Fiton Hoxha, ish-bursisti i Fondacionit VILDANA dhe ish-student i Universitetit të Prishtinës, është fitues i dy medaljeve të argjendta në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës – IMC.
Fiton Hoxha nuk ishte vetëm një student i rëndomtë. Talenti, imagjinata, kreativiteti, ambicia, pasioni i lartë i tij, e dallonin atë në universitet. Ishte një auto-didakt i zellshëm, entuziast, dinamik.
Fondacioni VILDANA është shprehur se ndihet i nderuar që një ish-bursist i tij ka korrur suksese dhe ka vazhduar tutje në perspektiva të reja.
“Me plot përkushtim, ai meritoi mbështetjen e VILDANA-Foundation me bursë përgjatë studimeve që ai ndoqi në matematikë, në Universitetin e Prishtinës”, është shprehur koordinatori i fondacionit, Labinot Kunushevci.
Siç është bërë e ditur nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës përmes një njoftimi për media, kjo garë është mbajtur virtualisht për shkak të pandemisë Covid-19.
“Studenti i Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Fiton Hoxha, ka fituar Çmim të Dytë (Medalje të Argjendtë) me 25 pikë, ndërsa studenti tjetër i Departamentit të Matematikës, Erion Hamiti, ka fituar Çmim të Tretë (Medalje të Bronztë) me 20 pikë. Mirënjohje Nderi kanë fituar studentët: Monika Bunjaku dhe Duart Nishefci”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën për media, ndër të tjera thuhet se IMC është ndër garat më të rëndësishme botërore e matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës.
Ndërsa nga Fondacioni VILDANA janë shprehur se ndihen të nderuar për arritjen e jashtëzakonshme të një bursisti të tyre elitar si Fiton Hoxha.
“Fiton Hoxha është një nga inxhinierët softuerikë më premtues në Kosovë, që shumë shpejt zhvilloi aftësitë e tij inxhinierike në një nga kompanitë prestigjioze teknologjike shqiptare-amerikane në Kosovë. I talentuar jashtëzakonisht shumë si matematikan, fitues i dy medaljeve të argjendta në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës për Studentë, ka arritur rezultate jashtëzakonisht të larta edhe në garën ndërkombëtare të matematikës “Math Kangaroo Contest – Kosovo 2017”. Fiton Hoxha ka vazhduar studimet master në Universitetin Teknik të Mynihut në fushën e matematikës”, janë shprehur nga fondacioni VILDANA./EPIQENDRA.COM

