Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë pati kënaqësinë të mirëpresë fëmijët e shoqatës “Rinia Contact”, të cilët me plot pasion interpretuan valle të bukura shqiptare, duke dëshmuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore në ruajtjen e identitetit ndër breza, thuhet në njoftimin e Konsullatës së Përgjithshme të RKS-së në Gjenevë.
Konsullata e RKS-së në Gjenevë falenderoi udhëheqësen e shoqatës “Rinia Contact”, znj. Rrezarta Sejdiu Shatri, për punën e saj të shkëlqyeshme në mbështetjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke memorizuar dhe institucionalizuar vlerat themelore tek gjeneratat e reja.
“Falënderojmë znj. Rrezarta Sejdiu Shatri, udhëheqëse e shoqatës “Rinia Contact”, për punën e saj të palodhur në bartjen dhe promovimin e vlerave të mirëfillta kulturore tek gjeneratat e reja. Një falënderim i veçantë edhe për prindërit që mbështesin dhe inkurajojnë fëmijët të jenë pjesë e aktiviteteve kulturore, duke ruajtur lidhjen me rrënjët prej nga vijnë. Fëmijët janë pasuria më e çmuar e shoqërisë sonë. T’u ofrojmë atyre dashuri, mbështetje dhe mundësi për t’u zhvilluar e rritur si individë të suksesshëm”, janë shprehur nga Kosullata e RKS-së në Gjenevë./EPIQENDRA.COM




