Mbahet konferenca shkencore “Java e Albanologjisë” në Prishtinë

Epiqendra
By
2 Min Read
2 Min Read

Më 26 maj u bë hapja solemne e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, ku morën pjesë zyrtarë të lartë institucionalë dhe drejtues të institucioneve shkencore dhe universitare.

Z. Naim Berisha, në cilësinë e nikoqirit e mbajti fjalën hapëse dhe falënderuese për të pranishmit. Ndër të tjera, ai shprehu nevojën për një qasje sa më të dinjitetshme në raport me albanologjinë, si dije për dhe rreth shqiptarëve.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i përshëndeti të pranishmit, studiuesit, profesorët dhe organizatorët e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, 16/2025. Ai vlerësoi lart albanologët dhe profesorët e nderuar shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në zhvillimin e albanologjisë.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Petrit Malaj, e çmoi shumë organizimin e kësaj konference, duke e vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve kërkimore dhe akademike nga Kosova dhe Shqipëria.

Ndërsa, sekretari shkencor i Institutit Albanologjik, z. Adil Olluri, foli për konceptin e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, prurjet dhe pritshmëritë, si dhe për botimet dhe planet kërkimore-shkencore të IAP.

Hapjen solemne e moderoi punonjësja shkencore e IAP, znj. Elza Shipoli.

Në kuadër të kësaj konference shkencore do të mbahen pesë sesione nga fushat e gjuhësisë, letërsisë, historisë, folklorit dhe etnologjisë, si dhe do të ketë diskutime të ndryshme për çështje të rëndësishme e të veçanta të kërkimeve albanologjike.

Më poshtë do t’i japim temat bosht të sesioneve që do të mbahen në këtë edicion.

I. Sesioni i Historisë: “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët nga besimet pagane te pluralizmi bashkëkohor”, 26.05.2025,

II. Sesioni i Folkloristikës dhe Etnomuzikologjisë: “Kënga si rrëfim, tekst, performancë dhe praktikë social-kulturore”, 27.05.2025,

III. Sesioni i Letërsisë: “Kritika letrare shqipe 1945-1990”, 28.05.2025,

IV. Sesioni i Etnologjisë: “Kultura shqiptare dhe etnologjia urbane”, 29.05.2025,

V. Sesioni i Gjuhësisë: “Për një leksikografi bashkëkohore”, 30.05.2025.

Aktualisht është duke u zhvilluar sesioni i parë, për të cilin do t’ju njoftojmë pas pak, thuhet në njoftimin e Institutit./EPIQENDRA.COM

TAGGED:
Share This Article