Cilët autorë mbollën depresionin, bënë vetëvrasje dhe dehumanizuan njeriun?

Epiqendra
By
19 Min Read
19 Min Read

Shkruan: Labinot Kunushevci

Historia e biografive të mendimtarëve dhe të dijetarëve, të cilët, pavarësisht gjurmëve, kontributeve, zbulimeve e arritjeve të mëdha, shpikjeve gjeniale e shkollimit të suksesshëm, teorive me përmasa të mëdha, në mungesë të besimit në Zot dhe formimit human, nën presionin e ideologjive raciste, është shndërruar në një tragjedi të vërtetë.

Shumë personalitete historike, që u munduan t’i jepnin kuptim zhvillimit të jetës, në vend se ta trajtonin atë me një standard të lartë kulturor e human, me korrektësi, drejtësi, durim, sakrificë, mençuri, përpjekje, vetëbesim, moral e disiplinë, ajo u kthye në një ferr dhe përfundim të keq. Ndërsa jeta e tyre private ishte e shthurur me shumë probleme, kriza nervore, shqetësime, imoralitet dhe fatkeqësi. Pra, të çakorduar me realitetin dhe me ndjenjat. Për shumë prej tyre, Albert Camus, do ta quante jetë e përditshme mekanike, banale, e automatizuar dhe monotone.

Jeta e tyre nganjëherë kishte natyrë psikopatike dhe neuropatike. Herë-herë ishin histerikë, pesimistë, arrogantë, megalomanë, narkomanë, alkoolistë, patologjikë, paranojakë, mendjemëdhenj, imoralë, naivë, racistë, aventurierë, iluzionistë, maniakë, utopikë, egoistë, perversë etj.

Pra, vuanin nga mani të ndryshme. Bënin skandale dhe i vuanin pasojat e tyre, sidomos në jetën familjare. E ofendonin dhe e mohonin Zotin. E refuzonin Zotin si protestë ndaj fenomenit vdekje, si protestë ndaj kontrollit që ka Zoti mbi njerëzit, në emrin e lirisë pa përgjegjësi, lirisë pa kufi. Përfundonin me vetëvrasje ose në një mënyrë të padinjitetshme. E deformonin fenomenin dhe konceptin njeri. Ndërsa historia krijoi vlerësime të gabuara, iluzione, glorifikime, mite e legjenda për ta.

Në mesin e personaliteteve kontroverse ishin: Aligieri, Shakespeare, Rousseau, Freudi, Beethoveni, Hobbesi, Comte, Durkheimi, Schopenhaueri, Balzaku, Machiavelli, Spinoza, Darwini, Marxi, Nietzsche etj., të cilët mbajtën qëndrime filozofike dhe maksima ideologjike, si:

     “Vdekja e Zotit si vdekje kulturore”;

     “Mbinjeriu irracional që maksimizon lirinë e tij”;

     “E mira dhe e keqja janë fantazi – pranga që na mbajnë të burgosur”;

     “Feja është opium për popullin”;

     “Zoti është natyrë”;

     “Zoti është refleksion ose projeksion”;

     “Fetë e vonshme qiellore janë vazhdim i feve të fiseve nomade”;

     “Feja duhet t’ia lë vendin shkencës”;

     “Feja është iluzion ose neurozë obsesive universale”;

     “Mbijetesa e më të fortit”;

     “Raca superiore duhet ta zhdukë racën inferiore”;

     “Qëllimi e arsyeton mjetin”;

     “Njeriu për njeriun është ujk”…

Kjo ideologji ka ndikuar negativisht në deformimin e vetëdijes njerëzore, duke e paraqitur filozofinë materialiste si ideologji të vetme të jetës dhe duke margjinalizuar Zotin dhe sistemin human të vlerave. Dhe studentët tanë sot mësojnë në “superlativ” për arritjet dhe personalitetin e tyre, pa e njohur anën e fshehtë të karakterit të tyre.

Ata nuk hezituan ta quanin njeriun “kafshë politike” (Aristotle); “ujk” (Hobbesi); “qenia më e ligë në botë” (Moliere); “kafshë e përkryer” (Darwini); “egërsirë” (Schopenhaueri); “kafshë seksuale” (Freudi); “kafshë revoltuese – e vetmja kafshë që s’pranon të jetë e tillë” (Camus); “makinë” (La Mettrie); “homo faber – kafshë që punon”; “kafshë që flet”; “kafshë që mendon”; “kafshë që shpenzon – homo xonsumens” etj.[1] Derisa menduan se “jeta është një aksident dhe ne jemi qenie të panevojshme” (Baconi); “jeta është një dëbim” (Kafka) apo një “rebelim” (Sartre), mosnjohja e vetvetes i çoi ata në deformime të tilla dhe mbi këto koncepte ndërtuan ideologji dehumanizuese.

Por assesi nuk thanë që njeriu është qenia njerëzore më e lavdishme, më e privilegjuar, më e ndershme, më fisnike, më inteligjente, e aftë të krijojë, shoqëri, kulturë e qytetërim, e aftë të luftojë racizmin dhe të zhvillojë humanizmin, e krijuar dhe e gjallëruar në mënyrë hyjnore, nga gjallëria e përhershme e Krijuesit të Botëve! Sepse ata dështuan ta njihnin Krijuesin e tyre! Ata u verbuan përballë harmonisë së ligjeve hyjnore, natyrore dhe shoqërore. Nga frika reale ndaj Zotit, kaluan në frikë neurotike dhe paranoja ndaj njerëzve dhe çdo gjëje tjetër. Dhe kështu qëndrimet e tyre deformuan konceptin mbi jetën dhe qenien njeri. Arritën t’ua shpëlajnë trurin miliona njerëzve duke i çuar në theqafje dhe humnerë ideologjike, duke i shndërruar në armiq të njëri-tjetrit, në racistë, egoistë, etno-centrikë, arrogantë, mosmirënjohës, mohues, që rebelohen ndaj fjalëve të Zotit dhe arratisen nga liria hyjnore e garantuar prej Tij.

Pra, shoqëritë dhe kulturat njerëzore, elitat intelektuale, që kishin potencial të bëheshin qytetërim apo të mbanin më gjatë qytetërimin në histori, i shndërruan në turma që vetëshuhen, që nuk mendojnë për vete, sepse ka kush mendon për to, që udhëhiqen nga instinkti dhe jo nga arsyeja. Ata prishën ekuilibrin ndërmjet materiales dhe shpirtërores. Dhe shumë lehtë arritën të manipulojnë me njeriun kur arritën ta shkëputnin nga përkulja ekskluzive ndaj Zotit, drejt kultit të liderit.

Njeriu më nuk kishte “nevojë” t’i përkulej Zotit, sepse tashmë prodhoi “zotin e ri”, kultin e ri, glorifikoi e mitizoi figura e liderë, perandorë, mbretër e sundues (sot udhëheqës partie) të formuar me megalomani, të fuqizuar me dhunë e të instrumentalizuar me propagandë, me konfliktin në thelb, që dehumanizon pamëshirshëm, duke i adhuruar në mënyrë krejtësisht irracionale e inferiore. Idealet u shndërruan në utopi. Njeriu filloi të mendonte se ishte rrjedhojë e rastit, jo e projektit. Shumë shpejt përfundoi në depresion sistematik. Dhe kjo ideologji mbi dinjitetin e njeriut ishte si një çizme mbi qafë. Edhe sot kjo çizme qëndron në qafat e miliarda njerëzve të pakurrizorë, kurrsesi në qafën time.

Por pse disa makineri ideologjike ose ide filozofike nuk garantojnë mirëqenie edhe për vetë doajenët e tyre? Këtë e tregojnë shembujt e vetëvrasjes së shkrimtarëve të njohur, disa prej të cilëve i përmend Alija Izetbegoviq:

Më 1971 bëri vetëvrasje Josunarij Kavabata, shkrimtari japonez, fitues i Çmimit Nobel për letërsi (1968) dhe njëri nga personalitetet më të shquara të letërsisë së sotme botërore. Para tij, më 1969 njësoj i dha fund jetës romancieri tjetër i madh japonez, Jukij Mishima. Prej vitit 1895, 13 shkrimtarë japonezë përfunduan jetën me vetëvrasje. Ndër ta është edhe autori i famshëm i Rashomonit, Rjunosuku Agutagava (u vetëvra më 1927). Çfarëdo që të jetë civilizimi për shkrimtarët e tragjedive dhe për poetët, do të ketë përherë fytyrë jonjerëzore dhe do ta kërcënojë humanitetin.[2]

Si mund ta kuptojmë faktin se shumë shkrimtarë të njohur kanë rënë në depresion apo janë bërë subjekt të iluzioneve paranojake? Një shembull të tillë e gjejmë te njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj amerikanë të shekullit XX, Ernest Hemingway. Disa përgjigje dolën në vitin 2006 nëpërmjet një artikulli të gjatë në revistën “Psikiatria Amerikane”. Artikulli titullohej: “Ernest Hemingway: një autopsi psikologjike e një vetëvrasjeje”. Psikiatri dr. Christopher D. Martin, ishte ai që kishte lexuar me shumë kujdes të 15 biografitë që ishin bërë për Hemingway dhe të gjitha shkrimet e tij, dhe në përfundim dha një vlerësim për karakterin e vërtetë të shkrimtarit të madh. Edhe pse bëhet fjalë për një ekzaminim dytësor, gjithsesi është i vlefshëm.

Mjeku nuk e pati aspak të vështirë që të konstatonte se shkrimtari i madh kishte vuajtur nga çrregullimi bipolar, varësia ndaj alkoolit, plagosja traumatike e trurit dhe me shumë gjasa edhe narcizizmi. Ai pa edhe se në familjen e Hemingway, prindërit e tij, fëmijët e tyre, vetë djali i tij dhe mbesa, ishin të gjithë me diagnoza maniako-depresive. Pikërisht në momentin kur ishte duke përfunduar veprën e tij “Lamtumirë armë” në vitin 1928, i ati i tij, Clarence, u vetëvra me një plumb në kokë. Dhe ky ishte fillimi i turbullirave të mëdha për shkrimtarin, ishte momenti kur bota nisi që t’i shembej pak nga pak. Një nga provat më të dukshme të kësaj ishin një sërë aksidentesh fizike të çuditshme që ndodhën njëri pas tjetrit, një pjesë e madhe e të cilëve kishte të bënte me përplasje të kokës së tij dhe madje edhe me dëmtime në vende të ndryshme të saj.[3] Ndërsa psikiatri tjetër, Andrew Farah, në librin e tij të vitit 2017, “Hemingway’s Brain”, argumentoi se simptomat e Hemingway i ngjanin më shumë Encefalopatisë Traumatike Kronike (CTE) sesa çrregullimit bipolar. Sipas Farah, Hemingway pësoi të paktën nëntë tronditje ose trauma të rënda të trurit gjatë jetës së tij, të cilat mund të shpjegojnë rritjen e paqëndrueshmërisë së tij.[4]

E di se ekzistojnë edhe teori apo konspiracione të tjera mbi motivet e vetëvrasjes së tij, një ndër to edhe përndjekja e FBI-së për bashkëpunimin që kishte me KGB-në ruse.

Sa njerëz flasin me admirim për mjeshtrin e psiko-analizës, Sigmund Freud, por shumica nuk e dinë se ai kishte një varësi nga duhani, e cila i shkaktoi atij kancer në gojë dhe e detyroi të kërkonte nga mjeku i tij morfinë vdekjeprurëse, sepse nuk i duronte dot dhimbjet, pa harruar edhe kokainën që i rrinte afër nganjëherë. Një mendje e hollë që njihej nga komuniteti i intelektualëve, por shumë e trashë karshi një zakoni i cili e çoi në mbi 30 operacione dhe në fund kërkoi aplikimin e eutanazisë, një formë vetëvrasëse me asistencën e mjekut, më 1939.

Sigurisht se bota dhe shkrimtarët e shohin njëri-tjetrin me një sy ndryshe. Nga të gjithë njerëzit, shkrimtarët ndihen më të tunduar dhe më të dëshpëruar nga realiteti. Ata gërmojnë në shpirtin e tyre duke përsiatur rreth ngjarjeve nga jeta e tyre. Ndonjëherë mund të përjetojnë izolim shoqëror apo shkëputje nga realiteti, duke prishur ekuilibrin e jetës së tyre. Nganjëherë janë si qiriu i cili digjet për t’u bërë dritë të tjerëve.

Por nuk mund ta marr seriozisht një shkrimtar sado “perla” të jenë shkrimet e tij, nëse ai ka paaftësi ose mungesë të inteligjencës emocionale për t’i menaxhuar krizat dhe problemet, traumat dhe goditjet e ndryshme, duke përfunduar me vetëvrasje. Në vend se ta zgjatnin shpresën e jetës në shoqëri, ata e ngutën agoninë e vdekjes te vetja. Sidomos nëse kanë zhvilluar varësi ndaj alkoolit dhe kanë pësuar çrregullime personaliteti, bipolariteti, ky komponent më irriton, edhe nëse romanet e tyre shkëlqejnë nëpër botë. Nuk është me rëndësi në sa vitrina apo biblioteka të botës qëndrojnë librat e tyre. “Vitrina e personalitetit” mban virtyte që nuk kalben kurrë.

Shkrimtarët janë njerëz të dëshpëruar” – thoshte Bukowski. Por unë i admiroj vetëm shkrimtarët që nuk vuajnë nga depresioni apo që nuk përdorin antidepresion, shkrimtarë këmbët e të cilëve asnjëherë nuk kanë shkelur si pacientë në ndonjë klinikë psikiatrike, madje janë mjeshtër të mëdhenj të shërimit të depresionit kolektiv e individual.

Shumë shkrimtarë mashtrojnë me identitet fiktiv virtual duke u paraqitur si shembëlltyrë, por ata vuajnë shumë. Shkrimtarët e mbështjellin vuajtjen në mënyrë mjeshtrore me gëzofin e “lumturisë”. Mos u joshni vetëm nga titulli, përmbajtja apo kopertina e librit sensacional, nëse nuk i njihni biografitë dhe karakteret e autorëve. Më mirë të mos lexoni libra, sesa t’i lexoni librat e autorëve kontroversë e depresivë pa pikë integriteti.

Kay Jamison, një profesoreshë e psikiatrisë në Universitetin “Johns Hopkins” dhe autore e “Touched With Fire: Manic-Depressive Illness and the Artistic Temperament”, ka thënë se shkrimtarët kishin 10 deri në 20 herë më shumë gjasa se njerëzit e tjerë të vuanin nga sëmundje maniako-depresive ose depresive, të cilat çojnë në vetëvrasje më shpesh se çdo çrregullim tjetër mendor. “Stili kognitiv i maniako-depresionit mbivendoset me temperamentin krijues” tha znj. Jamison. Studiuesit kanë zbuluar se në një gjendje të butë maniake, subjektet mendojnë më shpejt, më rrjedhshëm dhe origjinalisht. Në një gjendje depresive, subjektet janë vetëkritikë dhe obsesivë, një kornizë ideale mendore për rishikim dhe redaktim. “Kur mendojmë për shkrimtarët krijues, ne mendojmë për guximin, ndjeshmërinë, shqetësimin, pakënaqësinë; ky është temperamenti maniak-depresiv”, tha znj. Jamison.[5]

Edhe shumë shkrimtarë të tjerë, që supozoheshin se i motivonin të tjerët për jetën, në një moment vendosën t’ia marrin jetën vetes, si: Virginia Woolf (1941), Sylvia Plath (1963), Hunter S. Thompson (2005), David Foster Wallace (2008), Abbie Hoffman (1989), Louis Adamic (1951), Richard Brautigan (1984), Stig Dagerman (1954) etj.[6] Gjenialiteti i tyre në letra nuk u ndihmoi ta tejkalonin depresionin. Por çfarë mesazhi përçon te lexuesit vetëvrasja e shkrimtarëve? Mendoni pak, nëse autori i këtij libri do të vetëvritej një ditë!

Një rrezik tjetër vjen nga konspiracionistët, që në të vërtetë janë njerëz paranojakë. Ata nuk kanë burime serioze, ata kanë paranoja serioze. Logjika se si i parashikojnë ngjarjet nuk është ndonjë aftësi e veçantë e tyre. Nuk kanë lidhje me analizë të dëshmuar shkencore. Nuk e di pse aq shumë u jepet hapësirë në media për të krijuar “opinion”! Ata na paskan zbuluar “të vërtetën e fshehur”! Na flasin për disa elita misterioze ndaj të cilave ndjejnë paranoja. Në të vërtetë, ata vuajnë për famë dhe vëmendje. Sa lehtë është të bëhesh viral me broçkulla.

Pra, po jetojmë në një periudhë kaotike, ku po shohim lulëzimin e teorive të konspiracionit në rrjete sociale dhe media elektronike, të cilat po e komprometojnë vetëdijen dhe referencat shkencore të institucionalizuara. Dhe popullarizimi i konspiracioneve, që dalin si nga nëntoka, është bërë i rrezikshëm po aq sa një virus dhe një pandemi. Konspiracionet zakonisht krijojnë konfuzione dhe skepticizëm të madh te njerëzit, duke i bërë ata të shpërfillshëm se mos është një plan i fshehtë i shërbimeve sekrete prapa kësaj. Ironizimi i tyre me realitetin tregon papjekuri dhe mendjelehtësi ekstreme.

Por si bëhen virale konspiracionet? Në analizën sociologjike të strukturës së njerëzve që besojnë në konspiracione, vërejmë një turmë funksionalisht tërësisht analfabete. Pra, kryesisht verzionet konspiracioniste shpërndahen nga njerëzit injorantë, pa kualifikime të dëshmuara shkencore, nga njerëz që nuk njohin gjuhë të huaja, nga njerëz që shoqëria nuk i njeh për ndonjë kontribut të veçantë e të cilët nuk i njohin as të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, nuk i njohin as problemet e vendit, të lagjes apo të familjes së vet, por e kanë guximin dhe besimin të pretendojnë se e dinë të fshehtën, të ardhmen, i njohin komplotet e fuqive dhe sekretet e elitave, Rendin e Ri Botëror, marrëveshjet dhe prapaskenat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të fuqive në botë etj. Por një gjë është shumë e sigurt: konspiracionistët nuk e dinë se nuk dinë asgjë. Ata nuk e dallojnë konfuzitetin dhe kontroversitetin e tyre.

Turmat sociologjike më shumë janë të prira t’u besojnë konspiracionistëve, falltarëve, magjistarëve, demagogëve mashtrues, miteve, besëtytnive, legjendave, iluzioneve, tregimeve glorifikuese e folklorike, duke mbetur pengje të përhershme të tyre, sesa një raporti shkencor të verifikuar me prova shkencore, aq më pak një libri sociologjik si libri im “PASIONET E IDIOTËVE”.

Turmat e kërkojnë shërimin tek autoritetet e rrejshme, e kërkojnë informacionin te mediat e dyshimta, kërkojnë ta gjejnë udhën tek ata që e kanë humbur edhe drejtimin dhe kanë rënë në humnerë.

Ndryshe nga logjika konspiracioniste, logjika sociologjike është shumë më e qëndrueshme, më objektive, mbështetet në referenca dhe prova empirike, ka një metodologji shkencërisht të pranuar, ndonëse “e meta” e saj është që nuk prodhon materiale virale dhe sensacionale, pasi nuk e ushqen pasionin irracional të turmës. Shkrimet dhe deklaratat e konspiracionistëve kapin mijëra lexues. Konspiracionistët janë fytyra të njohura publike, ndërsa fytyra ime ka paqe me personalitetin tim të ndërtuar në antipopullizëm dhe nuk ka nevojë të njihet nga turma./EPIQENDRA.COM

Referenca:

[1] Jakup Asipi, PËR DITURINË, Vllaznia, Kumanovë, 2012.

[2] Alija Izetbegoviq, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Komiteti i Bashkuar Saudit – Ndihmë Kosovës, Prishtinë, 2002.

[3] KultPlus, “Ernest Heminguej, misteri i vetëvrasjes së shkrimtarit, njeriut energjik, atij që sfidoi me zemër e me penë”, 2019, https://www.kultplus.com/libri/ernest-heminguej-misteri-i-vetevrasjes-se-shkrimtarit-njeriut-energjik-atij-qe-sfidoi-me-zemer-e-me-pene/

[4] KultPlus, “Hemingway dhe vështirësitë e tij me shëndetin mendor”, 2021, https://www.kultplus.com/libri/hemingway-dhe-veshtiresite-e-tij-me-shendetin-mendor/

[5] William Grimes, “Exploring the Links Between Depression, Writers and Suicide”, New York Times, 1994, https://www.nytimes.com/1994/11/14/books/exploring-the-links-between-depression-writers-and-suicide.html

[6] “Famous Writers Who Committed Suicide”, Ranker, 2024, https://www.ranker.com/list/famous-writers-who-committed-suicide/celebrity-lists

Share This Article