Shkruan: Labinot Kunushevci
Shoqëria jonë po rrit gjenerata sociopatësh e psikopatësh, që nuk e dinë çka është Zoti, çka është shteti, çka është ligji, çka është institucioni, çka është autoriteti prind, që nuk i dinë kufijtë dhe kompetencat e veta, që ndeshen me konfuzionin kohë dhe hapësirë, që ndeshen me konfuzione morale, të çakorduar me realitetin social, pa disiplinë dhe pa empati, që duan të arrijnë kënaqësi në kurriz të të tjerëve, pa inteligjencë emocionale e me vetëkënaqësi të tepruar, të zhytur në “Comfort Zone”.
Pra, adoleshentë që nuk dinë të dallojnë të mirën nga e keqja, lajmin e vërtetë nga lajmi i rrejshëm, propagandën nga realiteti, faktin nga opinioni, iluzionin nga shpresa.
Adoleshentët, për shkak të boshllëkut kulturor, janë të prirë të imitojnë, të idolizojnë figura publike kontroverse e radikale maskuliniste si Andrew Tate (mentalitetin dhe frymën e tij), i kamufluar nën petkun fetar. Sepse njeriu është produkt i shoqërisë, produkt i mjedisit, produkt i kulturës, nuk është produkt i racës. Dhe ai pashmangshëm ndikohet edhe nga influencerët e ndryshëm radikalë e ideologjikë të mediave që po shndërrohen në mësues, mentorë, prindër, shtet, institucion, liderë shpirtërorë dhe autoritete morale të fëmijëve tanë, të cilët i kemi lënë pa mendim kritik. Natyrisht se qëndrime si të Andrew Tate kanë një pjesë jo e vogël e shqiptarëve konservatorë primitivë. Pra, fëmijët pa strukturë, pa disiplinë, pa mekanizma të vetëkontrollit, pa rezistencë kulturore, që mendojnë si turma e veprojnë instinktivisht, pa mendim kritik, janë më të prirë të idolizojnë dhe të identifikohen me figura të famshme.
Ekziston një sindromë që shpie në adhurimin e të famshmëve dhe liderëve, Celebrity Worship Sindrome, që njihet si “idhujtari moderne e kohës së sotme”. Nëse dikur njerëzit adhuronin statuja, tani adhurojnë njerëz me ndikim. Kjo idhujtari moderne – kulti i personalitetit, është më e rrezikshme sesa adhurimi i statujave. Sepse statujat, të paktën, nuk bënin propagandë, nuk manipulonin, nuk e shpëlanin trurin, nuk indoktrinonin, nuk frymëzonin në përmbysje të vlerave. Ishte thjesht naiviteti, idiotësia dhe injoranca e thellë, e trashëguar, e njerëzve që besonin se statujat janë burim i mirëqenies apo ndërmjetësimit hyjnor. Ndërsa sot kjo sindromë është më e rrezikshëm, sepse po e përcakton sjelljen, komunikimin, mënyrën e jetesës, stilin, besimin, thjesht po e strukturon dhe modelon njeriun në krejt qenien e tij jo vetëm shpirtërore, por edhe kulturore.
Fëmijët nuk edukohen më nga prindërit që sot është “in” (e kohës) të jesh nxënës i mirë, lexues i mirë librash, punëtor i mirë, familjar i mirë, novator i mirë, intelektual i mirë, sportist i mirë, autor i mirë, shpikës i mirë, ndërmarrës i mirë, ndërsa të jesh “gangster” dhe “mangup” i lagjes, i shkollës a i vendit është një primitivizëm, një status me rrezikshmëri kriminale, një reputacion antinjerëzor, që të zhvesh nga dinjiteti dhe integriteti, një identifikim imoral, një kthim prapa dhe një vetëfundosje, që vetëm konflikte të panevojshme prodhon, konflikte këto që shterin energjinë e tyre.
“Ky është djali i X të fortit!” – është ai miti idiot dhe kriminal që kthehet në makth të shoqërisë kur flitet për disa “djelmosha të rrezikshëm” të edukuar keq nga prindërit e tyre, të cilët e kanë humbur njerëzoren dhe të cilët krenohen para të tjerëve me fjalët “djalit tim s’guxon me ia prishë askush”! Këta prindër po i shkatërrojnë vetë me duart e tyre fëmijët e vet, sepse po i futin në një zonë të minuar, ku jo vetëm që “humb këmba”, por amputohet edhe mendja.
Nuk duhet të presim që një film si “Adolescence” të na i hapë sytë, ndonëse përmbajtësisht dhe artistikisht ishte shumë i mirë dhe i nevojshëm. Shoqëria jonë përjeton situata shumëfish më dramatike e më komplekse se ngjarja e filmit më të popullarizuar të këtyre ditëve.
“Gangsterizmi” asnjëherë nuk ka sjellë të mira. “Gangsterizmi” është karakteristikë e njerëzve të dobët emocionalisht, e njerëzve që tuten nga hija e vet dhe që janë të pushtuar nga paranojat, e njerëzve që vuajnë nga komplekse të pashëruara, e njerëzve që nuk disponojnë asnjë aftësi krijuese dhe e zëvendësojnë këtë zbrazëti me forcë dhe arrogancë. “Gangsterizmi” i ka futur shumë të rinj në cikle të dhunës dhe ua ka shkatërruar jetën, ëndrrat, potencialin, familjet, shoqërinë, ekonominë dhe çdo gjë të mirë. I ka çuar në theqafje dhe humnerë të përhershme, duke futur edhe familjet në konflikte.
Pse e kemi këtë gjendje? Sepse ka dështuar sistemi, kanë dështuar elitat politike, elitat kulturore, elitat fetare, elitat intelektuale, akademia, shkolla, mediat, familja, për ta ofruar një edukim dhe disiplinë cilësore. A mund dikush nga 1.5 milionë banorë të Kosovës të tregojë se për çka ekziston sot Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK), zëri inferior i së cilës nuk ka peshë publike në sfidat më të vështira kulturore që po kalon Kosova? Sistemi i arsimit te ne shumë pak investon në inteligjencën emocionale, si mekanizëm parandalues përballë potencialit të dhunës, duke i dhënë rëndësi më shumë IQ-së mendore, duke menduar se vetëm ata që zgjidhin probleme të ndërlikuara matematikore në dërrasë të zezë janë inteligjentë. Jo, jo! Edhe ata që përmbahen dhe kanë vetëkontroll në situata konflikti, që nuk reagojnë në mënyrë proporcionale ose hakmarrëse sa herë kërcënohen, janë inteligjentë. Madje inteligjenca e tyre emocionale është kurora e të gjitha inteligjencave. Shkolla mund t’i identifikojë adoleshentët me potencial dhune përmes qasjes dhe mësimdhënies diferencuese, bazuar në hulumtime të specifikave individuale të nxënësve, jo me qasje të përgjithshme improvizuese. Dhe ata që identifikohen me prirje agresive, të trajtohen me shërbime të veçanta profesionale. Ose-ose, do të na shkojë gjithë jeta duke vajtuar pasojat e dhunës ndër breza.
Pa përjashtuar edhe faktin se kriminelët apo dhunuesit potencialë “marrin zemër” në rrethana ku ligji dhe sistemi i drejtësisë “nuk i tregon dhëmbët e vet”, pra me ligje që dënojnë minimalisht kriminelët, me sanksione që gjobitin në mënyrë qesharake armëmbajtësit pa leje (dënimet ndaj tyre duhet të jenë së paku tri vjet burgim), në rrethana ku prokurori e gjykatësi korruptohen, shantazhohen, frikësohen ose infiltrohen vetë në krim. Zot, na ruaj, çfarë e ardhme e pasigurt po i pret fëmijët tanë!
Dënimi për armëmbajtje pa leje, së paku tre vjet burg!
Dënimi për vrasje të qëllimshme, burgim i përjetshëm!
Nuk parandalohen vrasjet me 500 euro gjobë as me 10 vjet burgim, as me deklarata e intervista, as me ligjërata e leksione. Disa krime meritojnë dënime kapitale, sepse ato bëhen leksion disiplinues.
Edukimi kërkon kohë dhe strategji. Një shoqëri idiote i injoron sociologët dhe psikologët, i injoron elitat kulturore që shpërndajnë dije e vlera. Shkollat dhe universiteti vetëm improvizojnë. Mediat për klikime e sensacione luftojnë. Autoriteti dhe rregullat e lojës në familje po dështojnë.
Ne kemi inteligjencë të ulët emocionale dhe mungesë vetëkontrolli. Kemi probleme serioze me shëndetin mendor dhe me akumulimin e mllefit. Nuk njohim autoritet, nuk njohim kufij, nuk njohim tutë, nuk njohim Zot! Jemi njerëz pa njerëzoren! Neve na dikton instinkti, jo arsyeja. Ne nuk kemi pushtet mbi emocionet tona, ato kanë pushtet mbi ne. Prandaj vrasim gjakftohtë, pa trembur syrin! Një krenari psikopatologjike.
Vrasjet parandalohen me sistem, me kontroll të armëve, me ashpërsim të ligjit.
Të gjithë ata prokurorë, gjykatës, zyrtarë e hetues policorë, që kanë dështuar vetëm një herë në trajtimin profesional të një vrasjeje, duhet të dërgohen në shtëpi. Le ta ndërrojnë profesionin. Edhe atyre avokatëve që mbrojnë kriminelët, u këndoftë kënga e turpit gjithë jetën.
Duhet dyfishim i patrullave policore. Dyfishim i kontrolleve policore. Ngritje e pagës për policë. Ngritje e dinjitetit të policit. Ngritje e vetëdijes institucionale. Polici, i vetëm, nuk mund të bëjë asgjë, nëse prapa tij nuk qëndron një sistem i fortë.
Urgjentisht duhet të ashpërsohet Kodi Penal.
Një nga disiplinat shkencore që merret me problemet e dhunës është Sociologjia e krimit dhe e sjelljeve devijuese. Dhuna nuk zgjidhet me popullizëm dhe ligjërata improvizuese. Ajo zgjidhet me strategji konkrete duke sistematizuar resurset profesionale, sidomos duke rritur dinamikën dhe efikasitetin e psikologëve dhe të sociologëve në shoqëri dhe duke i bërë ata prioritet dhe referencë në çdo projekt kulturor, arsimor, artistik e filmik.
Sociologët duhet të jenë këshilltarë të politikanëve, të liderëve, të ministrave e të deputetëve. A thua pse ish-kryeministri britanik Tony Blair e kishte këshilltar sociologun eminent Anthony Giddens, të cilin e kam intervistuar në vitin 2016?
Shoqëria jonë kurrë nuk ua ka ditur vlerën si duhet psikologëve dhe sociologëve. Vetëm kur ndodhin fatkeqësi kriminale ata kthehen te psikologët dhe sociologët duke marrë mendimin e tyre të vonë. Por është shumë vonë. Një shoqëri idiote që funksionon si turmë, zakonisht i injoron sociologët. Edhe shteti po ashtu, siç më ka refuzuar mua – sistemi i arsimit publik – me dhjetëra herë në konkurse. Mua më ka refuzuar sistemi parauniversitar dhe ai universitar për mësimdhënës në periudhën 2017 – 2024.
Mendimi profesional i sociologut duhet të adresohet para se të ndodhin vrasjet apo para se të bëhet gjendja alarmante. Mendimi i sociologut duhet të shkojë në ato mjedise e rrethana ku ka predispozita për dhunë, jo aty ku tashmë numërohen pasojat e një dhune të përfunduar me vrasje, sepse është vonë. Siguria publike sot është aq e brishtë, ajo duhet të shndërrohet në një urgjencë kombëtare e shtetërore.
Sot partnerët futen në martesë dhe krijojnë familje të papërgatitur emocionalisht, kulturalisht dhe sociologjiksht dhe mendojnë se familja është një eksperiment social. Dhe harrojnë se suksesi më i madh i prindit është vendosja e rregullave qarta dhe të prera të lojës dhe pavarësimi i fëmijës, jo lënia në mëshirë të fatit. Sepse ashtu influencerët e rrezikshëm po grabitin potencialin, çiltërsinë, kreativitetin, pafajësinë dhe spontanitetin e fëmijëve duke i instrumentalizuar për qëllime ideologjike ose ekonomike. Dhe ka një hendek kulturor mes prindërve dhe fëmijëve, sepse mungon komunikimi emocional mes tyre, pasi fëmija në shtëpi po ndihet më i izoluar se jashtë, që është një paradoks. Dhe ai mllef i akumuluar dhe izoluar mund të prodhojë reaksione të pakontrolluara.
Ekstravaganca që e paraqesin figurat publike krijon iluzion. Qysh nga shkolla fillore po krijohet miti se të jesh i suksesshëm duhet të kesh shumë “followers”, duhet të kesh vetura të shtrenjta (me çfarë vetura vijnë në mbrëmjet e maturës!), duhet të kesh veshje me marka të shtrenjta, pra krejt fokusi shkon te sipërfaqja, dukja dhe ekspozimi, jo te thelbi, suksesi, empatia, kultura, disiplina, puna me djersë dhe sistemi i vlerave.
Ky është makthi modern. Të rinjtë me potencial dhune nuk duhet t’i demonizojmë dhe kryqëzojmë. Ata duhet t’i edukojmë dhe t’i integrojmë në shoqëri, t’i mbajmë nën kontroll, t’u ofrojmë qasje dhe shërbime profesionale, t’u ofrojmë storie suksesi dhe ekspertë të fushave që do të ishin frymëzues dhe transformues të tyre. Shkurt e shqip: t’i bindim që ai i cili tërhiqet në situata kërcënimi apo konflikti dhe nuk përfshihet në dhunë, është njeri inteligjent. Ky është testi më i rëndësishëm në jetë, që pak njerëz e kalojnë: testi i inteligjencës emocionale në situata konflikti.
Se dhuna është natyrshmëri e njeriut, ishte qëndrim i darvinizmit social, ishte përfundimi më monstruoz i evolucionistëve që na “mësuan” se vetëm me forcë mbijetohet në shoqëri. Sociologjia hodhi poshtë këtë pretendim kaq bizar, të cilin e keqpërdorën shumë ideologji dhe diktatorë. Sepse askush nuk lind i dhunshëm, njeriu bëhet i dhunshëm. Dhuna nuk është natyrshmëri e njeriut. E ripërsëris: njeriu nuk është produkt i racës, por i kulturës. Krimi nuk është gjenom i ADN-së. Shoqëritë me sistem të brishtë të vlerave prodhojnë dhunues e kriminelë dhe shoqëritë me sistem të shëndoshë human dhe ligjor mund t’i disiplinojnë dhunuesit dhe kriminelët apo t’i parandalojnë ata./EPIQENDRA.COM