Bursistët e Fondacionit VILDANA bashkë me koordinatorin e tyre, Labinot Kunushevci, vizituan personat me sindromën Down, në shoqatën “Down Syndrome Kosova” në Prishtinë.
Studentët e talentuar bursistë të Fondacionit VILDANA u mirëpritën nga koordinatorja e shoqatës, Marigona Sadiku, dhe u njoftuan me punën dhe shërbimet që ofron shoqata, për aktivitetet dhe aftësimet profesionale që realizojnë në dobi të fëmijëve dhe të të rinjve me sindromën Down, në favor të zhvillimit të tyre psiko-social, motorik dhe intelektual.
Fondacioni VILDANA në faqen e tij zyrtare ka thënë se aktivitete të tilla janë pjesë e plan-programit të Fondacionit VILDANA për t’i mbështetur në forma të ndryshme morale e profesionale, kategoritë e margjinalizuara dhe në nevojë.
“Duke qenë se personat me sindromën Down janë një kategori me nevoja të veçanta dhe kanë nevojë për një përkujdesje më shumë, studentët e talentuar – bursistët e fondacionit, në mënyrë të organizuar, me vullnetin dhe kontributet e tyre, u shpërndanë dhurata personave me sindromën Down, duke u dhënë atyre buzëqeshje, gëzim dhe ndjenjë të mirë ngrohtësie të mishëruar me dashuri dhe empati. Ky aktivitet i bashkoi jo vetëm disa nga bursistët aktual, por edhe ish-bursistë që tani punojnë dhe kontribuojnë në shoqëri, të cilët shprehën gatishmëri për kontribute vullnetare në të ardhmen sa herë që këta fëmijë kanë nevojë. Aktivitete të tilla janë pjesë e plan-programit të Fondacionit VILDANA për t’i mbështetur në forma të ndryshme morale e profesionale, kategoritë e margjinalizuara dhe në nevojë, për të treguar modelin e një studenti jo vetëm ambicioz dhe të talentuar – me inteligjencë mendore, por edhe të një studenti që manifeston humanizëm me empati dhe inteligjencë emocionale dhe sociale”, janë shprehur nga Fondacioni VILDANA në njoftimin e tyre./EPIQENDRA.COM




