E kujton “shpirtin” e gruas me fondacion, mërgimtarët japin bursa mijëra euro për studentët shqiptarë

Epiqendra
By
6 Min Read
6 Min Read

Shkruan: Mirlind Behluli

Përveç shoqërisë, ata tashmë ndajnë edhe një synim jashtëzakonisht sublim. Ndonëse jetojnë në “kurbet”, 15 mërgimtarë kanë hapur një fondacion për t’i ndihmuar me bursa mujore studentët shqiptarë në Kosovë e gjetiu. “Vildana Foundation”, siç quhet fondacioni, është emërtuar pas emrit të gruas së njërit prej themeluesve, e cila ndërroi jetë në vitin 2018, shkruan Mirlind Behluli për Nacionale.

I themeluar në Zvicër, deri më tani ky fondacion ka ndihmuar afër 20 studentë me bursa gjatë 12 muajve, duke shpenzuar afër 20 mijë euro brenda 1 viti.

Sa herë përmendet emri i Vildanës, që është bashkëshortja e ndjerë Shkëlzen Krasniqit, ndër themeluesit e fondacionit, një heshtje në formë kujtimi mbizotëron në tavolinën e kafeterisë ku takohemi.

Së bashku me Krasniqin janë edhe Merxhan Sejdiu, mërgimtar që kontribuon vazhdimisht në fondacion, dhe Labinot Kunushevci, drejtuesi i “Vildana-Foundation” në Kosovë.

Shkëlzenin, një burrë mbi të 30-tat me prejardhje nga Livoçi i Gjilanit, e pyes arsyen se pse inicoi themelimin e këtij fondacionit. Përgjigja e tij, ndonëse e pritshme, më emocionon edhe mua.

Me një zë gjysmë të dridhur, Shkëlzeni më thotë se bamirësinë e bën “shpirtin” e bashkëshortes së vdekur.

Ideja ka lind 2018 pas vdekjes së gruas time, vendosa të gjitha të hollat që i kemi mbledh së bashku, t’i jap për bamirësi, kemi kontribu për njerëz në nevojë. Edhe ajo u kanë njeri që ka ndihmu për studenta. Unë qysh biseduam pak më herët, këtë e bëj për shpirtin e saj dhe për ndjesinë që e kam unë për vendin tim. Do të thotë kjo është A-ja dhe Zh-ja dhe me ndihmën e shokëve e kemi arritë këtë gjë.”, theksoi Shkëlzeni, teksa natyrshëm emocionohet nga kujtimet e të kaluarës.

Shkëlzen Krasniqi, bashkëshorti i Vildanës, njëri ndër themeluesit e fondacionit.
Shkëlzen Krasniqi, bashkëshorti i Vildanës, njëri ndër themeluesit e fondacionit.

Ideja për një fondacion lindi pas një udhëtimi që Shkëlzeni bëri me shokët e tij, e që të gjithë janë mërgimtarë, në Shqipëri. E për ta regjistuar “Vildana-Foundation” në Zvicër, atyre iu dështën plot 50 mijë frënga.

Pas kthimit nga Shqipëria në Kosovë ka lind ideja me disa shokë aty dhe kemi vendos që me bo fondacionin “Vildana-Foundation”. Fondacioni si fondacion për shtetin zvicëran për me u themelu të nevojitën 50 mijë frangë, për t’u quajtur fondacion. Ky ka qenë qëllimi ynë parimor, pra që duhet të jetë fondacion e jo shoqatë.”, shton ai.

Fondacioni ekskluzivisht u ndihmon studentëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Preshevë.

Qëllimet tona janë me i ndihmu shqiptarët kudo që janë, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Preshevë, këtë e synojmë ne. Po, studentët marrin bursa mujore. Gjithsej 15 anëtarë janë që kontribuojnë fondacion, do të thotë jemi familjar, shoqëri, edhe rreth, që kontribuojnë përafërsisht 20 mijë frangë në vit.”, vazhdon rrëfimin Shkëlzeni.

Në bisedë inkuadrohet edhe Labinoti, që është udhëheqësi i Fondacionit në Kosovë, për të shpjeguar më shumë për kriteret, qëllimet e vizionin e organizatës.

Ai më tregon se “Vildana-Foundation” ka një website në tri gjuhë (shqip, anglisht e gjermanisht), duke theksuar se ajo është themeluar nga mërgata shqiptare në Zvicër.

Bursat tek ne janë bursa mujore, që mesatarisht një bursë mujore sillet rreth 100 euro, por ajo është e vazhdueshme. Gjatë tërë vitit, një student i merr rreth 1200 euro. Studentët janë të ndryshëm, pra janë të gjithë të universiteteve publike.”, tregon Kunushevci.

Labinot Kunushevci, koordinator i Fondacionit VILDANA
Labinot Kunushevci, koordinator i Fondacionit VILDANA

Tutje, ai tregon se në vazhdimësi fondacioni hap konkurs për bursistë.

Vazhdimisht, kohë pas kohe, në periudha të ndryshme ne shpallim konkurs publik, sipas disa kritereve të vlerësimit, e ku studentët aplikojnë online, plotësojnë formularët e tyre, dërgojnë dokumente të ndryshme, i nënshtrohen një procedure të intervistimit. Pra kalojnë nëpër disa kritere të vlerësimit dhe bëhen bursistë”, shtoi Kunushevci.

Ai më tregon edhe bursistin ndoshta “më të famshëm” të fondacionit.

Një ndër ta është edhe Fiton Hoxha, një ish-bursist i fondacionit tonë, i cili ka qenë i jashtëzakonshëm, ka fituar dy herë medalje të argjendta në Olimpiadë Ndërkombëtare të Matematikës dhe ka dëshmu suksese të ndryshme”, rrëfen me entuziazëm Kunushevci.

Fiton Hoxha, ish-bursist i Fondacionit VILDANA, fitues i dy medaljeve të argjendta në olimpiada ndërkombëtare të matematikës.
Fiton Hoxha, ish-bursist i Fondacionit VILDANA, fitues i dy medaljeve të argjendta në olimpiada ndërkombëtare të matematikës.

Merxhan Sejdiu, një mërgimtar që jeton në Zvicër, thotë se ka qenë privilegj jetësor ndihma financiare e ofruar për studentët.

Sigurisht pasi e dëgjuat këtë histori se si ka filluar fondacioni, atëherë unë menjëherë pa hezitim e kam përkrahur shumë, me përkrahje të madhe, për shkak se edhe personalisht kam qenë nën lëkurën e studentit, kam qenë vetë student këtu, dhe e di çfarë nevoja ka një student sidomos për financa”, shkroi ai.

Merxhan Sejdiu, një nga themeluesit dhe kontribuesit e Fondacionit VILDANA.
Merxhan Sejdiu, një nga themeluesit dhe kontribuesit e Fondacionit VILDANA.

E kur e pyeta se a do të vazhdonte përkrahjen për fondacionin, Sejdiu përgjigjen e kishte në maje të gjuhës.

Po, gjithsesi, nuk mendohet bile kjo gjë, patjetër shumë”, më tha ai.

/ EPIQENDRA.COM

Share This Article