Rast jashtëzakonisht i rrallë që babë e bijë të sfidojnë veten në një ndërmarrje të guximshme, ngjitjen më të shpejtë në Seven Summits, shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve të botës. Dhe për këtë sukses, Mrika dhe Arianit Nikçi, tashmë janë pjesë e Librit të Rekordeve Guinness.
“Ata realizuan këtë sfidë për një vit dhe 202 ditë, prej datës 25 janar 2018 e deri me 15 gusht, 2019. Ky vlerësim botëror konfirmon arritjen e jashtëzakonshme të dy alpinistëve shqiptarë, të cilët brenda vetëm kësaj periudhe kohore ngjitën majat më të larta të çdo kontinenti: Everest, Aconcagua, Denali, Kilimanjaro, Elbrus, Carstensz Pyramid dhe Vinson Massif. Ky është një moment historik për Kosovën dhe shqiptarët, pasi për herë të parë emri i vendit tonë vendoset në Librin e Rekordeve Guinness për një arritje të këtij niveli në sportin ekstrem të alpinizmit. Ky rekord është një dëshmi e fuqishme e potencialit dhe vlerave që populli shqiptar përfaqëson në botë. Mrika Nikçi u bë gjithashtu femra më e re në botë që ngjiti këto maja, ndërsa Arianit Nikçi udhëhoqi këtë rrugëtim si alpinist dhe prind i përkushtuar. Së bashku, ata kanë dëshmuar se ëndrrat bëhen realitet përmes guximit, disiplinës, përkrahjes familjare dhe dashurisë për natyrën”, thuhet në njoftimin e Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës./EPIQENDRA.COM
