjeve kritike, për t’i rehabilituar publikisht para opinionit dhe për t’i bërë heronj të heroizmave të shpifura, duke projektuar dhe zyrtarizuar një narracion të rrejshëm identiteti për ta.

Qëllimi: për të përmbytur një të vërtetë reale me një të vërtetë mediale.

Moderatorë të shquar, karizmatikë dhe me përvojë, me një vetëkënaqësi të lartë prej shoumeni, por me një qasje oportuniste ndaj mysafirëve, të cilëve u krijojnë rehati, duke u thurur lavde deri në qiell, duke e përshkruar biografinë e tyre me imazhe dhe narracione idealiste dhe artistike të kulluara, në një format emisioni ku biseda zhvillohet për ta glorifikuar figurën e tyre dhe jo për të zbuluar apo trajtuar një të vërtetë apo për të paraqitur një vlerë humane a profesionale.

Në mungesë të pyetjeve të mprehta kritike, që do të duhej të ndërtoheshin me mjeshtri, moderatori profesionist nuk do ta lëshonte mysafirin idiot pa e dekonstruktuar dhe zbërthyer deri në detaje, jo me zhurmën e bubullimës së përplasjeve verbale, por me melodinë e freskët të shiut, që bie ndërmjet shkronjash, të cilat formojnë fakte të palëkundura. Ashtu si forca indoktrinuese e ideologjive, që si dhunë totalitare eksploaton thellë elementet irracionale të qenies njerëzore, në fytyrat e së cilës theksohen në mënyrë brutale ndjenjat e adhurimit dhe të nënshtrimit absurd ndaj liderëve autoritarë e tiranë, që askush s’ka guxim t’i kritikojë.

Relativizimi i fajit, i gabimit dhe i krimit ndikon në deformimin e vetëdijes për historinë e njerëzimit.

Unë ende nuk arrita të shoh se si, një njeri i suksesshëm dhe human, u bë viral në këtë shoqëri idiotësh. E po, inteligjentët nuk janë të famshëm në mesin e idiotëve. Në mentalitetin e shoqërisë tonë, konspiracionistët, fallxhorët, heretikët “patriotë” të fesë, njerëzit mafiozë, recidivistët penal, në të vërtetë – idiotë mashtrues dhe profiterë – janë figurat më të famshme, e deri diku edhe më të respektuara. Sot secili njeri mund të krijojë një grup besimtarësh pas vete, pavarësisht se deri ku shkon budallallëku, idiotësia dhe manipulimi i tij. Edhe njeriu më irracional dhe më idiot në shoqëri e ka një turmë që i beson.

Por psikopatët duhet të qëndrojnë larg mediave. O ju gazetarë, moderatorë e producentë, pse u jepni hapësirë psikopatëve dhe sociopatëve në media?

Ju lutem, njerëzit që kanë probleme me shëndetin mendor; njerëzit që kanë çrregullime personaliteti; njerëzit që kanë mllef e urrejtje; njerëzit që kanë sjellje patologjike; njerëzit që kanë komunikim abnormal; njerëzit që kanë gjykime iracionale; njerëzit që kanë aftësi të dobëta kognitive; njerëzit që kanë instinkte të pakontrolluara; njerëzit që mendojnë se janë qendra e botës; njerëzit që kanë mungesë dicipline; njerëzit që janë gati të shpërthejnë në çdo moment; njerëzit që kanë kriza nervore; njerëzit në trurin e të cilëve zhvillohet “kokteji i djajve”; mos i promovoni në media.

Në Kosovë ka psikopatë të cilëve vetëm diagnoza u mungon. Nëse shkojnë në autoritetet e licencuara, lehtë diagnostikohen.

Tregojuni se adresa e tyre është te psikologu, sociologu, neuropsikiatri, qendrat rehabilituese, organizatat që ofrojnë shërbime sociale dhe ekspertët që mund t’iu ndihmojnë në balancimin e hormoneve në kiminë e trurit.

Pse na i ofroni idiotësitë, brutalitetet dhe marrëzitë e tyre? Le të shërohen ata njëherë. Le t’i shërojnë traumat, halucinacionet, paranojat. Ata kanë nevojë të arrijnë paqe me veten. Sepse diktatura e mendjes u ka rrëmbyer emocionet, u ka rrëmbyer pushtetin mbi vetveten. Mbijetojnë në ekuilibër të prishur. Terapitë janë urgjente. Mos i bëni të famshëm pa nevojë! Mos na abuzoni me fytyrat e tyre! Mos na e fyeni inteligjencën!

Unë atyre ua rekomandoj librin tim sociologjik “PASIONET E IDIOTËVE”. Secili duhet t’ju ndihmojë nga pak.

Mediat, që mbijetojnë me shantazhin si mjet dhe me oligarkët si resurs, që janë në pronësi të matrapazëve, të ordinerëve e të përfituesve, që shkelin mbi dinjitetin e figurave apo të grupeve të margjinalizuara, që i kanë objektiv sulmi, përmes intrigave të rrezikshme demonizuese e komprometuese.

Kudo në botën e qytetëruar ka emisione, të cilat promovojnë suksesin e artistëve, të shkencëtarëve e të personaliteteve me ndikim dhe kështu e mbyllin vitin. Ndërsa në mediat në shoqëritë pa kulturë dominohen nga muzika dhe humori joartistik, që përveç seksizmit – si mentalitet, dhe seksualitetit – si kulturë, defilimit të këngëtareve që ekspozojnë trupin si mall tregu, s’kanë gjë tjetër për të paraqitur në mbylljen e vitit kalendarik.

Disa vajza, që e gënjejnë veten se janë talente në muzikë, nuk dinë të bëjnë dallimin mes ekspozimit të lakuriqësisë dhe zotërimit të bukurisë. E para është imoralitet; e dyta është elegancë.

Të ekspozosh nuk është si të zotërosh. Ato e shndërrojnë veten në një objekt dekori për vitrina sociale.

Industrializimi dhe instrumentalizimi i trupit të gruas; prirja e saj në krahasime virtuale me gratë e tjera; standardizimi i tipit ideal të bukurisë në konceptin e artit të zhveshjes – që në të vërtetë më shumë është mit dhe stereotip; fiksimi i gruas pas përmasave dhe definimeve fizike erotike, që marrin vëmendjen dhe reagimet e burrave, ia ka humbur identitetin individual të feminitetit.

Pra, kemi të bëjmë me një seksualitet të eksploatuar dhe mentalitet konsumerist mbi trupin e gruas, me shije dhe qëllime krejtësisht abuzive dhe vulgare.

Arti sot është në duart e diletantëve. Nuk e kuptojnë se suksesi i tyre është sukses në imitim, pakrahasimisht më pak i rëndësishëm sesa dështimi në origjinalitet.

Hapin një cikël emisionesh dhe serish në të cilat promovohen forma të ndryshme të dhunës, patriarkalizmit, seksizmit, snobizmit, histerisë, diskriminimit dhe racizmit, në emrin e komedisë emancipuese dhe argëtuese, duke vrarë origjinalin e artistikes: shpirtëroren dhe njerëzoren.

Të shokuar kur shohim në emisione se sa lehtë kalojnë të ftuarit me nostalgji për të kaluarën, duke thurur lavde për figurat qendrore të një sistemi, që ka shkatërruar gjithçka që është njerëzore për gati një shekull, ndërsa udhëheqësi i emisionit nuk gjen asnjë forcë ta sfidojë.

Kështu, një ditë, në një emision mjaft popullor, një sharlatan i pagdhendur e i pa korrigjueshëm, fliste me pasion për tre nga liderët më famëkeq të shekullit të kaluar, përgjegjës të katastrofave humanitare e të humbjes së miliona jetëve, të një sistemi totalitar e diktatorial, që ka dehumanizuar çdo gjë, derisa marrëzia e mysafirit kaloi në heshtje me pak pëshpëritje e pa asnjë përballje nga udhëheqësi oportunist i emisionit, i cili pretendon se emisionin e tij e shikojnë afro një milion njerëz dhe është më i shikuari në vend – si kriter me të cilin ai e mat vlerën komerciale dhe sensacionale, si vlerë kulturore të emisionit.

Njerëz që as në familjet apo në rrethet e tyre sociale nuk kanë autoritet, të cilët nuk i përdor askush për referencë, as nuk ua dëgjon fjalën e as nuk i pyet askush për asgjë, përpiqen të gjejnë një media, si të vetmen dritare, që të faktorizohen me imponim e të bëhen viral me budallallëqe. Bëhen të famshëm në tregun medial, duke sharë e ofenduar figura të njohura emblemë, që tregojnë vlera apo kanë një trashëgimi pozitive të kontributit e sakrificës.

Sa më shumë që i anatemojnë, i demonizojnë dhe i kryqëzojnë me sulmet e tyre skandaloze personalitetet e shquara, bëhen qendër e vëmendjes, shënjestër e referencave dhe e reagimeve. Vëmendjen e arrijnë vetëm me sulme dhe konfrontime, jo me kreativitete e prodhime.

Duke u viktimizuar se janë kërcënuar; duke luajtur rolin e viktimës, arrijnë një faktorizim dhe rehabilitim publik, deri diku edhe të riciklohen si figura publike.

Feminizmit radikal gjithmonë i kam thënë jo. Më 10 tetor 2024 më erdhi një ftesë për debat në emisionin “Zanat”. Por unë ua bëra me dije se nuk më pëlqen formati dhe qasja radikale e tyre e cila shpesh duket se e cenon kulturën e debatit, ndonëse temat janë të qëlluara dhe shumë mirë që i prekin tabutë. U thash se i kam disa vërejtje për mënyrën se si e ndërtojnë argumentin dhe se si e trajtojnë mysafirin. Në fund u sugjerova ta lexojnë librin tim “Pasionet e Idiotëve”.

Sa e sa emisione apo debate kam refuzuar në televizione pikërisht për shkak të principit tim se nuk ulem në një tryezë debati me njerëz jo të nivelit tim, idiotë e sharlatanë, që nuk kanë formime intelektuale dhe janë të mbërthyer nga stereotipet, islamofobë e provincialë, që flasin nën efektin e euforisë dhe jo me gjuhën e argumentit dhe referencës shkencore. Edhe pse shumë miq më kanë kritikuar për refuzimin e debateve dhe po të mos e kisha këtë kriter, sot do të isha fytyrë shumë më e popullarizuar. Por unë e urrej popullarizimin i cili m’i lëkundë principet e mia.

Jetojmë në një shoqëri pa kulturë, ku për një reagim të qëllimshëm orkestrues dhe tendencioz, njerëzit bëhen të famshëm dhe të diskutueshëm brenda dite, e ku të gjithë merren me ta. Kjo shoqëri ia jep mundësinë secilit budalla, idiot, skizofren, mediokër, sharlatan, të bëhet i famshëm dhe qendër e vëmendjes, vetëm a dëshiron të bëhet. Janë në gjendje të paguajnë faturën e vuajtjes, për privilegjin e vëmendjes.

Lufta për shikueshmëri, për popullaritet, për sensacion, ka krijuar një terren të përshtatshëm për idiotët si përfitues të klikimeve, të cilët si “alpinistë” ngjiten majave mediale, për të ngritur flamurin e idiotësisë, si mekanizëm më i suksesshëm i mbrojtjes dhe i dominimit të tyre.

Duke shfrytëzuar mjerimin, nevojat dhe problemet e qytetarëve, kanë dalë në sipërfaqe disa profile magjistarësh dhe fallxhorësh, përfitues mashtrues, që keqpërdorin paradigmat e mjekësisë dhe të fesë, të shëndetit publik, duke cenuar kështu ndjeshmërinë e njerëzve në nevojë, duke trazuar emocionet ndaj Zotit, duke manipuluar ndjenjat e tyre, duke grabitur paratë e tyre, duke përdhosur dinjitetin e tyre, dhe krejt këtë arritje dhe shtrirje në masë e kanë arritur falë promovimit që media u ka bërë, ndonëse vonë disa prej tyre kanë filluar të shohin pak dorën e shtetit pas përballjes me hetime.

Njerëzit sot bëjnë skena makabre, vetëkënaqen me sadizmin e tyre të spikatur thellë në karakterin psikologjik dhe shpirtëror, ndonëse ata mund ta ndiejnë si një lloj sekretimi të dopaminës dhe adrenalinës kimike në tru, duke u shkaktuar bullizëm, dhimbje e poshtërime njerëzve të dobët, të paaftë, të varur, fëmijë, gra apo të shtyrë në moshë, duke i filmuar e shpërndarë në rrjete sociale, për t’u bërë të famshëm mbi dinjitetin e tyre.

E vërteta është se gjenerata e vjetër ka pasur urtësi popullore të bazuar në kujtesën, kulturën, përvojat dhe sprovat e jetës, e cila është transmetuar në forma të ndryshme dhe kjo konsiderohet vlerë dhe pasuri kulturore. Ka qenë gjeneratë e pakompleksuar dhe e pathyeshme. Rezistentë ndaj një regjimi të egër komunist. Po aq edhe optimiste, që realitetin – edhe sot kur pyetet – di ta shpreh me sarkazëm dhe ironi, me optimizëm dhe racionalitet, pa i fshehur emocionet, nostalgjinë, frustrimin. Prandaj nuk meritojnë të përfshihen në storje përbuzëse vetëm për t’u bërë viral.

Storie të tilla shpërthejnë e bëhen virale shumë shpejt nga krenaria e protagonistëve monstrumë, që vetëm si qenie njerëzore s’veprojnë, duke ngjallur reagime me tone të ashpra të shoqërisë e duke alarmuar institucionet e sigurisë dhe të edukimit.

Nuk është çështja se sa kanë jetëgjatësi këto storie në etno-psikologjinë mediale të shoqërisë, por se kjo makineri kulturore ka rrezik të shndërrohet në një stacion bërthamor të shpërthyer e kthyer në djerrinë e rrënoja, në një muze arti të vdekur, në një dhimbje pa ulërimë, në një muzg pa rreze drite, në një busull pa shigjetë, në një pranverë pa ngjyra e pa lule, në kriminelë pa viktima e në kufoma pa varre, në një muzikë pa nota, në një impulsivitet ciklonik që shkakton vërshime e që shkatërron shtretërit e lumenjve.

E gjithë kjo mbetet vetëm një piskamë shoqërie e çastit, një kor me tinguj të çakorduar, që shuhet e harrohet brenda tri ditësh, ndërsa viktimat lihen në mëshirën e fatit, në mëshirën e reagimeve shpërthyese ceremoniale, simbolike, deklarative dhe poetike.

Reagimet dinë të jenë shumë brutale histerike, sepse fajtorët i nënshtrohen një demonizimi dhe anatemimi individual, familjar e shoqëror, që tejkalon kufijtë e solidarizimit me viktimën apo të kritikës e të gjykimit për veprimin e gabuar, sado bizar të jetë, që, në fund të fundit, edhe këta monstrumë me potencial dhune janë produkt i po kësaj shoqërie hipokrite, që i kundërshton vetëm kur shokohet nga skandalet makabre të tyre, duke u shtirur se kjo është përgjegjësi e huaj. Dhe krejt kjo bëhet me premisa moralizuese, sepse shoqëria është e prirë të internojë në moralin e tjetrit, duke diktuar norma e standarde, pa e lejuar fajtorin të pendohet apo të përmirësohet.

Kjo shkon edhe deri te gjuha linçuese, kryqëzuese, që prek edhe familjen e fajtorit. Një turmë që linçon. As kërkim-falja e familjes nuk është e gatshme të pranohet. Duke sulmuar veprimet jonjerëzore, shoqëria po bëhet vetë kundërnjerëzore.

Prandaj vetëm burimet e reja me energji njerëzore mund ta rindezin llambën e shuar të qytetërimit./EPIQENDRA.COM

Share This Article