Më 30 maj 2025, studiuesi dhe publicisti i njohur i shkencave humane e sociale, kulturës dhe gazetarisë, albanologjisë dhe letërsisë, prof. dr. Milazim Krasniqi, ka njoftuar publikun se është pensionuar nga aktiviteti i tij akademik në Universitetin e Prishtinës.
“Sot kam arsye shtesë të jam i kënaqur, sepse ishte dita e fundit e imja si mësimdhënës universitar në UP. E mbylla këtë karrierë me nder dhe sukses, prandaj më duket vetja si një maratonist që e fiton garën e vështirë. Puna e mësimdhënësit më ka përmbushur për këtë çerek shekulli, sipas thënies “mësojmë vetë duke mësuar të tjerët.” Unë kam mësuar shumë nga studentët e mi, vërtet. Poashtu jam i bindur se edhe ata kanë mësuar prej njohurive dhe përpjekjeve të mia. Falënderoj Zotin që më ka dhënë këtë mundësi unike të përhapjes së diturisë së dobishme”, është shprehur studiuesi Milazim Krasniqi.
Më poshtë po sjellim një përshkrim të shkurtër të biografisë së tij:
MILAZIM KRASNIQI: Ligjërues universitar dhe Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheqi Departamentit e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit Media, ai ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës. Një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëpunëtor i afërt i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Krasniqi është një ligjërues, poet, dramaturg, publicist dhe komentues politik. Për mbi dhjetë vite ai ka shërbyer si sekretar i Asociacionit të Shkrimtarëve të Kosovës, ka qenë anëtar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës për tetë vite, kryeredaktor i revistës “Fjala” dhe “Interesi Nacional”, redaktor përgjegjës i gazetës ditore “Bota Sot”, dhe kolumnist i rregullt i gazetave dhe revistave të ndryshme. Disa vite ka qenë edhe bashkëpunëtor i rregullt i Radio Evropa e Lirë, emisionet në gjuhën shqipe. Disa nga afër 40 librat e tij që përfshijnë poezinë, romane, drama dhe studime janë: Letërsia dhe besimet fetare, Soneti në poezinë shqipe, Në çfarë Kosove do të jetojmë, Horrat në krye të detyrës, Islami i keqkuptuar dhe fatkeqësia botërore, Fotografitë e kujtimeve, Fijet e shpirtit, Bryma e vdekjes, Lulja e shpëtimit – poezi e zgjedhur, E vërteta e Islamit ndër shqiptarë, Dhuna dhe qytetërimi perëndimor: Islami si fillim i historisë, Ankthi i vjetër në shekullin e ri, E kujt është kjo kulturë?, Nacionalizmi shqiptar, Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova, Fijet e fshehura të përmbysjeve të mëdha, Kosova pas 22 janarit 1998, Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat, Imazhi gri, Pirg vegimi, Kurs për pantomimë, Rulet rus për Ali Pashën, Monedha e Gentit, Një Antigonë e re, Qeshje sardonike, Dritë në kujtime. Ai është autor edhe i tekstit universitar Hyrje në Gazetari dhe ishte mentor i shumë studentëve të nivelit Master. Ka një numër të punimeve akademike të botuara nëpër zhurnalë të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë përfshirë: Media dhe Seminari – Universiteti i Prishtinës, Sarajevske Sveske – Sarajevë, Zhurnali Shkencor Vizione – Shkup, Vjetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Edukata Islame, etj. Ai ka prezantuar kumtesa në sesione të ndryshme shkencore të organizuara nga Universiteti Sakarya – Turqi, Universiteti UFO – Tiranë, në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, etj. Krasniqi është intervistuar apo cituar nga Radio Televizioni i Kosovës, RTV 21, Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, TV Klan, Epoka e Re, Kosova Sot, Lajm si dhe nga mediume të tjera rajonale të shkruara dhe elektronike. Si komentues politik ai ka qenë i ftuar shumë herë në programe dhe debate televizive. Ai jeton në Prishtinë me të shoqen Edibe Krasniqin, me të cilën ka tre fëmijë./EPIQENDRA.COM
