Kush po u jep kaq vetëbesim analistëve në media?

Epiqendra
By
11 Min Read
11 Min Read

Shkruan: Labinot Kunushevci

Pas një dite të lodhshme pune, kur kthehemi në shtëpi, ende pa pushuar mjaftueshëm, kur mendja dhe truri ynë dëshiron të çlirohet e të relaksohet, ne ndezim televizorin në mbrëmje dhe, çfarë shohim: fantazma ekspertësh në pamjen e njeriut, me një gjuhë mjaft konspiruese e me një zhurmë të kalamajve. Si një supë helmuese propagandistike, që na bën të vjellim nga era e saj sapo të na shërbehet, ende pa e shijuar.

Pak prej tyre kanë fuqi intelektuale për të krijuar opinion të drejtë. Janë masakrues të opinionit publik. Duke u munduar të paraqiten si referencë për ngjarjet aktuale, si ekspertë të kolltukëve, me rehatinë nga distanca, janë shndërruar në mall tregu. Tregtohen dhe kuantifikohen shumë lehtë si produkte konsumi. Janë bërë si makinat e shkrimit që kanë dalë jashtë përdorimit.

Vini re!

Shoqëritë e emancipuara prodhojnë shkencëtarë, novatorë, prodhues, zbulues, shpikës, investitorë, specialistë, ekspertë, ndërsa shoqëritë, që i ka shkelur rrota e historisë e u është ndalur ora sociologjike – me akrepa që punojnë mbrapshtë, prodhojnë analistë, mendimtarë, opinionistë – jo opinione shkencore të specialistëve kompetentë, por specialistë jokompetentë të opinioneve populiste.

Janë shumë në numër, ku gati secili televizion i ka analistët autoktonë dhe elitarë, që rregullisht me ta zhvillojnë debate patetike, me një diskurs shumë të pa disiplinuar e të konfiguruar me dogma politike dhe ideologjike – jo për të debatuar apo për të edukuar publikun, por për të shkaktuar spektakle, që argëtojnë audiencën, kuptohet me përjashtime. Sepse e gjithë analiza që ata ndërtojnë është një aventurë kozmetike, të cilët, deri dje loznin para lagjeve të tyre, ndërsa për një kohë të shkurtër se ç’u erdhi një “forcë mbinatyrore” e u bënë shpëtimi i shoqërisë.

Mënyra se si i mbajnë qëndrimet publike dhe u qasen temave, thuajse janë duke dhënë opinion për problemet e vendeve skandinave, ku problemi më i madh i qytetarëve të tyre është lartësia e një trotuari për t’u përshtatur gjunjëve të të moshuarve. Dhe nuk e kanë as aftësinë më të vogël për të ofruar zgjidhje konkrete për problemet reale. Dhe cili në fakt është qëllimi i tyre: ofrimi i zgjidhjeve për qytetarin apo hutimi i qytetarit?! Dhe në fund të debateve, spektatorët e një debati, në vend se të debatojnë për argumentet apo tezat e analistëve profesionistë, ata përfundojnë duke debatuar për karakteristikat individuale të analistëve, për aftësitë e tyre të mundjes, piskamën, nervozizmin, akuzën, shantazhin, gjuhën provokuse, gjuhën e trupit etj.

Analizat e tyre shterpe nuk bazohen në gjendjen reale në të cilën gjendet Kosova, por në bazë të gjendjes reale në të cilën gjenden vetë analistët, ku për bazë marrin luksin dhe rehatinë e tyre shoqërore, ku “Comfort Zone” bëhet perspektiva e gjykimit dhe jo mesatarja e shoqërisë. Kështu ata për një çast bëhen naivë duke menduar se Kosova është ajo që ata kanë në shtëpi, në familje, në shoqëri dhe në punë, pra nuk e shohin Kosovën përtej hundëve të veta, përtej oborrit të vet. Pra, nëse analistët janë rehat, mendojnë se edhe Kosova është rehat. Analistët nuk duhet të gjykojnë siç gjykojnë politikanët, pra duhet të dalin përtej “mainstream”-it politik.

Konfigurimi i përfytyrimeve tona për elitat është i gabuar. Kemi krijuar tallava elita, që kënaqin turmat e hiçave, nga kopshtet ku rritet bima e farës së idiotëve, që në media flasin çka u pjell fantazia. 

Një paraqitje e tyre sa për t’u bërë të përhershëm, të zëshëm, të dukshëm, të dominuar, të përmendur e të njohur, në emisione debatuese, të cilat nuk bazohen në asnjë të dhënë apo hulumtim të kryer shkencor. Nuk është konkurrencë e debateve mes televizioneve, por është konkurrencë e spektakleve banale dhe e diskutimeve vulgare.

Sa më i lartë banaliteti, sensacioni është më i ndezur, kureshtja është më e provokuar dhe skandali është më i shpërthyer – pa harruar që kanë kapërcyer nëpër shumë parti politike e organizata të ndryshme, pozicione e statuse, duke i provuar të gjitha, duke vjelë e zhvatur, duke anatemuar e diskredituar kudo e këdo, duke asimiluar çdo vlerë, premisë a standard etik a profesional të një analize të pavarur shkencore. U mungon këndvështrimi dhe imagjinata sociologjike, psikologjike, kulturore dhe diplomatike e trajtimit të temave për të cilat ftohen, dëgjohen, lexohen e paguhen.

Për pasojë, përhapin gjuhë të urrejtjes, të jotolerancës, të dhunës dhe pozicionohen në mënyrë hermetike të kundërt ndaj çdo mendimi ndryshe, duke e vrarë demokracinë që në hyrje të emisionit.

Me shumë vetëbesim e gjuhë konspiruese, guxojnë të sfidojnë dhe të refuzojnë teoritë e shkencëtarëve të njohur, që janë referencë për një botë të tërë akademike. Nuk njihen për ndonjë kontribut aktiv në shoqërinë civile, kur papritmas, si kërpudhat pas shiut, dalin në media si panel diskutimi dhe afirmohen shpejt si ekspertë. Të njëjtët ishin shërbëtorë të devotshëm të ish-sistemit komunist dhe të regjimit kriminal okupues, ndërsa sot, të maskuar, fshihen si mendimtarë liberalë dhe demokratikë.

Një pafytyrësi që shpëlahet vetëm në media.

Emisionet ku ata zënë vend shndërrohen në një hallakamë mendimesh pa mend, ku të gjithë përnjëherë flasin e askush askënd s’e dëgjon. Në një kakofoni dhe intonacion neveritës, që ndotin hapësirën mediale si tymi i oxhaqeve, me gjuhë të bastarduar me barbarizma, me sllavizma e me turqizma, të çakorduar dhe mjaft patetikë në debat. E rëndësishme që ata ta ushqejnë mllefin e tyre deri në mbingopje. Të pa artikuluar dhe pa koncept. Si të paturpshëm që janë, kërcënojnë dhe ofendojnë njëri-tjetrin në emision.

Gjatë emisioneve të drejtpërdrejta, pas tensionimit të debatit, ftojnë njëri-tjetrin për qërimin e hesapeve pas emisionit.

Mendimet e tyre shthurëse janë si fjalët e shkarravitura, janë biseda kafexhinjsh, që shpeshherë moderatorët i vendosin në një pozicion të vështirë, gati të pamundshëm, për t’i menaxhuar dhe kontrolluar, për shkak të “tërbimit intelektual” të shpërthyer në konflikte personale.

Ata hyjnë në debate televizive si dikush që lëshohet me parashutë të prishur nga një lartësi. Por si përfunduan analistë dhe ekspertë? Nga perspektiva intelektuale mbetet një mister.

Sfidë e vërtetë është udhëheqja e një institucioni. Analistët nuk udhëheqin asgjë, ata vetëm llomotitin. Po luftrat kush i bën, analistët? Pse ekzaltohen aq shumë pra?

Ata synojnë kultin, sulmojnë lidershipin. Kur flasin, adhurojnë veten. Me talentin e tyre mediokër, ata kanë më shumë ambicie: të bëhen këshilltarë politikë të qeverisë – jo për ta këshilluar drejt, por me deklarata histerike e këshilla destruktive, ta mbajnë qeverinë peng dhe viktimë të shkollës së tyre ideologjikisht kriminale dhe fataliste. Këta prototipa të degradimit të mendimit kulturor e intelektual i ka prodhuar dhe legjitimuar një shoqëri e konsumit, e cila produktet banale, si mallra surrogate, i ka standardizuar në vlera.

A mund të gjeni universitete prestigjioze publike në botë që emërtohen me emra të personaliteteve e të figurave historike, siç mund të gjeni në vendet post-koloniale?

Gjithmonë kur ka tema të ndjeshme kombëtare, fetare e politike, ata janë aty për t’i hedhur zjarrit benzinë duke polarizuar.

Një zjarri të ndezur fort, për të shkatërruar gjithçka që është ndërtuar me pedanteri e përkushtim, gjithçka që i takon trashëgimisë e historisë.

Duke përfunduar analistë, që në këmbim të asgjësë, të së kotës e të idiotësisë, marrin mëditje të majme, për ata minuta të shtrenjtë të jetës që ua vjedhin qytetarëve. Janë rrëmbyes të vlerave të huaja, që i ka mbuluar llumi i bashkëdyzuar me poshtërsi, ndonëse trumbetojnë gjithmonë narrativ moralizues.

Një anomali tjetër idiote janë emisionet televizive sportive, sidomos gjatë kampionateve dhe olimpiadave, në të cilat ftohen njerëz që s’kanë lidhje me sportin, sidomos me futbollin, për të diskutuar për të. Nuk ftohen ekspertët e denjë e të rryer të futbollit, që kanë përvojë e që e njohin në detaje trashëgiminë, strategjitë, teknikat, principet dhe evoluimin e futbollit apo të klubeve/kombëtareve. Ndryshe prej vendeve, që janë djep i sportit, në të cilat nuk mund të ftohesh për të diskutuar për një kampionat nëse nuk je i rryer në një disiplinë sportive.

Për ironi, këtu shohim këngëtarë, tallavaxhinj, humoristë, politikanë, biznesmenë, tregtarë, hoxhallarë, berberë, konspiracionistë, me një kureshtje nën amatore, me vlerësime të gabuara e nganjëherë me premisa raciste, që lëshojnë fjalë si lopa bajgën, vend e pavend, teksa (b)analizojnë ndeshje të ndryshme sportive.

Prandaj disiplinimi i mendjes është suksesi më i madh, njëherësh sfida më e vështirë. Sepse vetëm atëherë mund ta kuptosh kompetencën dhe kufijtë e tu, vetëm atëherë fillon të krijosh dhe të aplikosh standarde dhe principe të larta, duke mos lejuar të futesh në skena mediale që nuk të takojnë apo që thjesht ta ulin reputacionin. Dhe kështu të ulet lakmia e djallëzuar për famë, përmbushesh dhe jeton me dinjitet./EPIQENDRA.COM

Share This Article