Shkruan: Qëndrim Morina
Në epokën e globalizimit dhe teknologjisë, ku kufijtë gjuhësorë po bëhen gjithnjë e më të përshkueshëm, identiteti gjuhësor i një individi shpesh përballet me tensione të brendshme mes rrënjëve kulturore dhe ndikimeve të jashtme. Në këtë kontekst, një fenomen shqetësues po shfaqet gjithnjë e më shumë në shoqërinë shqiptare: ndjenja e inferioritetit ndaj gjuhës amtare. Ky nuk është një problem vetëm linguistik, por një reflektim i drejtpërdrejtë i një krize më të thellë kulturore dhe psikologjike që prek sidomos të rinjtë.
Një rast domethënës i kësaj dukurie u bë i dukshëm në emisionin Supernova – Klan Kosova, ku një vajzë pjesëmarrëse, ndonëse ishte shqiptare dhe zotëronte (fliste) gjuhën shqipe, zgjodhi të fliste në gjuhën angleze gjatë gjithë paraqitjes së saj publike. Përkundër faktit që konteksti nuk e kërkonte doemos përdorimin e një gjuhe të huaj, ajo e shmangu shqipen pothuajse plotësisht, duke e përfaqësuar veten si “e huaj” në një ambient shqipfolës. Kjo zgjedhje nuk ishte thjesht një përpjekje për të qenë moderne apo për të treguar zotësinë në një gjuhë të huaj, por një distancim simbolik nga gjuha amtare dhe në rrjedhojë, nga identiteti vetjak.
Ky veprim ngjalli reagim edhe nga një anëtare e jurisë së emisionit, e cila e kritikoi me të drejtë vajzën për mospërdorimin e shqipes. Reagimi i saj ishte i drejtpërdrejtë, por edhe i nevojshëm në një shoqëri, ku shmangia e shqipes shpesh kalon pa reflektim publik. E pyetur për këtë zgjedhje, vajza u shpreh se “nuk ndjehej mirë të fliste në shqip” dhe se “a mund të flas në gjuhën angleze?”. Këto fraza, të thëna me një natyrshmëri tronditëse, na detyron të shtrojmë dy pyetje serioze: Si ka mundësi që një e re shqiptare ka parehati kur flet gjuhën e saj amtare? Çfarë i ka transmetuar kjo shoqëri për vlerën e gjuhës shqipe?
Kjo ndjenjë e “turpit” apo “ankthit” për të folur në gjuhën e vet nuk lind vetvetiu. Ajo është ndërtuar përmes viteve, nga një sistem arsimor që shpesh nuk e nxit dashurinë për gjuhën amtare; nga një klimë kulturore që glorifikon të huajën si simbol suksesi; dhe nga një medie që në shumë raste, e trajton shqipen si gjuhë dytësore përballë anglishtes apo gjuhëve të tjera perëndimore.
Ky është inferioritet i brendësuar ndaj vetvetes. Dhe, si çdo ndjenjë e tillë, ai nuk ka të bëjë me aftësinë për të folur një gjuhë të huaj, e cila është pa dyshim një pasuri, por me humbjen e krenarisë për gjuhën e origjinës. Nëse një gjeneratë e tërë e sheh shqipen si më pak “të denjë” për të shprehur mendime komplekse, për të përfaqësuar veten publikisht apo për të ndërtuar një karrierë, atëherë kemi përballë një problem thelbësor, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga politika arsimore, institucionet kulturore dhe familja.
Gjuha amtare nuk është vetëm një kod komunikimi. Ajo është bartëse e kujtesës historike, e ndjeshmërisë kulturore dhe e formësimit të ndërgjegjjes kolektive. Një popull që e sheh gjuhën e vet si të ulët në krahasim me gjuhët e huaja, është një popull në rrezik të zhveshjes nga vetja. Prandaj, është detyrë e çdo shoqërie që aspiron zhvillim dhe dinjitet të mbrojë dhe të promovojë gjuhën amtare, jo si nostalgji folklorike, por si themel i qenies kombëtare./EPIQENDRA.COM