Nikola Tesla, gjeniu i shekullit të cilit ia vodhën patentat

Epiqendra
By
4 Min Read
4 Min Read

Dilemat mbi autorësinë e shumë shpikjeve në industri dhe teknologji kanë çuar shumë nga gjenitë e kohës në beteja dhe konflikte ndërmjet vete, si në rastin e dy pionierëve të famshëm të elektricitetit, Thomas Edison (që kishte mbi 1000 patenta) dhe Nikola Tesla (rreth 300 patenta).

Madje thuhet se në vitin 1884, Edisoni i premtoi Teslës 50 000 dollarë për t’i rregulluar problemet me energjinë DC, pavarësisht se energjia alternative AC e Teslës ishte më efikase, por Edisoni nuk e pagoi kurrë Teslën duke pretenduar se premtimi ishte një shaka.

Në fund, Edisoni përpiqej ta diskreditonte sistemin alternativ AC të Teslës përmes fushatave dezinformuese. Por Tesla qëndronte i fuqishëm për të dëshmuar sigurinë e këtij sistemi alternativ, që edhe sot gjen përdorim më të gjerë. Dhe në anën tjetër, Edisoni vazhdonte me punën e tij, ku ndër të tjerash, financoi projektin e karriges elektrike, si një metodë më “humane” sesa varja, gjë që bëri që shteti i Nju Jorkut ta adoptonte karrigen elektrike në 1890.

Karriga e parë elektrike, New York, 1890. Projekt i financuar nga Thomas Edison.
Karriga e parë elektrike, New York, 1890. Projekt i financuar nga Thomas Edison.

Sociologu Labinot Kunushevci, në artikullin e tij “Shpëlarja e trurit: Cilat të vërteta nuk na i mëson shkolla dhe nuk na i transmeton media?”, është shprehur:

Ne harrojmë edhe një fakt, që duhen shumë njerëz dhe resurse për të shpikur një telegraf, një motor me avull, një gramafon, një telefon, një sistem energjie të drejtpërdrejtë, siç e kishte Edisoni (DC), apo sistem energjie alternative, siç e kishte Tesla (AC), ose çfarëdo inovacioni të rëndësishëm që revolucionarizon mënyrën e jetesës, por në fund, një njeri, protagonist i novacionit, e merr meritën dhe patentën për të, ndërsa harrojmë të tjerët që i ndihmuan atij në atë proces shpikjeje shumë kompleks.

Ndërsa Samuel Cohen realizoi një intervistë speciale me Teslën në vitin 1915 të cilit ky gjeni ndër të tjerash ia parashikoi atë që vërtet ndodhi:

“Së shpejti do të vijë një ditë kur do të jetë e mundur të transmetohet fjala dhe fuqia në botë pa ndihmën e ndonjë teli.”

Tesla mbetet shpikësi i sistemit të transmetimit të energjisë me rrymë alternative dhe i motorit me induksion, sisteme të cilat revolucionarizuan inxhinierinë elektrike dhe tani pranohen universalisht. Por historia e tij e ballafaqimit me të drejtën mbi patentat mbetet histori e trishtë. Në vitin 1896 Tesla botoi artikullin shkencor për rrezet X, për të cilat më vonë Wilhelm Rontgen do ta merrte patentën.

Sipas një artikulli të Laurent Kent, botuar në CNN, shumë nxënës dhe studentë sot kur përmendet shpikësi i radios, mësojnë emrin e sipërmarrësit italian Guglielmo Marconi. Por i njëjti, në kontributin e tij për transmetimin e parë të radios kishte përdorur teknologjinë nga 17 patenta të Teslës. Të dy këta u përfshin në një luftë patentash. Në fakt, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara revokoi patentat e radios të Marconit në 1943 në favor të Teslës dhe dy shkencëtarëve të tjerë, Oliver Lodge dhe John Stone. Ai i hapi rrugë edhe energjisë së pastër kur pa fuqinë e ujit në Ujëvarat e Niagarës. Nëntë nga dymbëdhjetë patentat e përdorura për të ndërtuar një nga stacionet e para hidroelektrike në botë, të ngritur në Niagara Falls, Nju Jork, i përkisnin Teslës./EPIQENDRA.COM

Share This Article