A janë patriotët e rrejshëm hajdutë të fshehur?

Epiqendra
By
27 Min Read
27 Min Read

Shkruan: Labinot Kunushevci

A e dini ju cila është lufta më e madhe që bëhet sot? Lufta për bajraktarizëm. Lufta se kush është patriot e kush është tradhtar. Por kush i përcakton heronjtë dhe tradhtarët e një vendi?

Ne ende jemi një shoqëri e odave, sharkive, folklorit, valleve, tallavasë, flamujve, simboleve, ceremonive, retorikave, kuvendimeve, gjyqeve tradicionale, anekdotave, heronjve, miteve, legjendave, kullave, nderit burrëror, kanunit, pushkës, partive e pushteteve. Jemi në gjendje ta japim jetën për to. Por nuk japim jetën për shtetin, nuk japim jetën për interesin publik, nuk japim jetën për komunitetin.

Në kohën e okupimit, kur patriotizmi ka reflektuar elemente arsimore apo kur ka ardhur nga mobilizimi i shkollave dhe i universitetit, institucioneve kulturore, qendrave, instituteve e organizatave, elitave intelektuale e mediave, është trajtuar si rrezik nga okupatori serb. Sepse kjo ka pasur efekte reale mobilizuese antikoloniale. Kënga dhe bisedat në oda, si shprehje e frustrimit, kanë qenë në nivelin ceremonial, emocional dhe simbolik konsumues, madje folk-patriotizmi i ka konvenuar regjimit të kohës, sepse është parë si zëvendësim i potencialit, revoltës dhe reagimit intelektual, shoqëror dhe politik.

Ky është koncepti primitiv i instaluar: patriot është ai që i shërben partisë, jo shtetit!

Çfarë patriotë janë ata që tradhtojnë idealet e një vendi, që i tradhtojnë njerëzit dhe mbështetësit që u ndihmuan të vijnë në pushtet apo në krye të partisë?

E kur tradhtarët na mbajnë leksione për patriotizmin dhe mbajnë monopolin e patriotizmit, ç’të presim prej tyre? Do të duhej t’u këndohej kënga e turpit brez pas brezi, e jo të shpallen patriotë dhe dëshmorë të telave të sharkisë.

Janë puthadorë, këpucëlëpirës, dinakë, dallaveraxhinj, dredharakë, tinëzarë dhe gjahtarë, që me mjeshtërinë e sqepave të skifterit, plaçkitin shpresat e njerëzve, për t’u futur edhe në arkat dhe gjepat e tyre, që drekojnë pa brekë e darkojnë milionerë, duke përtypur nëpër nofulla e duke lëvizur si gjarpri nën gjuhë. Ata gjëmojnë për pushtet, neve na duket se për popull rënkojnë. Janë rrëmbyes të aksioneve, monopoleve, resurseve, tenderëve, donacioneve e subvencioneve, që pa fijen e turpit nuk mërziten kur paratë e popullit digjen.

Gjithë ditën me retorikë në gojë duke sharë Serbinë, por duke harruar që në frigoriferët e shtëpive mbajnë produkte serbe, i ushqejnë fëmijët me to dhe i arsyetojnë se janë më cilësore. Çfarë patriotizmi është ky?

A mund ta imagjinoni sa pëlqime mund t’i marrë një fotografi e publikuar e një patrioti të rrejshëm folklorist, i cili mund të jetë një këngëtar, aktor, humorist etj.? Sigurisht se me mijëra! Ndërsa një intelektual, studiues, shkencëtar, që ia hap sytë shoqërisë dhe e çliron nga mpirja e të menduarit, nuk merr as sa 1/10 e tij, as nuk e gëzon as për së afërmi mbështetjen sa të tij.

A mund ta imagjinojmë një shoqëri që vjedh bashkë me elitën e saj politike, intelektuale e administrative? Se nuk ma merr dot mendja se një shoqëri që ka politikanë të korruptuar, nuk është edhe vetë pak hajdute. Sepse një shoqëri e pastër nuk voton elitë të ndyrë.

Ne nuk e njohim sistemin e kapitalizmit, as nuk i përshtatemi atij, madje abuzojmë me të. Përpiqemi ta ndjekim doktrinën neoliberale të tregut të lirë si model të zhvillimit ekonomik, të cilin e kemi marrë nga vendet perëndimore. Por a na ka varfëruar apo na ka pasuruar më shumë kjo doktrinë? Kush i krijoi monopolet e oligarkëve? Kush e dobësoi shtresën e mesme duke e rritur hendekun mes shtresës së varfër dhe shtresës së pasur? Shikoni vendet e tjera që kanë bërë dhjetëra e qindra vite proces zhvillimi, derisa kanë ardhur te kapitalizmi, ndërsa ne e kemi përqafuar këtë sistem sa hap e mbyll sytë.

Gati nuk ka lagje pa së paku një shtëpi që nuk e vjedh rrymën. Kur përfitojnë një subvencion nga shteti, një produkt që në treg, për shembull, kushton 500 euro, e faturojnë 1000 euro. S’i kursejnë nga plaçkitja as dyqanet, bizneset apo bankat. Kur zihen ngushtë apo kur ushtrojnë autoritet, ofrojnë dhe pranojnë ryshfet. Kur aplikojnë për një vend pune, tentojnë ta blejnë komisionin, apo si anëtar komisioni shohin kush po ofron më shumë, sepse e pranojnë rregullin se “çfarë nuk kryhet me para, kryhet me më shumë para”. Të mos flasim për blerjen dhe shitjen e temave të diplomave, blerjen e notave dhe dhënien e provimeve, që e bëjnë ashiqare. E sherri i vjedhjes dhe korrupsionit, pasurimit të paligjshëm, ka filluar t’u hyjë edhe atyre që na shiten si qytetarë të devotshëm apo përfaqësues fetarë. Po, kishte shumë të drejtë miku im, redaktori i librit tim sociologjik “Pasionet e Idiotëve”, kur në një bashkëbisedim me të, në një nga kafenetë e Prishtinës, më 5 prill 2025, nga indinjata e tij e thellë, më tha: “A ka mbetur ndonjë person që ia do të mirën këtij vendi?!”

Me ekzaminues dhe instruktorë të korruptuar, për një pasdarke pajisen me patentë shoferi! Kur edhe votën e shesin për një thes miell! E kur është fjala për interesat e tyre, e mashtrojmë konsumatorin në shitje. E vjedhin dhe e manipulojnë klientin kur ia shesin 8 metra dru për 10. E si pronarë biznesesh, në produktet që kushtojnë 1.98 euro apo 1.99 euro, i detyrojnë arkëtaret të mos ua kthejnë konsumatorëve 1 e 2 centë apo i detyrojnë kamerierët të mos u japin klientëve kuponë fiskalë. Qytetarët janë të vjedhur edhe nga kompanitë e platformave digjitale televizive. Kur ne dalim në tregun e veturave, gjejmë vetura të maskuara, me pronarë veturash që rrejnë, që ua zvogëlojnë kilometrat. Kur vjen puna te përfitimi i ndonjë sigurimi shëndetësor, asistence sociale apo subvencionimi nga shteti, i korruptojnë edhe mjekët, që t’i diagnostikojnë si të paaftë për punë e me probleme shëndetësore. Dyshohet se edhe vetë disa mjekë janë inkriminuar në skandalet e stentave duke vjedhur mbi kurrizin e njerëzve me probleme shëndetësore, ndryshe nga shumica e mjekëve që janë modeli më i mirë i një profesionisti të kompletuar në aspektin profesional dhe etik. Disa mjekë, në vend se të mbajnë qëndrime kritike, janë bërë instrumente të industrisë së farmacisë duke përshkruar terapi jo për ta shëruar pacientin, por për ta mbajtur nën tretman farmaceutik sa më gjatë.

A mund ta merrni me mend sa shumë është investuar në Kosovë? Sa para që nga paslufta kanë hyrë përmes donacioneve të organizatave dhe të institucioneve të huaja? Sa para kanë hyrë nga mërgata shqiptare gjithandej? Sa miliarda buxhet kemi krijuar nga taksat e qytetarëve? Sa xehe dhe resurse ka Kosova? Sa projekti “ka lulëzuar” në letër dhe në transaksion, ndërsa në realitet askund? Si është e mundur të jemi kaq të varfër, ose më mirë të themi, kaq të vjedhur?

Me këtë standard korrupsioni, jo pak kanë blerë edhe statusin e veteranit të luftës.

E disa kanë shkuar aq larg me marrëdhënien e tyre me krimin, saqë edhe kanë shitur materialet e tyre gjenetike për t’u përdorur jashtëligjshëm në fekondimet artificiale të disa spitaleve që duan “t’i gëzojnë” me fëmijë çiftet që kanë telashe në fertilitet dhe nuk kanë ndjekur shembullin e shumicës së spitaleve që respektojnë ligjin dhe që janë jashtëzakonisht korrektë me pacientët.

Hipokrizia është e përhapur si viruset. Atë e shohim edhe në rastet kur një person hyn në sallën e operimit, ndërsa familja apo miqtë e tij në vend se të diskutojnë për mundësitë e mbështetjes së pacientit apo në vend se t’i luten Zotit që operimi të kalojë me sukses, qëndrojnë në oborrin e spitalit ose në korridoret brenda tij duke biseduar tema krejtësisht të kota që nuk lidhen me shëndetin apo fatin e pacientit që ka prioritet.

Ngjashëm veprohet në ceremonitë mortore, në atë që populli e quan “E pamja”, ku njerëzit bisedojnë për kotësi, për biznes, për përfitime materiale, për sport, për ngjarje të ndryshme, për politikë dhe politikanë, por më së paku bisedohet për nderin dhe respektin ndaj të vdekurit.

Aq më pak të përkujtohen të mirat e personit që ka ndërruar jetë, aq më pak të bëhen lutje për të vdekurin, aq më pak të përmendet Zoti. Madje disa e përbuzin Zotin dhe fenë edhe në këto tubime. Me një rast, në korrik të vitit 2024, nga një bisedë dhe qasje me një kushëri timin, u frymëzova të shkruaja për islamofobinë, temë kjo e cila tani gjendet brenda këtij botimi.

E disa të tjerë, në vend se t’i bashkëngjiten ritit të faljes së namazit për të ndjerin në shenjë nderimi e lutjeje për të në ceremoni varrimi, ata përzgjedhin të rrinë inferiorë, duke shikuar si të ishin “huta” ose si jashtëtokësorë të sapoardhur në botën njerëzore, që nuk dinë se çfarë po bëjnë të tjerët. Dhe jo vetëm, por rrinë duarkryq, pinë cigare, bëjnë shaka dhe muhabete të kota, teksa zhvillohet namazi për të vdekurin, gjersa i jepet lamtumira e fundit, gjersa zhvillohet një komunikim hyjnor.

Ku është respekti për të vdekurin këtu? Ku është patriotizmi këtu? Ku është vlera e ngushëllimeve për të vdekurin këtu? Ku është respekti për familjen e të ndjerit? Janë ngushëllime artificiale dhe hipokrite, asgjë më shumë.

Ata që nuk janë në gjendje të më nderojnë me përshëndetjen e fundit përmes namazit, në ditën që do të varrosem, nesër, pasnesër apo pas 100 vjetësh, nuk do të doja të merrnin pjesë në varrimin tim, sepse inferioriteti i tyre nuk më bën nder. Ata që nuk dinë të ma kushtojnë një lutje të veçantë te Zoti, sa për “një minutë heshtjeje” apo “ngushëllime”, më mirë të mos më vijnë në lamtumirën e fundit.

Patriotët e rrejshëm, si hajdutë të fshehur, vjedhin në lloj-lloj projekti publik: vjedhin në libra, vjedhin në përmendore, vjedhin në barna, vjedhin në rrugë, vjedhin në komisione, vjedhin në pastrimin e mjedisit, vjedhin në dhënien e çmimeve, vjedhin në ndihma humanitare, vjedhin në donacione dhe në subvencione, vjedhin nga të varfrit, vjedhin nga shkollat, vjedhin nga personat me nevoja të veçanta.

Për t’i hapur rrugë vetes, u japin para sigurimit tek dera e spitalit, zyrtarëve në administratë, policëve në trafik. U dërgojnë dhurata mësuesve dhe arsimtarëve në shkollë për t’i bërë më “dorëlirë” ndaj fëmijëve të tyre. Falsifikojnë lloj-lloj dokumenti vetëm për të krijuar identitete apo statuse të rrejshme me qëllim përfitimin.

Prandaj pyes sinqerisht: Pse nuk kemi një kulturë të denoncimit publik të shkeljeve, të veprave penale, të skandaleve, të mashtrimeve e krimeve? A mos ndoshta që jemi të gjithë të përlyer?

Kjo është fytyra e vërtetë e patriotëve të rrejshëm, që gjithë ditën vjedhin, gjithë ditën shiten si patriotë, gjithë ditën marrin urime dhe komplimente, gjithë ditën përfitojnë privilegje dhe krekosen me arritje, ndërsa gjithë natën vajtojnë.

Një hipokrizi neveritëse e vërejmë tek ata idiotë, që me prindërit apo me bashkëshortët e tyre sillen me arrogancë, ndërsa shefit të partisë dhe punëdhënësit ua “lëpinë” atë që s’thuhet.

Sa lehtë është të jesh “patriot” në shtëpi, duke pirë çaj, duke shikuar televizor dhe duke bashkëbiseduar me miq e familjarë. Në tubimet familjare të gjithë i shesim patriotizëm dhe trimëri njëri-tjetrit. Njësoj si në rrjete sociale, jemi shumë “bombastikë”. Por kur organizohet një protestë për cilësinë dhe kushtet e jetës që e prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarit, edhe të atij qytetarit të kamufluar patriot, aty vërejmë pak patriotë të vërtetë. Ata që nuk dalin në protestë, nuk kanë të drejtë të ankohen. Sepse ne nuk e njohim fuqinë tonë, fuqinë e qytetarit në demokraci. Nuk e njohim as vetë demokracinë, e cila na e ka dhuruar protestën si instrument të shprehjes së pakënaqësisë. Nuk i bashkohemi protestës, aksionit, ndërmarrjes, projektit që tenton të ndryshojë diçka. Në terrene dhe përvoja reale jemi inferiorë, ndërsa në biseda private jemi “revolucionarë”. Sa hipokrizi! Sa vrastare, sa mpirëse është kjo “Zona e Rehatisë”. Të dehur pa alkool!

Sa ironike dhe paradoksale kur lexojmë lajme për një të sapoburgosur për krime të rënda, e kanë rrahur të burgosurit që po vuajnë dënimin për të njëjtën vepër, në shenjë “hakmarrjeje”! Kjo është hipokrizia e patriotëve të rrejshëm, kur edhe krimineli i burgosur “solidarizohet” me viktimat e të burgosurve tjerë.

Para se ta vjedhin njëri-tjetrin, patriotët e rrejshëm vjedhin ndërgjegjen dhe shpirtin e tyre, tradhtojnë dhe rrejnë vetveten, për ta mbytur dhe zhdukur mekanizmin e turpit.

Idiotët janë të pasionuar pas shpenzimeve të kota luksoze, pas jetës së shfrenuar materialiste, pas shkapërderdhjes së pasurive dhe kapitaleve që i fitojnë, derisa janë në gjendje t’u japin sa e sa dhurata “bakshishe” njerëzve jomeritorë, sidomos femrave ekstravagante dhe të përdala, që shuajnë epshet e tyre kafshërore, por nuk e kanë as idenë të japin ndonjë cent për bamirësi a të investojnë në edukim, në ndonjë projekt fondacioni. A po mendoni se ata që shpenzojnë në diskoteka janë patriotë?

Jo, jo! Patriotë të vërtetë janë ata që paguajnë taksa; ata që mbështetin me bursa studentët e talentuar duke themeluar fondacione; ata që zhvillojnë biznesin e tyre në mënyrë korrekte; ata që sillen drejt me punëtorët; ata që u ndihmojnë kategorive në nevojë; ata që kujdesen për mjedisin; ata që përpiqen për ndërgjegjësimin e qytetarëve; ata që zhvillojnë kampanja publike; ata që bëjnë punë vullnetare; ata që investojnë në ide dhe projekte; ata që lidhin bashkëpunime me organizata, institute dhe shoqata; ata që e mbajnë publikun të informuar drejt duke ua kumtuar lajmin e vërtetë. Nuk janë maniakët e rakisë më patriotë! Asnjëherë!

Kur flasim për paradat e homoseksualizmit, siç po i quajnë ata “Parada e krenarisë”, atëherë le ta quajnë si të duan, është e drejtë e tyre, le të krenohen me çka të duan, është e drejtë e tyre, por jo edhe t’i indoktrinojnë fëmijët në shkolla përmes teksteve shkollore, përmes atyre fotografive propagandistike ku shfaqet “çifti me dy burra të buzëqeshur” dhe “çifti me dy gra të buzëqeshura”.

Homoseksualët vërtet përdorin instrumentin e imponimit dhe të abuzimit me të drejtat e njeriut, për ta përdorur viktimizimin si mjet për arritjen e privilegjeve dhe superintegrimeve në shoqëri, tërësisht në mënyrë jo të balancuar me të drejtat e të tjerëve. Me këtë propagandë dhe me këtë agresion kulturor po ua dhunojnë trurin dhe po ua fyejnë inteligjencën heteroseksualëve.

Autori dhe studiuesi Brenton Kotorri shpjegon shumë qartë logjikën e mbrapshtë të homoseksualëve, fillimisht duke treguar se në shkencat sociale, një fenomeni X i shtohet prapashtesa -ist, për të treguar anën politike të tij dhe për rrjedhojë i shtohet epitetit të një individi, i cili dëshiron ta promovojë fenomenin politik. Për shembull: liberal – liberalist, postmodern – postmodernist, paqe – pacifist etj. Kështu, edhe në rastin e homoseksualëve, duhet ta ndajmë fenomenin e homoseksualitetit nga fenomeni i homoseksualizmit. Kjo, pasi homoseksualistët janë mbështetësit e homoseksualizmit dhe ata që kërkojnë ta promovojnë, ndërsa homoseksuali është ai që jodomosdoshmërisht dëshiron ta bëjë çështje të politikës këtë karakteristikë të veten. Teksa kaloja një ditë në një kryqëzim të “Bllokut”, qendrës dinamike të Tiranës – thoshte Kotorri, më ndali një pemë, e cila më foli shumë fuqishëm. Në pemë ishte ngulur një tabak që thoshte: “Homofobia është sëmundje!”. U trondita! Ajo ishte pastër një punë e homoseksualistëve, dhe jo domosdoshmërisht e homoseksualëve. Pak ditë më parë lexova se ata duan ta bëjnë sërish një paradë “gay”. Mirëpo, për fatkeqësinë e homoseksualistëve, ka edhe njerëz që lexojnë në këtë botë dhe kujtdo që do të ishte aty, do t’i kujtohej “1984” e George Orwell. Në këtë roman-traktat përshkruhet një diktaturë e shkallës më të egër, e cila përdorte 3 slogane kryesore: “Lufta është paqe”; “Liria është skllavëri”; “Injoranca është forcë”. Në rrëfimin e këtij romani, këto slogane ku qartazi duket jo vetëm artificialiteti i barazimit, por mbi të gjitha absurditeti logjik, përdoreshin si teknika për shpëlarjen e trurit. Literatura politike na mëson se rregulli numër një i diktaturave është ribërja e logjikës. Atë që komunizmi e quante “njeriun e ri socialist”, pra një individ, i cili i mposhtë instinktet natyrore dhe arsyen e vet dhe verbërisht i beson vetëm sloganeve të partisë… Praktikisht “Homofobia është sëmundje” implikon se homoseksualizmi është shëndet shoqëror. Kështu në të pavetëdijshmen tonë, të publikut, na nxitet ideja se homoseksualizmi është jo vetëm diçka normale, por madje edhe e shëndetshme. Epoka tradicionale e krijoi Evropën si qytetërimin që jetonte me sistemin e gjykimit “Ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar” dhe ky qytetërim, pas iluminizmit, përqafoi një sistem të ri gjykimi, utilitarizmin: “Ç’është e leverdishme dhe  ç’është  e paleverdishme”. Që me revolucionin seksual të viteve 1960, na kanë çuar drejt një epoke të re: “Ç’më pëlqen dhe ç’nuk më pëlqen”. Ky sistem i fundit referimi e eliminon fare edhe logjikën e të gjykuarit, pasi fut në lojë sloganin “Shija është subjektive dhe për rrjedhojë askush nuk duhet të gjykojë askënd kur gjithkush bën ç’t’i pëlqejë”. Kjo shoqëri, ku nuk do të kishte as turp, as përgjegjshmëri, as ndërgjegje, as racionalitet dhe as ndjenja intime, është edhe ëndrra e homoseksualistit. Duke kërkuar që të ndjekë asgjë tjetër veçse dëshirat e veta me çdo kusht, homoseksualisti i kërkon shoqërisë tolerancë dhe pranim. Kur shoqëria nuk ia jep këtë, atëherë – thotë Kotorri – ai e shndërron veten në viktimë. Po jetojmë në një shoqëri ku grupe të caktuara që vuajnë nga kriza e identitetit dhe komplekse të pashëruara duan me çdo kusht të bien në qendër të vëmendjes. Kështu është prodhuar diskursi dhe vëmendja publike për homoseksualizmin si orientim seksual dhe jo si sjellje seksuale. Homoseksualizmi duhet të respektohet si intimitet i njerëzve derisa ai mbetet si i tillë në sferën private, sepse duhet të jetojmë me parimin e së drejtës individuale në demokraci.

Problemi nuk vjen nga homoseksualët, por nga homoseksualistët, të cilët e kanë shndërruar dhe promovuar atë si fenomen politik – homoseksualizëm përmes paradave dhe aktiviteteve të tjera publike.

Parada e homoseksualistëve është vetëm një mjet propagandistik dhe ideologjik. Ata i keqpërdorin edhe simbolet e vlerat kombëtare, përmes fotografive dhe pankartave, për të krijuar narracionet e tyre të cilat ua shpëlajnë trurin dhe u krijojnë iluzione të rinjve. Tendencën në rritje të adoleshentëve për “t’u solidarizuar” me homoseksualistët e shoh si ikje nga realiteti. Por pse kritika sociologjike duhet të shpallet homofobi apo mentalitet primitiv? Ajo nuk përmban dhunë, linçim dhe fyerje. Është thjesht debat.

Pse duhet të kenë pranushmëri publike të imponuar? Pse duan sensacion? Në anën tjetër, gjykimi i tyre ndaj kritikëve të homoseksualistëve si sëmundje homofobike është barazim artificial dhe absurditet logjik, është teknikë për shpëlarjen e trurit në opinionin publik të atyre që verbërisht besojnë në slogane dhe në maksimalizimin e lirisë individuale pa konceptin e përgjegjësisë dhe pa ato që ata i quajnë si “iluzione”: Zoti, ndërgjegjja, familja, komuniteti, nataliteti, solidariteti, përgjegjshmëria, morali etj.

Sipas Kotorrit, ata nuk mund ta kuptojnë pse njeriu e ruan intimitetin, pse ka ndjenja personale, pse ka ndërgjegje, pse ka racionalitet, pse e ruan dhe e kultivon me fanatizëm institucionin e familjes. Në pikëpamje të autorëve që kanë trajtuar këtë fenomen, homoseksualistët më shumë e duan sendëzimin e njeriut, kur ai bëhet objekt apo send që shfaq komplet qenien e brendshme intime dhe më nuk funksionon si qenie shoqërore, por si qenie të përbashkëta, sepse asgjë nuk mbetet ekskluzive në arsyetimin edhe të shijes subjektive ku çdokush bën çfarë të dojë dhe gjithçka bëhet e të gjithëve. Dhe jo vetëm, por ata mbështetin, frymëzojnë dhe promovojnë edhe surrogacinë, ndryshimin e gjinisë, fekondimin artificial nga çifte që s’janë të martuara dhe dukuri të tjera devijuese kulturore sociologjike.

Kështu, me këtë lloj feminizmi radikal e fanatizmi gjinor, ata abuzojnë me barazinë dhe e shfaqin krizën e brendshme të thellë të sistemit të vlerave të cilin e kanë çekuilibruar.

Mirë, po heshtim! Nuk po i kritikojmë homoseksualistët! Ata prapë do të kërkojnë më shumë, të jenë në qendër të vëmendjes, të faktorizohen, të infiltrohen, ta çojnë përpara agjendën e tyre problematike, të provokojnë. Nuk u mjafton rregullimi i lejimit të martesës me Kodin Civil. Agjenda dhe propaganda e tyre, viktimizimi, nuk është për shkak se shoqëria nuk po ua jep atë që u takon (homoseksualitetin si intimitet i sferës private që duhet respektuar), por se shoqëria nuk po i lejon të bëjnë çfarë të duan (homoseksualizmin – si fenomen politik në sferën publike që s’duhet toleruar).

Këtu kemi një dallim thelbësor ndërmjet krenarisë patriotike e humane dhe krenarisë servile alla-homoseksualizëm.

Unë krenohem me policinë dhe ushtrinë; krenohem me të gjithë ata qytetarë që paguajnë taksa dhe e mbrojnë interesin publik; krenohem me të gjithë mësimdhënësit, gazetarët, biznesmenët, sportistët, shërbyesit dhe mjekët e devotshëm; krenohem me të gjithë ata filantropë dhe donatorë të bursave të studentëve elitarë; krenohem me mërgatën shqiptare që e ruan identitetin shqiptar dhe kontribuon në vendlindje; krenohem me të gjithë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut pa u indoktrinuar në agjenda të huaja, pa e luajtur rolin e viktimës dhe pa u serviluar ndaj ambasadave për hir të “reputacionit”; krenohem me të gjithë ata inspektorë që nuk korruptohen, as shantazhohen e as frikësohen, duke e kryer punën me dinjitet; krenohem me çdo familje që me sakrificë rrit dhe edukon fëmijë duke u krijuar atyre vetëdije qytetare, kulturore, institucionale, shtetërore dhe fetare; krenohem më të gjitha ato personalitete të fuqishme që nuk u nënshtrohen idiotëve; krenohem me elitën e vjetër që kanë lënë gjurmë në ndërtimin e identitetit tonë dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive; krenohem me të gjithë punëdhënësit dhe novatorët e rinj që duan të çojnë përpara projekte premtuese; krenohem me ato familje që kanë dhënë më të dashurit e tyre për lirinë dhe lumturinë tonë.

Ndërsa elitat dhe organizatat e rrejshme, servile, oportuniste, frikacake, paranojake, me kompleksin e inferioritetit, le të krenohen me çka të duan, por nuk është se na bindin që janë më patriotë se ne./EPIQENDRA.COM

Share This Article