Ganimete Krasniqi vjen me poezinë shpërthyese “NANË”

Epiqendra
By
3 Min Read
3 Min Read

Autorja Ganimete Krasniqi sjellë për EPIQENDRA poezinë e saj shpërthyese ekskluzive “NANË”. Kjo është një poezi e rrallë, që kapë dimensionin hyjnor të nënës si epiqendra e krejt jetës njerëzore, e shkruar me fjalë që burojnë nga shpirti, frymëzuar nga humbja e nënës së saj e cila la zbrazëtira të mëdha. Poezia “NANË” tregon se e vetmja dashuri pa kushte dhe e çiltër e hyjnore është dashuria dhe sakrifica e nënës për fëmijë. E sikur të mblidheshin të gjithë autorët e botës, sikur deti të bëhej ngjyrë e drunjtë e botës të bëheshin lapsa, vështirë do të ishte të përkufizohej NANA.

As sonte s’kam gjumë në sy, nanë

nata pa ty, është shumë e randë.

Pa i pa sytë e tu

sytë e mi s’po mësohen

nanë pa ty, veç po rëndohem.

Sa shumë po m’mungon, nanë

këtë e di veç Zoti

se zemra po ndjen dhimbje

E s’po ndalet as loti.

Shtëpia ku më rrite,

nuk është më njësoj

me ikjen tënde, nanë

gjithçka, gjithçka ndryshoi…

Edhe mëngjeset

po më duken t’rana

se po m’del gjumi

n’kohën kur zgjohej nana…

Ahhh, moj nanë,

sa shumë u mundove,

edhe pse s’e kishe t’lehtë jetën

kurrë nuk u ankove.

Qysh kurrë njëherë, me rënku nuk dite

krejt trup e shpirt, për ne i ipje.

Edhe kur dhimbjet, ty të rënduan,

asnjë rënkim, nga ti s’e dëgjuam.

NANË moj, simbol i fortësisë

durimit, respektit,

urtësisë e dashurisë.

Ti kishe zemër t’madhe e padjallëzi.

Me ikjen tande NANË

zemra keq më është thy.

As hijet ku bashkë rrinim,

s’po më japin më freski.

Ahhh, moj nanë,

qysh me jetu pa ty?!

Krejt botën kisha

kur vija më parë

Më prisje tek dera

me buzëqeshje, moj nanë.

Qysh kurrë një herë

me u mërzitë nuk dite,

se ti çdoherë tek dera më prisje.

Vajzën time n’dorë ta kam lanë,

sa shumë kujdes e dashni,

i ipje moj nanë.

Nanë, veç një shpresë po më mbanë,

lulet që aq shumë i doje

Aty ku je i ke çdo kënd pranë.

E di se atje je më mirë, moj nanë

po Bora po t’kërkon

e s’po di çka me i thanë…

/ EPIQENDRA.COM

Share This Article