Shkruan: Labinot Kunushevci
“Të shkruash për idiotët është si të hysh në një fushë të minuar!” – më thoshte një mik nga mërgata.
Po, sepse ata sot na paraqiten në formën e produkteve të panairit të idiotëve, ku ekspozojnë dhe reklamojnë idiotësitë e tyre suficitare me një zbritje 100 për qind. Kriza e shoqërisë bashkëkohore është krizë e inteligjencës. Sot vlerat qytetëruese kanë pësuar rënie meteori dhe përmbysje morale.
Mbi këtë perspektivë, studimet universitare nuk përjetohen si një mundësi e zhvillimit të personalitetit dhe pavarësimit profesional.
A janë sot profesorët universitarë elitë intelektuale?
Çfarë tregon personaliteti dhe paraqitja e tyre publike?
Pse ata nuk arrijnë të dalin nga lëvozhga e demagogjisë me leksionet e tyre cicëruese monotone me përplot klishe?
Ata janë vrasësit e mendimit dhe lirisë intelektuale. Janë fare pak në numër që bëjnë përjashtim. Në argumentimet sociologjike për demaskimin e pasioneve të idiotëve është e pamundur shmangia prej “pishtarëve ndriçues”, pa i qëndisur disa fjalë rreth çrregullimeve të errëta të personalitetit të tyre.
Studentët inteligjentë sot janë autodidaktë, nuk janë produkt i universitetit i cili tenton ta përvetësojë meritën e tyre autodidakte. Sepse në universitet nuk ka elitë inteligjente për ta shndërruar potencialin e talenteve dhe të studentëve në krijues.
Derisa studentët nuk bëhen masë kritike, janë një turmë e respektuar nga universiteti. Por kur nis suksesi i tyre, nis ndarja e rrugëve, pasi elitat universitare shndërrohen në armiq të përbetuar, por në mënyrë të fshehur, sepse në mënyrë manipuluese identifikohen me suksesin e studentëve dhe në anën tjetër vjelin e vjedhin nga puna krijuese e tyre duke ua gërryer dheun nën këmbë.
Në universitet sot gjejmë një plejadë pakurrizorësh, maniakësh seksualë, perversësh, abuzuesish, mediokrish dhe sharlatanësh. Të gërditshëm kur flasin, si mushkonjat që gumëzhijnë në vesh dhe si pëllitjet e lopëve pas ushqyerjes, të çoroditur në stil, artificial në qëndrim, që mendojnë se kravata u jep autoritet para studentëve, të cilët, në vend se të ishin një ishull i izoluar, si idiotë ata sot kanë shtrirë mbretërinë e tyre, duke thurur rrjetën e merimangës, në të cilën e mbështetin rezultatin e tyre të dobët.
A thua çfarë studentë mund të nxjerrin këta profesorë?
Të cilët, në vend se të denoncohen për maskarallëqe, ata mbulohen, amnistohen, justifikohen, përvidhen, arsyetohen dhe ngrihen në pozita. Madje shkruajnë e ligjërojnë me një supermaci kulturore, që në thelb është raciste. Duan të mbeten kulte dhe mite, të adhurohen si Zot, sepse besojnë se janë qendra e përsosmërisë morale dhe intelektuale, të vetëmjaftueshëm, që nga gojët e tyre del lëngu i vetëkënaqësisë që e përjetojnë si xhevahir, në fazën e zenitit kulturor në të cilën gjenden.
Por fjalët e tyre të përsëritura shpesh janë një diarre orale.
Ata arrijnë t’i mahnitin vetëm të padijshmit dhe diletantët, të cilët përjetojnë ekstazë kur “gjenialiteti dogmatik” i profesorëve vjen në një artikulim që prek kiminë e trurit dhe kiminë emocionale. S’di ku e gjejnë atë besueshmëri morale të mbajnë leksione morale në televizione publike?
Të pafytyrë me shumë fytyra!
Pse nuk denoncohen nga vetë departamenti, nga njësia akademike apo nga rektorati?
Sepse jo të gjithë, por një grup prej tyre janë të ndyrë, oportunistë, të shantazhuar, të korruptuar dhe të kërcënuar!
Kjo është një mizori e familjes akademike. Nëse kërkon zbatimin e ligjit ndaj tyre, ata do të pësojnë traumë. Maskarenjtë përballë ligjit gjithmonë përjetojnë traumë. Ndërsa kur gjejnë apo shkaktojnë anarki dhe kaos, ndihen të çliruar dhe të përmbushur.
Të obsesionuar pas gradave shkencore, me një biografi oportuniste, moralisht, estetikisht dhe profesionalisht të varfër, kanë fituar tituj plagjiati dhe kanë depërtuar nëpër fakultete dhe në programe universitare, nëpër pozita të rrëmbyera me autoritet fiktiv, duke luftuar me fjalë të mprehta në fushëbeteja si gladiatorë, hiç fare si intelektualë. Disa janë bërë shefa të departamenteve, dekanë fakultetesh, senatorë e çmos – jo me konkurrencën e vlerave, por me konkurrencën e oportunizmit, duke rrënuar çdo standard të etikës morale, duke synuar të vjedhin pushtet, prestigj dhe status, duan të fitojnë më shumë qasje në më shumë burime e të veçohen nga turma, e cila, sipas tyre, është aty vetëm që t’ua varin medaljet në xhaketa dhe t’u përkulen në shenjë nderimi.
Edhe pse në opinionin publik njihen dhe paraqiten si profesorë me integritet dhe me dinjitet akademik, të njëjtët, me pafytyrësinë akademike e morale, interferojnë nëpër konferenca ndërkombëtare në vlerësimin e pavarur të jurisë, për të favorizuar konkurrues – studentë të tyre, që asnjë rezultat nuk e kanë arritur në gara, duke diskriminuar grupe e konkurrues të tjerë. Dhe të njëjtit kur nuk arrijnë të shpallen shkencëtarë të vitit, rebelohen duke akuzuar institucionin.
Nuk mund të shkëputen nga mallëngjimi dhe nostalgjia që u jep sistemi i kaluar në të cilin ishin të integruar mirë, ndërsa sot sillen si nacionalistë të kamufluar, duke promovuar gënjeshtra se gjoja ish-sistemin e kanë rrënuar.
Ndërsa ata pak profesorë të dinjitetshëm dhe me integritet moral e akademik që janë, nuk kanë arritur as të avancoheshin në thirrje akademike, se lëre më të drejtonin institucione. Janë injoruar nga mirënjohjet dhe çmimet e merituara për kontributet e dhëna. Sot gjejmë që shumica e profesorëve sillen si kapadainj, banditë dhe vagabondë, vuajnë nga kompleksi i superioritetit që manifestohet me arrogancë dhe me arbitraritet, me injorim dhe cinizëm absurd ndaj studentëve. Ndërsa si elitë dhe akademi janë indiferentë përballë fenomeneve dhe dukurive që ndodhin në vendin e tyre dhe nuk kanë as përgjigje shkencore për to. Janë si profetët e rrejshëm, që kanë lavdi të rrejshme, parashikime të rrejshme, pretendime të rrejshme, besimtarë të rrejshëm.
Kjo është epoka e atyre që lavdinë e kanë status dhe resurs të vetëm. Absurditetin e kanë shndërruar në vlerë, ndërsa injorimin në rregull të pashkruar. Kjo bën që koeficienti i tyre i idiotësisë të jetë më i larti dhe kjo i bën ata të panevojshëm të hyjnë në një grevë për ngritjen e këtij koeficienti. Ata jo vetëm që nuk kanë peshë në mendimin bashkëkohor shkencor, por nuk kanë përgjigje as për problemet më specifike të vendit të tyre. Nuk kanë përgjigje shkencore, sepse nuk kanë hulumtime shkencore. Janë të vetëmargjinalizuar. Kanë vetëm retorikë, leksione, lojë fjalësh, citomani, fantazi, që atyre u duken perla legjendare të papërsëritshme të historisë. Të shquar për fatalitetin në argumente primitive, të neveritshëm për militantizmin në mendime të thata.
Nuk ka shkencë të irrituar apo të gabuar, ka shkencëtarë irritues dhe metodologji të gabuar.
Me ligjërimet e tyre të bazuara në teori të thata nuk arrijnë të krijojnë programe universitare të lidhura me tregun dhe me industrinë e punës, që ta bëjnë shkencën kapitalizuese, të prekshme, të eksperimentuar e të demonstruar, duke e lënë atë në kafazin e abstraktit, jashtë kontekstit të realitetit. Kjo rrezikon shuarjen e disa programeve universitare mjaft kapitale, ndonëse mendimet e tyre duken se bartin peshë të rëndë të renesancës së fjalës apo se janë si një oazë e begatshme në një shkretëtirë.
Të njëjtët, kur rrinë në tubime me njerëz të profesioneve të ndryshme, tregojnë inkompetencë në diskutimet e tyre, sepse përzihen në kompetenca të profesionistëve të tjerë duke u shitur mend. Kanë dëshirë të flasin vetëm ata, të tjerët të dëgjojnë, që diskursi i tyre të jetë dominues. Dëshira e tyre e brendshme është ta lartësojnë vetveten dhe të shkëlqejnë mbi të tjerët. Duan ta arrijnë kënaqësinë e të gjithëditurve enciklopedistë, që në takime grupore bëjnë monolog në përpjekje për dialog dhe rrëfejnë se si i kanë sfiduar ekspertët në qëndrimet e tyre. Ata nuk e vërejnë që po rrëshqasin shumë. Ata nuk janë të vetëdijshëm se peshkut nuk i mësohet noti.
Të mos flasim për mësimdhënësit shkollorë dhe universitarë, që në paraqitje publike janë plot moral, ideale dhe parime, ndërsa në biseda private mes vete janë shumë bizarë dhe të pistë. E shumë prej arsimtarëve që gjatë përvojave shkollore kanë konflikte me nxënës, ndaj të cilëve ankohen gjithë kohës, në fund, me të njëjtët shkojnë dhe vallëzojnë në mbrëmjet e (semi)maturës, sikur s’ka ndodhur asgjë, sepse muzika tallava i “shkrin” konfliktet.
Kështu, një numër i tyre botojnë punime të ashtuquajtura shkencore në revista kuturu të botës së largët, për tema shumë jorelevante, ndërsa nuk kanë asnjë studim nacional apo kulturor për problemet reale dhe zhvillimet aktuale të shoqërisë ku jetojnë. Ndërsa po u botua ndonjë artikull i tyre në ndonjë revistë a media pak të njohur, mburren dhe shkrihen kur i shpërndajnë në rrjete sociale, u duket se kanë shpikur diçka, pothuajse kanë zbuluar ndonjë gjë revolucionare, se krejt bota i ka njohur e lexuar dhe se vetëm statusi nobelist u mungon.
Çudi si s’e kanë marrë këtë çmim deri më tani!
Të vetëdekoruar si më të vetëçmuarit e personaliteteve.
Mendoni ju se ata meritojnë të vendosen në frone mbretërore, me kurora mbi kokë?
Gjithsesi, mëkat të mos u ndërtohet nga një shtatore e bronztë pas vdekjes mu para çdo fakulteti ku kanë punuar, që gjeneratat e reja, të cilat s’kanë pasur fatin të lindnin në epokën e tyre e të merrnin dije nga enciklopedia e tyre erudite, të sillen rreth shtatoreve, jo për t’i nderuar, por për t’i urinuar.
Në njërën anë janë mosmirënjohës kur studentët e tyre arrijnë suksese të veçanta, që ata as s’e kanë imagjinuar, dhe në anën tjetër tentojnë të vjedhin merita nga puna autodidakte e studentëve. Kur asnjërën s’e arrijnë, mundohen përmes intrigave ta zhvlerësojnë dhe ta shlyejnë punën e studentit. Në disa raste janë munduar t’i përdornin gazetarët hulumtues për t’i aplikuar këto intriga që burimin e kanë në xhelozi patologjike, por pa sukses.
Puna origjinale e një studiuesi autodidakt nuk mund të shlyhet.
Ata i xhelozojnë studentët e tyre që janë rrugës për t’u bërë kuadro konkurruese dhe nuk i pranojnë në universitet për t’u bërë bashkëpunëtorë, siç ka ndodhur me rastin tim, në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2017, ku profesorët e mi, përgjatë studimeve më lavdëronin si studenti më i veçantë, më refuzuan në konkursin për asistent të sociologjisë, duke favorizuar persona joadekuatë dhe jomeritorë. Dhe kjo hapi rrugën për një betejë juridike, morale dhe akademike, të cilën e fitova. Padrejtësia e tyre “hasi si sharra në gozhdë”. Si një grup njerëzish që janë të përlyer dhe që fshihen në errësirë, nuk e duan diellin pranë sepse rrezatimi i tij ua zbulon pisllëqet.
Deri këtu shkon dehumanizimi në thelb i karakterit të tyre, që meriton ekzaminim psikopatologjik, sociopatologjik dhe skizofrenik, me diagnostikim të sigurt. Në anën tjetër kanë flirtuar me organizata studentore që në thelb janë organizata politike – dorë e zgjatur e partive apo e forcave politike, dhe me studentë militantë, sekserë e servilë, të cilët, edhe pse jashtëzakonisht të dobët në studime, janë shpërblyer me nota e diploma pa përfillur asnjë kriter profesional dhe as etik në vlerësim dhe në mentorim.
Procesi i mentorimit është pika e dobët e tyre, sepse fare pak bashkëpunojnë me studentë të zellshëm e punëtorë, i favorizojnë dhe i privilegjojnë shumë “studentët e dëgjueshëm” dhe “studentet simpatike”.
Sa qesharakë janë kur mundohen t’i përdorin disa fjalë dhe terma të huaja latinë, kur përdorin fraza popullore, kur përdorin definicione abstrakte dhe teori të thata klasike, kur përmendin gjëra të pakuptimta, vetëm për t’u dukur si më superiorë, që të tjerët ta kenë më të vështirë t’i kuptojnë. Në fakt, gjuha e tyre belbëzuese tregon sa të çekuilibruar janë, pa shmangur edhe pasaktësinë shkencore dhe logjikën atipike – të krisur në kokë, neurotikë e të gërditshëm me zërin e tyre kumbues të vrazhdë kur ligjërojnë në katedra.
Tekstet e tyre janë përplot fryrje, pa strukturë, pa logjikë, pa ide, pa koherencë. Janë një masturbim fjalësh, që s’fekondohen as ngjizen me asnjë argument. Janë një tajitje që lubrifikon ujëvarë gojët e tyre, duke e paraqitur një nivel tjetër, jo të inteligjencës, por të idiotësisë, dhe të krekosen se ata kanë arritur një standard të lartë, që shoqëria nuk po mund ta zbërthejë, prandaj duhet t’i pranojnë si autoritet të pashmangshëm dhe të pazëvendësueshëm.
Është e dhimbshme se si profesorët pensionistë kanë një nostalgji për të kaluarën, që kalon deri në kërkesa irracionale, që në fakt shfaqin egocentrizmin dhe etnocentrizmin e tyre, paaftësinë e përshtatjes me realitetin e ri. Ata gjithmonë vuajnë për t’i pranuar sa më shumë publiku. Duan me çdo kusht të jenë referencë për çdo zgjidhje problemi. Harrojnë se janë të konsumuar dhe se problemet e reja kërkojnë studime dhe studiues të rinj.
Kur përpiqen të ndërtojnë një paradigmë të re për problemet e reja, tërheqin paralele me kohët e vjetra dhe mundohen të shpjegojnë realitetin modern me kategori dhe argumente të vjetra.
E dhimbshme se si vuajnë për vëmendje e për jehonë publike, për pëlqime dhe komente, derisa naivitetin e tyre të sëmurë e shprehin ndaj shoqërisë me reagime morbide, sepse u duket se shoqëria nuk po i vlerëson sa e meritojnë. Preferojnë të jenë të pëlqyer, jo të vlefshëm.
Kur shkrimet e tyre nuk gjejnë lexues sa ata synojnë, shpërthejnë me mllef si egërsira të tërbuara dhe të uritura, fillojnë t’i largojnë nga shoqëria njerëzit që nuk janë lexues dhe adhurues të perlave e lirikave të tyre margaritare, duke i quajtur mosmirënjohës.
Pra, krijojnë një mozaik me simbolika të rrejshme, me magjinë e mashtrimit që shkrihet në shkronja e fjalë nënshtrim-kërkuese, fjalë të shkapërderdhura nga dezertimi i alfabetit të tyre, që gjithë ajo që pikturojnë është vetëm një natyrë e vdekur dhe një abstrakt imagjinar, që studenti pavetëdijshëm të magjepset e të mbetet pa fjalë, të mos kuptojë asgjë.
Si ata hieroglifët e lashtë të gdhendur në gur, mur, argjilë, shkëmbinj e lëkura kafshësh, figura, që sot nuk lexohen, as kuptohen apo as interpretohen më në komunikimet publike. Dëshirojnë me çdo kusht të imponohen në debate, në intervista, në konferenca dhe në emisione televizive jo për të dhënë kontribute humane, por të çirren me stilin e tyre protagonist dhe fatalist. Duan të jenë të idealizuar, të afirmuar, të admiruar, deri në ekstremin e fetishizimit.
Duan të trajtohen si autoritete të pakontestueshme, ndërsa në thelb nuk është se kanë ndonjë vizion profesional human, përveç qëllimeve karrieriste, shpeshherë me ambicie dhe kalkulime politike, derisa përfundojnë si deputetë, ministra, kryetarë komisionesh e zyrtarë të lartë publikë, që befasisht na shfaqen si fantazma në televizion. Pastaj shpejt, si rrufe dhe uragane, bëhen pjesë e partive politike me servilizëm dhe prostitucion politik. Bëhen pjesë e imazheve elektorale, në ato terrene ku aftësitë e tyre manipuluese dhe zhvatëse gjejnë hapësirë, në pozicionet e kolltukëve politikë nga të cilat nuk çngjiten, duke e sinkronizuar gjuhën e tyre intelektuale me gjuhën e pushtetit.
Gjithmonë kanë një prirje që t’i referohen ngjarjeve të kaluara në të cilat pretendojnë se kanë qenë protagonistë, të na paraqiten si triumfalistë dhe heronj të kohës, me fjalimet epike dhe romantike që mbajnë, se ata janë qendra e universit, epiqendra e së vërtetës, eruditë dhe iluministë, gjigantë dhe titanë, kalibra dhe kolosë të patejkalueshëm, se historia fillon me ta, se, po mos të ishin ata, nuk do të ishim as ne, se dielli lind ekskluzivisht për ta e toka sillet rreth tyre.
Ekzaltohen deri në ekstazë, me fantazi të çoroditura prej narcizisti, kur studentët injorantë dhe servilë i lavdërojnë në publik. Sepse lëvdatat ua mbushin boshllëkun e thellë moral, shpirtëror dhe psikik. Lëvdatat ua plotësojnë vrimat e personalitetit. Lëvdatat ua arnojnë karakteret e shqyera. Ata ndihen si i burgosuri për kohë të gjatë, që dashurohet në qelinë e tij. Ky është episodi kryesor i jetës së tyre, kur fitojnë respekt me autoritet, që vjen nga egoja dhe jo nga vlerat intelektuale. Kurse studentët e gjorë krijojnë iluzione, mite, tabu dhe detyrohen të shprehin respekt deri në thyerje të dinjitetit, t’u bëjnë lajka apo të aktrojnë se po i respektojnë. Sepse ky është kriteri i vetëm bastard i profesorëve me të cilin ata vlerësojnë. I detyrojnë studentët t’i blejnë librat e tyre. Ua mbytin mendimin kritik kur vendosin kriter të vlerësimit memorizimin dhe citimin e ligjëratave – dokrrave të tyre – në testet provuese, apo referim në autorët dhe në tezat që ata i preferojnë ideologjikisht. Ata nuk prodhojnë alkimi të fjalës, ku studentët kanë në dispozicion tekste apo materiale nga të cilat mund të rikrijojnë njerëz, ngjarje, fenomene, narracione, pa kufizime e diktime, kurse në anën tjetër nuk i informojnë studentët për kriteret e vlerësimit të provimeve.
Mosinformimi i studentit për planifikimin e vlerësimit në një lëndë, saktësisht për kriteret e vlerësimit për çdo notë apo instrument vlerësimi, e bën profesorin universitar arbitrar në vlerësim dhe e legjitimon apo lehtëson mungesën e llogaridhënies apo të transparencës akademike. Kjo prodhon kopjime masive dhe shpërfaq provime që kërkojnë vetëm 2 orë inteligjencë negative për t’u kaluar, duke hapur një rrugë drejt diplomimit të injorancës. Kurse shumicën e ligjëratave i mbajnë përmes prezantimeve të disa materialeve në formate elektronike, broçkulla, për gjëra të cilat jo vetëm që nuk i dinë mirë, por as nuk e dinë se nuk i dinë, vetëm i kopjojnë nga viti në vit me disa nuanca të vogla modifikimi, pa kurrfarë koncepti, strukture, koherence apo reference. Nuk përdorin studime dhe hulumtime të reja shkencore, por vetëm fjalë dhe definicione tunduese, versione të vjetruara, të cunguara. Jo pak prej tyre janë plagjiatorë.
Kjo ka një përgjigje: janë shumë dembelë.
Një numër i tyre ka depërtuar në universitet përmes militantizmit dhe filtrave politikë, me intervenimet e pushtetit, të shpërblyera në pozicione akademike. Derisa kanë krijuar një oligarki brenda universitetit. Kanë mbytur konkurrencën, duke ruajtur monopolin, dhe, ç’ është më ironikja këtu, fajin për dështimin e tyre dhe të shoqërisë mundohen t’ua atribuojnë arsimtarëve të nivelit shkollor dhe kërkojnë prej tyre sakrifica ideale, që ata vetë nuk do të ishin në gjendje kurrë t’i bënin, ndonëse paguhen shumëfish më shumë se ata.
Por ja që nganjëherë shprehin paranoja kur mundohen ta parashikojnë të ardhmen dhe narracionet e tyre përfundojnë në utopi. Si paranojakë, krijojnë armiq imagjinarë. Përfundojnë si malli i marketeve që mbetet në stoqe e magazina pa u shitur e kërkuar nga asnjë konsumator. Ndoshta është sindromë post-traumatike, por ata janë shumë të frikësuar, ata krijojnë panik.
Entuziazmi i tyre shpeshherë është emocional, impulsiv, subjektiv dhe euforik. Kanë një krenari idiote që s’e gëlltitin dot. Stili i tyre i ligjërimit është kokëfortë, arrogant, i automatizuar, mekanik, jointeligjent. U mungon arti, pedagogjia, empatia, aftësitë emocionale, thelbi i shëndoshë i humorit, interaksioni dhe fleksibiliteti. Sarkazmi dhe satira, që nganjëherë përdorin, janë me fjalë ofenduese, bullizuese, joartistike.
Kundërnjerëzorja e tyre shkon deri aty sa marrin guximin t’i bullizojnë studentët që besojnë në Zot apo që manifestojnë një formë besimi.
Të vetëkënaqur me titujt shkencorë që kanë përvetësuar, por të dëshpëruar pse shoqëria nuk po i adhuron si kult. Sepse shoqëria po e vëren se ata janë shumë afër komprometimit. Jakat e tyre të bardha nuk e mbulojnë dosjen e tyre të zezë. Ata kanë arritur një qëllim: të institucionalizojnë idiotësinë dhe ta shumëzojnë si baktere.
Por ata urrejnë të sfidohen në publik. Një idiotokraci e rrezikshme në rritje.
Një shoqëri pa idiotë është një shoqëri e lirë, e këndshme, simpatike, refleksive, spontane, e kristalizuar.
Guri i diamantit kur lëviz krijon përthyerje rrezesh dhe konglomerat ngjyrash.
Ndërsa idiotësia kur lëviz shkakton një moçal të ndytë në të cilin e detyron shoqërinë të rrëshqasë dhe të fundoset.
Paradigma që duhet ta ndërtojmë: të qëndrojmë larg idiotëve dhe të mos u japim atyre pozicione të rëndësishme akademike në shoqëri.
E nëse ata i kontrabandojnë pozicionet, të mos i bëjmë të ndihen të rëndësishëm në to./EPIQENDRA.COM