Bursistët e VILDANA-Foundation takohen me studentin më të mirë në botë për vitin 2024 të shpallur nga GIDE në ShBA

Epiqendra
By
5 Min Read
5 Min Read

Bursistët e VILDANA-Foundation, në kuadër të projektit “VILDANA Impact Creators”, në udhëheqjen e koordinatorit të fondacionit, Labinot Kunushevci, u takuan me një personalitet shumë të shquar dhe frymëzues, Getoar Hoxha, i cili është shpallur studenti më i mirë në botë për vitin 2024, nga Global Institute For Dental Education në Implantologji dhe Rigjenerim Kockor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Getoari, një top student elitar i cili studimet themelore i kishte kryer në Kosovë, për të vazhduar me studime në ShBA, me shpirtin e tij luftarak, potencialin e tij akademik, disiplinën e pathyeshme, inteligjencën e fortë emocionale, si një model ideal i një studenti ambicioz që ka thyer kompleksin e inferioritetit dhe ka dalur nga “Comfort Zone” apo nga klishetë e zakonshme akademike, ndau përvojën e tij ekskluzive sot me bursistët – studentët e Fondacionit VILDANA.

Ai kishte përfunduar ciklin e Masterit klinik në Implantologji dhe Rigjenerim kockor në Los Angeles, California, në mesin e kolegëve tjerë nga Australia, Kina, Evropa dhe Amerika, duke fituar vendin e I-rë si studenti më i mirë në botë për vitin 2024 në këtë program.

Tani ai është pjesë aktive e Klinikës Dentare “Dr. Besi” në Pejë dhe bashkëthemelues në “Endodontic Dental Studiu” në Prishtinë. Si dhe pjesë e shumë programeve ndërkombëtare, në mesin e të cilave ai sot i njoftoi bursistët e fondacionit se nga java e ardhshme do të udhëtojë për në Harward për t’u bashkuar në ITI Education Week Boston 2025, një program prestigjioz nga Harward School of Dental Medicine, në Boston – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga institucionet më të njohura në botë në fushën e stomatologjisë.

Doktor Getoar Hoxha fillimisht uroi Fondacionin VILDANA për kontributin, qëllimin dhe vizionin e tij në mbështetje të talenteve duke ofruar gatishmëri për të kontribuar në fondacion në forma të ndryshme. Ai i këshilloi studentët që të jenë mirënjohës për ata të cilët ua kanë ngjitur krahun në kohën më kritike të studimeve duke ua lehtësuar barrën financiare.

Ai u tha studentëve që garancioni kryesor i suksesit është disiplina. Pra, zgjimi herët; respektimi i orarit; respektimi i protokollit; planifikimi i punëve; krijimi i rrjeteve profesionale; respektimi i resurseve njerëzore; bashkëpunimi e mentorimi; përshtatja me risitë e teknologjisë dhe avancimi në dijet e reja bashkëkohore; pjesëmarrja në konferenca, trajnime e forume profesionale; balancimi i stabilitetit ekonomik financiar me atë akademik e profesional në karrierë; pasioni i thellë për profesionin dhe krahasimi me personat që janë më të suksesshëm se na, janë mekanizma që na ndihmojnë të bëhemi të suksesshëm, ta kapitalizojmë dijen tonë dhe të krijojmë konkurrencë të fortë, duke u bërë referencë për pacientët, klientët apo partnerët tonë, ishin disa nga idetë e tij të cilat ai i inkurajoi tek bursistët të cilët shfaqeshin kureshtarë me pyetje dhe rrëfime të përvojave të tyre në bashkëbisedim me Dr. Getin.

Pra, të mos bëjmë kompromis me cilësinë dhe njerëzit të vijnë tek ne për shkak se cilësisë, jo për shkak të çmimit më të lirë, ishte një këshillë e tij e fuqishme.

Sipas tij, nuk mjaftojnë vetëm shkathtësitë teknike për ushtrimin e një profesioni sepse ato fitohen lehtë. Ju më shumë do të mësoni për profesionin tuaj pas studimeve sesa gjatë studimeve, u tha ndër të tjera. Pra, pa qenë auto-didakt dhe kureshtar, nëse mbyllemi vetëm në kornizat e një syllabusi, nuk do të bëhemi profesionistë konkurrues, sipas Hoxhës.

Ai i inkurajoi bursistët e fondacionit, studentë të Universitetit të Prishtinës, që t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe të hulumtojnë në horizonte të ndryshme sepse Kosova sipas tij ofron kushte dhe mundësi të shkëlqyera për ushtrimin e profesionit dhe për të bërë gjëra të mrekullueshme, për të lënë gjurmë në komunitet./EPIQENDRA.COM

Share This Article