Shkruan: Labinot Kunushevci
Një ndër ideologjitë më fatale në shpëlarjen e trurit është Teoria e Evolucionit. Sistemet ideologjike trushpëlarëse shumë gjëra na i mësuan në mënyrë të gabuar, duke na lajthitur nga e vërteta. Që nga shkollimi fillor e deri në atë universitar, me ndihmën e edukimit medial dhe elitave pseudo-intelektuale, na mësuan si fëmijë mbi prejardhjen e njeriut, duke mohuar krijimin e tij nga Krijuesi, duke ia dhënë kështu “vulën shkencore” evolucioniste të një natyralisti amator anglez, Charles Darwin, që besonte në “seleksionimin natyror”, i cili kurrë nuk pati rastin të merrte një edukim shkollor në biologji. Ai nuk diti si ta perceptonte dhe as interpretonte mahnitjen me gjallesat në udhëtimin e tij detar në ishujt Galapagos dhe aty fantazia e tij filloi të prodhonte ide kontroverse të cilave ua pa sherrin një botë.
Zakonisht darvinizmit i kanë qëndruar prapa njerëzit e dehur nga ideologjitë, si: materializmi, komunizmi, marksizmi, racizmi etj. Sipas Marx-it, teoria e evolucionit i jep mbështetje të fortë materializmit. Se ai kishte simpati për të, kjo tregohet në dedikimin e librit të tij “Kapitali”, që ia bëri Darwinit, me ç’rast i shkroi: “Nga një admirues i devotshëm i Darwinit”.[1]
Shkencëtarët evolucionistë kanë ditur t’i imponojnë botëkuptimet e tyre filozofike ideologjike, konceptet e deformuara dogmatike, nën maskën e shkencës dhe t’ua indoktrinojnë dhe shpëlajnë trurin njerëzimit se rregulli e organizimi mahnitës në univers dhe organizmat e gjallë janë një rastësi dhe jo një krijim apo dizajnim inteligjent, fakt ky që ka shkaktuar vetëm konfuzion.
Edhe pse evolucionistët besnikë të theqafjes ideologjike të shek. XX, sa herë vinin zbulimet e reja shkencore, sidomos ato në fushën e gjenetikës, mundoheshin ta modifikonin, ta përditësonin dhe ta korrigjonin teorinë me koncepte të reja, si ajo e mutacionit, drejt një neo-darvinizmi, por çdo përpjekje e tyre për ta vërtetuar këtë teori ishte e dështuar. Nuk funksionoi “seleksionimi natyror” i Darwinit, nuk funksionoi as “mutacioni gjenetik” i neo-darvinistëve, sepse asnjëra prej tyre nuk kontribuoi në evoluimin e specieve nga njëra-tjetra dhe asnjëra prej tyre nuk ka aftësinë të shpjegojë kompleksitetin e jetës, sepse janë argumente qorrsokaku.
Seleksionimi natyror ishte i paaftë të prodhonte specie të reja, kode të reja gjenetike apo organe të reja. Darwini e pohonte kur thoshte:
“Seleksionimi natyror nuk mund të bëjë asgjë derisa ndryshime të favorshme të ndodhin.”[2]
Prandaj neo-darvinistët shpikën e shpifën argumentin e ri “mutacioni si shkak i ndryshimeve të dobishme”. U rraskapitën për të hetuar një “mutacion që shkakton ndryshime pozitive”, harruan se mutacioni është një “aksident”, saqë nuk gjetën “ndryshime pozitive” as në efektet gjenetike të rrezatimeve atomike kur hetuan mutacionet e shkaktuara nga armët bërthamore të përdorura në Luftën e Dytë Botërore.
“Mutacionet nuk mund t’i bëjnë gjallesat të fitojnë organe apo tipare të reja. Ato shkaktojnë vetëm anomali dhe deformime si p.sh. një këmbë që del nga kurrizi apo veshtë që dalin nga barku. Që mutacioni të transmetohet te gjenerata pasardhëse, ai duhet të ndodhë në qelizat riprodhuese të organizmit. Një ndryshim i rastësishëm që ndodhë në një qelizë apo organ të trupit nuk mund të transmetohet tek gjeneratat pasardhëse. Për shembull, një sy njeriu i ndryshuar nga rrezatimi apo shkaqe tjera nuk bën që gjeneratat pasardhëse të kenë të njëjtin sy të ndryshuar. Ka tre arsye kryesore pse mutacionet nuk mund të shërbejnë për të mbështetur pranimin e evolucionit. 1. Efekti i drejtpërdrejtë i mutacioneve është i dëmshëm; 2. Mutacionet nuk shtojnë informacion të ri në ADN-në e organizmit; 3. Që mutacioni të transmetohet te gjenerata pasardhëse ai duhet të ndodhë në qelizat riprodhuese të organizmit.”[1]
Sepse nuk ka mutacione të dobishme. Mutacioni nuk shkakton qenie më inteligjente. Neo-darvinistët janë lodhur në eksperimentet e tyre të dështuara me mizat e pemëve, sipas evolucionistit Gordon Taylor. A keni dëgjuar për “nxirjen industriale” të fluturave në Angli? E po ky ishte një nga argumentet “gjeniale dhe inteligjente” të evolucionistëve.
Michael Pitmen ishte një kërkues shkencor që për dështimin e eksperimenteve të ndërmarra me mizat e pemëve thoshte:
“Morgan Goldschmidt, Muller dhe gjenetistë të tjerë kanë ekspozuar gjenerata të reja mizash ndaj kushteve ekstreme të vapës, ftohtit, dritës, errësirës, përbërjeve kimike dhe rrezatimit. U prodhuan lloje të mutacioneve të parëndësishme ose të dëmshme. Pak nga mostrat gjenetike mund të mbijetonin jashtë shisheve të kultivimit. Në praktikë mutantët ngordhin, sterilizohen ose synojnë të kthehen te tipi natyral.”[3]
Darwini ishte racist, sepse ai besonte se në procesin e evolucionit disa raca janë më të zhvilluara se disa të tjera. Ai besonte në “sofistikimin racor” të evropianëve të bardhë, kundrejt zezakëve dhe aborigjenëve australianë, të cilët, nga këndvështrimi i darvinizmit social, i identifikonte me karakteristika kafshësh (gorilla), të cilët, sipas tij, do të zhdukeshin me kalimin e kohës nga racat më të zhvilluara. Sepse kur darvinizmi social filloi të përzihej me filozofinë politike, u instrumentalizua nga racistët, fashistët dhe kapitalistët e egër. Sipas Darwinit, racë e favorizuar ishin të bardhët e Evropës. Sa për racat aziatike dhe afrikane, ata kishin mbetur mbrapa në luftën për mbijetesë.

Kështu argumenton studiuesi i shquar Harun Jahja në studimet e tij shkencore mbi darvinizmin:
“Vendasit e Australisë njihen me emrin aborigjenë. Këta njerëz, që kishin jetuar në kontinent për mijëra vjet, përjetuan një prej shfarosjeve më mizore të historisë me shtrirjen e kolonizatorëve evropianë në të gjithë vendin. Baza ideologjike e kësaj shfarosjeje ishte Darvinizmi. Pikëpamjet e ideologëve darvinistë për aborigjenët krijuan teorinë e barbarizmit që vuajtën këta njerëz. Më 1870, Max Muller, antropolog evolucionist i “London Anthropogical Review”, kishte ndarë racat njerëzore në shtatë kategori. Aborigjenët klasifikoheshin në fund, ndërsa raca ariane, ajo e evropianëve të bardhë, ishte vendosur në krye. H. K. Rusden, një darvinist social i njohur, u shpreh kështu për aborigjenët më 1876: Mbijetesa e më të fortit do të thotë se e drejta është me më të fortin. Ne, si rrjedhim, përmbushim, pa na vrarë ndërgjegja, ligjin e pamëshirshëm të seleksionimit natyror kur shfarosim racat inferiore australiane dhe maorite… dhe përvetësojmë pasurinë e tyre me gjakftohtësi.”[4]
“Politikat që kishin në shënjestër aborigjenët nuk përfunduan me masakra. Shumë anëtarë të racës trajtoheshin si kafshë eksperimentale. Instituti Smithsonian në Uashington DC mbante eshtrat e 15.000 njerëzve të racave të ndryshme. 10.000 aborigjenë australianë u dërguan me anije në Muzeun Britanik me qëllim që të shihej nëse ishin apo jo “hallka që mungonte” në tranzicionin nga kafshët në qeniet njerëzore. Muzeumet nuk ishin të interesuar vetëm për kockat. Në të njëjtën kohë, ata mbanin tru aborigjeni dhe e shisnin me çmim të lartë.”[4]
Lexojeni librin e tij “The Descent of Man”, të cilin e shkroi vetë Darwini dhe binduni vetë! Aty do të gjeni që kur Darwini u referohej australianëve, përdorte shprehjen “savage races” – “raca të egra”. Ai bënte dallimin ndërmjet “the civilised races” – “racave të qytetëruara”dhe “savage races” – “racave të egra”. Kjo qasje dalluese e tij është tipike raciste nëse analizojmë Teorinë e Racizmit të sociologut Franz Neumann.[5] Kjo shprehje sociologjikisht është e papranueshme dhe raciste. Atëherë si mund t’i besoni një racisti?
Ai thoshte: “Në një të ardhme jo shumë të largët, racat e zhvilluara të njeriut me siguri do të shfarosin dhe do të zëvendësojnë racat njerëzore më pak të zhvilluara në të gjithë botën. Në të njëjtën kohë edhe majmunët antropomorfë pa dyshim do të jenë zhdukur.”[5]
Si prindër të dy vajzave të vogla, pavarësisht presionit shkollor që mund të vijë nga versionet e teksteve dhe programeve shkollore, kemi përgjegjësinë që kur fëmijët ta fillojnë shkollimin dhe të aftësohen për të kuptuar, t’ua kristalizojmë idenë e krijimit të njeriut, larg indoktrinimit sistematik që e ka prodhuar një filozofi mashtruese materialiste, një dogmë antishkencore me përplot propaganda.
Detyra jonë është që fëmijët tanë t’i orientojmë drejt besimit se njeriun e parë, burrë, babanë e njerëzimit, të quajtur Adem, e ka krijuar Zoti nga dheu, Krijuesi i të gjitha botëve. Pastaj e ka krijuar gruan, të quajtur Hava. Zoti ka krijuar popuj e fise, diversitet racash njerëzore, në mënyrë që të njihen dhe të integrohen mes vete, të krijojnë kulturë e qytetërim, të zhvillojnë ekonomi e shoqëri, në pajtim me ligjet hyjnore dhe natyrore, duke mos e prishur rendin, prishja e të cilit rrezikon dehumanizimin e njeriut përmes ideologjive antinjerëzore e antihyjnore. Kjo është shumë e thjeshtë, por armiqtë e Zotit dhe të njeriut e kanë komplikuar.
Sepse hipotezat e Darwinit nuk bazohen në ndonjë zbulim shkencor apo eksperimental, kanë mangësi serioze dhe në kohën e tyre jeta mund të studiohej vetëm me teknologji primitive. Syri i tij kurrë nuk ka pasur rastin të analizonte në mënyrë shkencore empirike një qelizë në mikroskop apo ta analizonte një molekulë proteine, për ta kuptuar se nuk kanë mundur të vinin në ekzistencë në mënyrë të rastësishme. Me një fjalë, evolucionistët “e kanë vendosur karrocën para kalit”.

Pikëpamjet e Darwinit, që u publikuan në librin e tij “Origjina e llojeve”, me anë të seleksionimit natyror në vitin 1859, sipas studiuesit Jahja, nuk mbështeteshin as në shkencat e gjenetikës apo të biokimisë, sepse këto shkenca nuk ekzistonin as si emër. Ishte fuqia e imagjinatës që i dha Darwinit impuls të fortë. Darwini e dinte mirë se kjo teori kishte shumë mangësi. Ai e tregon vetë këtë në kapitullin “Vështirësitë e Teorisë”, të librit “Origjina e llojeve”. Këto vështirësi së pari konsistonin në të dhënat fosile, në organet komplekse të gjallesave që nuk mund të shpjegoheshin me rastësinë (p.sh. syri) dhe në instinktet e jetës. Me laps në dorë, evolucionistët e kanë shumë lehtë të prodhojnë krijesa imagjinare, por të sjellin prova konkrete apo t’i harmonizojnë me kritere shkencore, e kanë shumë vështirë.
Skepticizmi i tij shprehej edhe në letrat që ai vetë ia shkruante Asa Grayit.[6]
Një lidhje interesante shkencore mes njeriut dhe dheut e shpjegonte shkencëtari shqiptar me renome botërore, Dr. Ali Iljazi, në intervistën time të realizuar me të në vitin 2014, sipas të cilit:
“Shkenca vërteton që trupi i njeriut përmban 13 elemente kimike si dhe mikroelemente sikur bakri, zinku, mangani, kobalti, litiumi, stronciumi, alumini, siliciumi, plumbi, dhe arseniku. Shkencëtarët pohojnë se të gjithë elementet e domosdoshme për ndërtimin e trupit të njeriut mund t’i gjeni në oborrin e shtëpisë suaj.”[7]
Të shkëputim edhe një pjesë artistike nga dijetari dhe lideri i njohur kroat, Alija Izetbegoviq, i cili shtronte pyetje shumë kureshtare mbi paaftësinë e kësaj teorie:
“Teoria evolucioniste nuk mund të shpjegojë si duhet fazën e parë fetare të njeriut. Ajo s’mund të jap shpjegime as për disa fenomene nga faza e civilizimit. Përse njeriu është gjithnjë më i pakënaqur psikikisht, edhe pse jeton më mirë? Përse kur standardi material rritet, ai “psikologjik” bie? Përse numri i vetëvrasjeve e i sëmundjeve psikike ka përpjesëtim të drejtë me lartësinë e të ardhurave nacionale dhe arsimimin? Ose përse burrëria haset më shumë në fillim të evolucionit sesa në fund? Përse progresi s’është edhe humanizim? Si është e mundshme që arti nga viset e pacivilizuara të botës (p.sh. Oqeania, Afrika) të jetë më i fuqishëm se arti i viseve të ashtuquajtura të kulturuara dhe të ketë ndikim të fortë, pothuaj revolucionar, në këtë të fundit? Etj., etj.”[8]
Izetbegoviqi vazhdon e shpjegon se shkenca formimin e njeriut e sheh si rezultat të një procesi të gjatë evolutiv nga trajtat e ulëta të jetës, ku kufiri ndërmjet zoologjikes dhe njerëzores nuk është i theksuar dhe ku ekziston një periudhë e gjatë kalimtare e majmunit-njeri a e njeriut-majmun. “Për materialistin, njeriu është “shtazë e përkryer”, “homme machine”, “aparaturë biologjike”. Ndërmjet njeriut dhe shtazës është vetëm ndryshimi i shkallës, jo i cilësisë. Përkundrazi, feja dhe arti flasin për krijimin e njeriut për diçka që s’është proces, por akt hyjnor.”[8]
“Personaliteti s’mund të konstruktohet. Nuk e di ç’domethënie do të kishte portreti pa Zot. Diç e tillë pa Zot nuk ekziston. Mbase, herët a vonë, deri në fund të këtij shekulli ose gjatë miliona vitesh të progresit të civilizimit, njeriu do të prodhojë imitimin e vet, ndonjë robot a monstrum, shumë të ngjashme me konstruktorin. Ajo makinë antropomorfe do të jetë tejet, tejet e ngjashme me njeriun, por që tani një gjë është e sigurt: ajo s’do të jetë e lirë, ajo do të bëjë vetëm ato që njeriu ia ka vënë nga fillimi. Këtu qëndron madhështia e krijimit Hyjnor dhe e papërsëritshmja e këtij akti, pakrahasueshmëria me çfarëdo që ngjau para e pas kësaj në kozmos. Në një neon të amshimit filloi të ekzistojë krijesa e lirë. Sikur të mos ishte kjo prekje hyjnore, si rezultat i evolucionit ne do të kishim jo njeriun, por shkallën më të lartë të shtazës, mbishtazën, monstrumin me trup dhe intelekt njeriu, mirëpo pa zemër, pa vete. Intelekti i tij madje, pa skrupuj moralë, do të ishte më efikas dhe në të njëjtën masë – më mizor.”[8]
Teoria e Evolucionit përpiqet të na shpëlajë trurin se lëndët inogranike kanë formuar qelizën organike, se jeta krijoi vetveten, krejt rastësisht! A mund nga diçka e pajetë të vijë diçka në jetë? Kjo shumë shpejt është hedhur poshtë nga biologu i shquar francez, Louis Pasteur, i cili 5 vjet pas botimit të librit të Darwinit tha se pretendimet se lëndët inorganike mund të formojnë jetë u varrosën plotësisht në histori. “Mekanizmi” që i bën gjallesat të evoluojnë nuk është enigmatik, sepse ai nuk ekziston fare.
Evolucionistët ishin aq “të mençur” në evolucionin e tyre imagjinar, saqë me fantazinë e tyre provuan të na bindnin se buburrecat formoheshin nga tepricat e ushqimeve; minjtë formoheshin nga gruri; peshqit u shndërruan në zvarranikë e më vonë zvarranikët evoluuan në zogj; gjirafat evoluuan nga antilopat duke u përpjekur të arrinin degët më të larta të pemëve apo se zogjtë kanë lidhje me dinozaurë, sepse u bënë me krahë dhe fluturuan duke u munduar t’i kapnin insektet në gjuetinë e insekteve për ushqim; se balenat kanë evoluuar nga arinjtë që janë munduar të notojnë; kështu nga primitivja deri te më kompleksja. Ata injoruan një fakt se secila gjallesë ka sistem specifik. Çfarë imagjinate fëmijërore është kjo? Çfarë logjike kontradiktore është kjo?
Evolucionistët e ndyrë shkaktuan shumë ngatërresa e konfuzione në shkencat, si: biologjia, gjenetika, paleontologjia, antropologjia, zoologjia, anatomia, gjeologjia e deri te sociologjia. Por pas shumë hulumtimeve dhe dokumentimeve serioze, këto shkenca janë kristalizuar dhe filtruar nga propaganda dhe ideologjia e evolucionit.
Të dhënat fosile e përmbytin evolucionin. Ku janë fosilet që dëshmojnë evolucionin imagjinar të zogjve? Janë aty ku thoshte zoologu francez Pierre Grasse:
“Ne jemi në errësirë në lidhje me origjinën e insekteve.”[9]

Shpresa e Darwinit ishte te zbulimi i fosileve. Por ku janë format kalimtare (hallka e humbur) që nuk u zbuluan kurrë ndërmjet Australopitekut, Homo Habilisit, Homo Erektusit, Homo Sapiensit, Neandertalit dhe njeriut sot? Ku është pema imagjinare që tregon evoluimin e tyre? Nuk ka, sepse këto specie kanë jetuar në të njëjtën kohë dhe nuk kanë evoluuar nga njëri-tjetri. Neandertali ishte racë njerëzore, jo primitive, e zhdukur me kalimin e kohës. Por nuk ka tjetër mënyrë për ta mbajtur të gjallë një dogmë antishkencore, për t’ua shpëlarë trurin njerëzve dhe për t’ua ngulitur në sub-koshiencë përrallat e evolucionit, përveçse me artificialitete të tilla.
Disa evolucionistë janë darvinizuar më shumë se Darwini, i cili në kapitullin “Vështirësitë e Teorisë”, të librit të tij, shprehte konfuzionin e tij:
“Në qoftë se kanë rrjedhur nga specie të tjera nëpërmjet një shkallëzimi gradual, atëherë përse ne nuk gjejmë asgjëkundi forma kalimtare? Pse e gjithë natyra nuk është në konfuzion dhe ka specie, ashtu si i shohim ne, të përcaktuara e të ndara mirë nga njëra-tjetra? Sipas kësaj teorie forma të panumërta kalimtare duhet të kenë ekzistuar, atëherë pse nuk i gjejmë në koren e tokës? Pse ne sot nuk gjejmë varietete të ndërmjetme? Këto vështirësi më kanë turbulluar prej një kohë të gjatë.”[2]
Se jeta filloi me një krijim (shpërthim), tregon vetë evolucionisti dhe paleontologu i njohur britanik, Derek V. Ager:
“Çështja që trajtohet është se kur ne ekzaminojmë të dhënat fosile në detaje, zbulojmë gjithmonë e më tepër jo evolucion gradual, por shpërthim të papritur të një grupi për një llogari të një tjetri.”[10]
Sepse asnjë formë kalimtare nuk është zbuluar deri më sot edhe pse evolucionistët kanë gërmuar për t’i gjetur hallkat që mungojnë. Si nuk u gjend të paktën një gjysmë-peshk – gjysmë-zvarranik ose një gjysmë-zvarranik – gjysmë-zog?

Sipas tyre, jeta filloi rastësisht nga kaosi ujor i pajetë, të gjitha llojet e gjallesave buruan nga një paraardhës i lindur në ujë rastësisht, por nuk na shpjeguan se si mbijetuan në kushte të reja të tokës kur dihet se në tokë ndryshon pesha trupore, ruajtja e temperaturës, përdorimi i ujit, funksionimi i veshkave e sistemi i frymëmarrjes, ndërsa zhvillimi i gjallesave që kanë evoluuar nga njëra-tjetra varet nga lufta e tyre për mbijetesë në natyrë, luftë të cilën e fiton më i forti, ndërsa më i dobëti humb dhe zhduket. Një mit me origjinë shumë të vjetër që nga paganët samerianë, që nga Greqia e Lashtë, duke mos harruar se biologu francez Lamarcku ishte ideologu mësues i Darwinit.
Jahja shpjegon se si erdhi arsyetimi teorik shkencor nga teoricieni Thomas Malthus, i cili mbështeste racizmin nazist dhe formonte politika kundër natalitetit, ndikuar nga Darwini, ku rritjen e popullsisë e shihte si rrezik për të ardhmen e njerëzimit.
“Intelektualët evropianë të shtresave të larta i përkrahnin idetë e Malthusit. Rëndësia që Evropa e shekullit XIX i dha ideve të Malthusit mbi popullsinë duket qartë në artikullin “Baza shkencore e programit nazist: Pastrimi i Racës”: Në fillim të gjysmës së parë të shekullit XIX, kudo në Evropë, pjesëtarë të klasave sunduese mblidheshin për të diskutuar tok “problemin e popullsisë” të sapozbuluar e për të gjetur mënyra për zbatimin e urdhrit malthusian, për të rritur vdekshmërinë e të varfërve: “Në vend që t’u rekomandojmë pastërtinë të varfërve, ne duhet të nxisim zakonet e kundërta. Në qytetet tona ne duhet t’i bëjmë rrugët më të ngushta, t’i mbushim shtëpitë me më shumë njerëz e të ndjellim kthimin e murtajës. Duhet t’i ndërtojmë fshatrat tona pranë pellgjeve me ujë të ndenjur e veçanërisht të nxisim popullimin e vendeve moçalore e të dëmshme për shëndetin”… E kështu me radhë… Si rezultat i kësaj politike mizore, i forti do të mundte të dobtin në luftën për mbijetesë dhe, në këtë mënyrë, popullsia që shtohej me ritme të shpejta do të arrinte një ekuilibër të pranueshëm. Në Anglinë e shekullit XIX, programi “Shtypni të varfrit” u vu në zbatim me të vërtetë. U krijua një sistem industrial, ku fëmijët tetë nëntë vjeçarë detyroheshin të punonin 16 orë në ditë në minierat e qymyrit e ku mijëra vdisnin nga kushtet e këqija. “Lufta teorike për mbijetesë” që për teorinë e Malthusit ishte e domosdoshme, detyroi miliona të varfër në Angli t’i nënshtroheshin një jete të mbushur me vuajtje.”[4]

Të shohim pak ndikimin e darvinizmit në periudha, sisteme, ideologji dhe liderë të ndryshëm historikë. Hitleri ishte evolucionist dhe diktator i egër, i cili besonte se raca ariane ishte superiore dhe sunduese ndaj të gjitha racave të tjera dhe ëndërronte se raca ariane do të ndërtonte një perandori që do të zgjaste 1 000 vjet. Por edhe këshilltari më i rëndësishëm i tij, historiani racist Heinrich Von Treitschke, thoshte: “Kombet mund të arrijnë zhvillim vetëm në kushtet e një konkurrence të fortë si përzgjedhja natyrore e Darwinit.” Dhe jo vetëm, por edhe libri i tij famëkeq “Lufta ime” ishte frymëzuar nga ideja e luftës për mbijetesë dhe racat joevropiane i quante majmunë, madje ironikisht thoshte se, po hoqët gjermanët nordikë, s’mbetet gjë tjetër përveç vallëzimit të majmunëve.
Teoria e Eugjenisë, e shfaqur në fillim të shek. XX, ishte produkt i darvinizmit, thelbësisht raciste, që kishte për qëllim spastrimin e të sëmurëve dhe të handikapëve dhe përmirësimin e racës njerëzore duke rritur numrin e individëve të shëndetshëm. Evolucionisti i famshëm, Erns Haeckel, mik i ngushtë i Darwinit, i pari që përhapi eugjeninë në Gjermani, tregonte pashpirtësinë duke tentuar dehumanizimin e njerëzve me probleme shëndetësore:
“Ai sugjeroi që fëmijët handikepë të sapolindur të vriten menjëherë, sepse kjo, sipas tij, do të përshpejtonte evolucionin e shoqërisë. Ai shkoi edhe më tej, duke thënë se njerëzit e sëmurë me kancer dhe me sëmundje mendore duhet të vriten pa iu dhimbsur kujt. Përndryshe këta njerëz do t’i bëheshin barrë shoqërisë dhe do të ngadalësonin evolucionin. Ndalimi i riprodhimit të personave me të meta trupore apo mendore për një periudhë kohe prej vetëm 600 vjetësh do çonte në përmirësim të shëndetit të njeriut, gjë që s’mund të përfytyrohet në ditët e sotme.”[4]
Prandaj Hitleri me nguti e shndërroi këtë në politikë dhe të sëmurët me të meta mendore, invalidët, të verbrit nga lindja, invalidët me sëmundje gjenetike, i mblodhi në “qendra sterilizimi” dhe i kualifikoi si parazitë të dëmshëm për pastërtinë dhe përparimin evolucionar të racës gjermane. Sterilizimi bëhej përmes tredhjes, rrezeve X, injektimeve dhe shokut elektrik në zonat e organeve gjenitale, që ata të mos bëjnë më fëmijë. Në anën tjetër, për ta rritur ushtrinë e mbretërisë së ardhshme gjermane, ai i shihte fëmijët e jashtëligjshëm si “të ligjshëm”:
“Hitleri mblodhi vajza gjermane bjonde e sykaltra në një kamp dhe u sigurua që ato të shkonin me oficerët e forcave speciale (SS).”[4]
Ai më vonë në listat e tij ogurzeza nuk hezitoi t’i përfshinte edhe njerëzit e moshuar, me verdhëz, shurdhmemecë etj. Racizmi i tij shumëdimensional shkonte deri aty, saqë në Lojërat Olimpike të Berlinit më 1936, edhe pse i uroi të gjithë konkurruesit, nuk pranoi ta uronte Jesse Owensin, i cili fitoi 4 medalje ari, vetëm pse ishte atlet me ngjyrë.
Libri më fantastik për ta njohur Hitlerin në optikën darviniste është ai i Dr. Jerry Bergman, me titull: “Hitler and the Nazi Darwinian Worldview: How the Nazi Eugenic Crusade for a Superior Race Caused the Greatest Holocaust in World History”. Një libër që flet për prejardhjen, edukimin dhe bindjet e liderëve nazistë, se si nën ndikimin e darvinizmit, eugjenikës, antisemitizmit dhe teorisë së racës filluan një ndjekje naziste për shfarosjen e hebrenjve evropianë, ciganëve, zezakëve, shumicës së sllavëve, duke goditur krishterimin si fe, deri te çmenduria e Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore. Bergman shpjegon se si arsyetimi dhe pranimi i këtyre koncepteve dhe i instrumenteve ideologjike u bë në komunitetet shkencore dhe mjekësore të Gjermanisë, ndërsa me qasjen e tij kritike demaskon teorinë darviniane të “mbijetesës së më të fortit”.
Teoria e evolucionit ishte frymëzim edhe për Benito Musolinin dhe Italinë e tij imperialiste dhe fashiste, i cili shtypi popullsinë myslimane të Libisë me rreth 1.5 milionë libianë dëshmorë kur e pushtoi më 1911 deri më 1947.
“Musolini ishte një evolucionist kokë e këmbë, i cili mendonte se dhuna kishte qenë një forcë shtytëse në histori dhe se lufta çonte në revolucion. Për të, “mungesa e dëshirës nga ana e Anglisë për të marrë pjesë në luftë shërbeu vetëm për të vërtetuar dekadencën evolucioniste të Perandorisë Britanike”.”[4]
Të mos çuditemi me faktin që darvinizmi, doktrina e luftës për ekzistencë, racat e privilegjuara dhe seleksionimi natyror kishin ndikim në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, në shumë ideologji imperiale dhe te pjesa më e madhe e udhëheqësve, mendimtarëve e gjeneralëve të Evropës. Sepse ata rrënjosën konceptin darvinist se ashtu siç mbijetonte kafsha më e fortë e më agresive, të njëjtat ligje vlenin edhe për njeriun dhe se konflikti dhe lufta janë në natyrën e njeriut. Evolucionistët e egër nuk mund ta pranonin vullnetin dhe ndërgjegjen e njeriut. Sidomos kur vinte puna te dhuna dhe krimi, shkencëtarët darvinistë bihejvioristë pretendonin se shfaqja e prirjes për krim është trashëgim nga paraardhësit e tyre, kafshët. Kështu shprehej evolucionisti Stephan Jay Gould në një vijë me fizikanin italian Lambrozo:
“Kriminelët e lindur nuk janë thjesht të çmendur apo të sëmurë; ata janë, me plot kuptimin e fjalës, kthim prapa në një stad të mëparshëm evolucioni. Tiparet e trashëguara nga parardhësit tanë primitivë mbeten në repertorin tonë gjenetik.”[11]
Ja një argument teorik se si evolucionistët e arsyetonin dhunën dhe e konsideronin atë si kusht të zhvillimit dhe evoluimit:
“Evolucionisti A. E. Wiggam e shpjegoi “bindjen se lufta e zhvillon njeriun”, tek e cila Hitleri mbështeste politikën e tij, në një libër të botuar në vitin 1922: “Një herë e një kohë zor se mund të thuhet se njeriu kishte më shumë tru se kushërinjtë e tij antropoidë, majmunët, por, duke shkelmuar, duke kafshuar, duke u përleshur dhe duke ia kaluar me zgjuarsi armiqve të tij, truri i njeriut u zmadhua shumë dhe iu shtua mençuria e shkathtësia, në mos përmasa e tij”.”[12]
Dhe për ta mbështetur teorinë e tyre, nazistët besonin se me evoluimin e njerëzve zmadhohej edhe kafka e tyre. Prandaj ata filluan matjen e kafkave për të treguar se kafkat gjermane janë më të mëdha se ato të racave të tjera.
Ngjashëm nga kjo ideologji ka përfituar vetë toka e Darwinit, Britania. Dhe jo vetëm “Njeriu i bardhë” që filloi ta plaçkiste botën për interesat e veta, por të gjitha perandoritë apo shtetet kolonialiste, për justifikimin e krimeve të tyre, përdorën argumentin se të kolonizuarit janë “popuj primitivë”, “gjysmë-njerëz” e gjysmë-kafshë”, që ende s’e kanë kaluar procesin e evolucionit dhe paraqesin rrezik për të ardhmen e njerëzimit.
Por mos mendoni se ishte Darwini personi i parë që mendonte se disa raca kishin tipare kafshësh. Ishte një person tjetër të cilin fëmijët tanë e mësojnë me admirim në shkollë për shkak të zbulimit të Amerikës: Christopher Colombus. Ai ishte zbulues i madh, por bart me vete përgjegjësi të mëdha historike kriminale kolonizuese.
“Pretendimet se disa raca kishin tipare kafshësh u paraqitën për herë të parë nga Kristofor Kolombi në udhëtimin e tij në Amerikë. Sipas këtyre pretendimeve, amerikanët vendas (indianët e Amerikës) nuk ishin qenie njerëzore, por një specie kafshe e zhvilluar. Për këtë arsye, ata mund të viheshin në shërbim të kolonizatorëve spanjollë. Pavarësisht se në filmat rreth zbulimit të Amerikës, Kolombi përshkruhet sikur ka mbajtur qëndrim human e të ngrohtë me vendasit, e vërteta është se Kolombi nuk i konsideronte vendasit qenie njerëzore. Kristofor Kolombi ishte i pari që ndezi një masakër të madhe. Ai krijoi kolonitë spanjolle në vendet që skllavëroi vendasit dhe ishte përgjegjës për fillimin e tregtisë së skllevërve. “Pushtuesit” spanjollë e panë politikën e shtypjes dhe shfrytëzimit që ndoqi Kolombi dhe e vazhduan atë më tej. Masakrat e kryera arritën përmasa të pabesueshme. Për shembull, popullsia e një ishulli numëronte 200.000 banorë kur mbërriti për herë të parë Kolombi; 20 vjet më vonë kishin mbetur vetëm 50.000, ndërsa në vitin 1540 vetëm një mijë njerëz. Kur më i famshmi i pushtuesve spanjollë, Kortes, shkeli për herë të parë në Meksikë në shkurt 1519, e gjithë popullsia vendase numëronte rreth 25 milionë, por në vitin 1605 kjo shifër kishte rënë në 1 milion. Në ishullin e Hispaniolës, popullsia, që kishte qenë 7-8 milionë në 1492, ra në 4 milionë në vitin 1496 dhe në vetëm 125 vetë në vitin 1570. Sipas shifrave të historianëve, në më pak se një shekull pasi Kolombi shkeli për herë të parë në kontinent, 95 milionë vendas u masakruan prej kolonizatorëve. Arsyeja që këto masakra arritën përmasa të tilla të pamëshirshme ishte fakti që popullsia indigjene nuk konsiderohej qenie njerëzore por kafshë.”[4]
Darvinizmi ishte ora më e përshtatshme historike dhe sociologjike për barbarinë komuniste, sidomos për Marxin dhe Engelsin. Darwini admirohej nga të dy, sepse “lufta për mbijetesë” ishte e sinkronizuar me “konfliktin dialektik të historisë”.
“Marxi i ktheu përgjigje letrës së Engelsit më 19 dhjetor 1860, duke i shkruar: “Ky është libri që përmban parimet bazë të historisë së natyrës sipas pikëpamjes sonë”.”[4]
“Engelsi lavdëronte Darwinin njëlloj si Marxin. Ai shkruante: “Ashtu sikurse Darwini zbuloi ligjin e evolucionit në natyrën organike, po ashtu edhe Marxi zbuloi ligjin e evolucionit në historinë njerëzore”.”[4]
Po edhe Lenini e Trocki duhet të shikohen në optikën e darvinizmit, sepse ata e pranuan se teoria e Darwinit ishte baza themelore e filozofisë materialiste dialektike. Dhe nëse analizojmë krimet e tyre në Rusi, në arkitekturën e Revolucionit Bolshevik, e kuptojmë deri në ç’shkallë shkoi frymëzimi darvinist. Stalini që u vu në krye të Partisë Komuniste pas Leninit, për të cilin, Glurxhidze, një shok fëmijërie i tij, shpjegonte se si arsyeja pse ai kishte nisur të mos besonte në Zot ishte libri i Darwinit, tregoi sa i pamëshirshëm ishte komunizmi. Ndër lëvizjet e para ishte marrja e tokave të fshatarëve, marrja e prodhimeve të fshatarëve rusë, ku për pasojë plasi një zi buke e tmerrshme dhe miliona gra, fëmijë e pleq vdiqën urie.
“Stalini dërgoi qindra mijëra njerëz që tentuan të mos i bindeshin kësaj politike në kampet e tmerrshme të punës në Siberi. Këto kampe, ku të burgosurve u dilte shpirti në punë, u kthyen në varr për pjesën më të madhe të këtyre njerëzve. Nga ana tjetër, dhjetra mijëra njerëz u ekzekutuan nga policia sekrete e Stalinit. Miliona të tjerë u detyruan të shpërnguleshin në viset më të largta të Rusisë, përfshirë turqit e Krimesë dhe Turkmenistanit. Me këto politika gjakatare e mizore, Stalini vrau 20 milionë njerëz. Historianët kanë zbuluar se ky barbarizëm i jepte atij kënaqësi të madhe. Ai ndjente kënaqësi kur ulej në tryezën e tij në Kremlin dhe shqyrtonte listën e atyre që kishin vdekur në kampet e përqendrimit ose që ishin ekzekutuar. Përveç gjendjes psikologjike, në të cilën ndodhej, ndikimi kryesor që e nxiti të bëhej një vrasës i tillë i pamëshirshëm ishte filozofia materialiste që ai besonte. Nga vetë fjalët e Stalinit, baza themelore e kësaj filozofie ishte teoria e evolucionit. Ai shpjegonte rëndësinë që u jepte ideve të Darwinit: “Janë tri gjëra që ne bëjmë për të çliruar mendjet e studentëve tanë. E kishim për detyrë t’u mësonim atyre moshën e tokës, prejardhjen gjeologjike dhe parimet e Darwinit”.”[4]
Të gjitha krimet e kryera arsyetoheshin nga teoricienët ideologjikë të darvinizuar, me baza pseudoshkencore. Përgjegjësia historike nuk bie vetëm mbi ekzekutorët, por para se gjithash, mbi frymëzuesit ideologjikë.
“Sipas mendimit të Herbert Spenserit, teoricienit kryesor të Darvinizmit Social, i cili ia mveshi parimet e darvinizmit jetës së shoqërisë, në qoftë se dikush është i varfër, kjo ndodhë për fajin e tij; askush nuk duhet ta ndihmojë këtë person që të ngrihet në këmbë. Nëse dikush është i pasur, edhe sikur ta ketë fituar pasurinë në mënyrë të pandershme, kjo tregon zotësinë e tij. Për këtë arsye, i pasuri mbijeton, kurse i varfri zhduket. Kjo është pikëpamja që ka mbizotëruar pothuajse tërësisht në shoqëritë e sotme dhe është një përmbledhje e moralit kapitalist-darvinist.”[4]
Shekulli i faqeve të zeza, XXI, nxori edhe një monstrum të frymëzuar nga Darwini: Mao Ce Duni, me një regjim komunist të vendosur në Kinë, i cili shumë shpejt e gjeti mbështetjen në paradigmat e evolucionit.
“Komunistët, nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit, erdhën në pushtet në vitin 1949 pas një lufte të gjatë civile. Maoja krijoi një regjim shtypës dhe gjakatar, njëlloj si aleati i tij, Stalini, i cili e përkahu mjaft. Kina u bë skena e ekzekutimeve të panumërta politike. Në vitet që do të vinin, militantët e rinj të Maos, të njohur si “Rojet e Kuqe”, do ta futnin vendin në një atmosferë tmerri të vërtetë. Maoja shpalli hapur bazën filozofike të sistemit që krijoi, duke thënë: “Socializmi kinez mbështetet te Darwini dhe teoria e evolucionit”.”[13]
“Duke qenë marksist, ateist dhe ndjekës besnik i evolucionit, Maoja dha urdhër që materialet e leximit që do të përdoreshin në institucionet arsimore gjatë kësaj periudhë fillestare, të pagëzuar me emrin “Hapi i madh përpara”, të ishin shkrimet e Darwinit, si dhe materiale të tjera që përkrahnin paradigmën e evolucionit.”[4]
Evolucionistët njihen për shumë manipulime dhe skandale, por më i njohuri është “Njeriu i Piltdaunit”, një kafkë njeriu me një nofull orangutangu, me të cilën e ndërtuan propagandën e tyre në argumentin e të dhënave fosile. Kështu u fabrikua miti “Njeriu i Piltdaunit”, “Njeriu i Nebraskës”, por që pas shumë verifikimeve doli se ishin modifikime të qëllimshme dhe jo fosile të lashta.
“Një doktor i njohur dhe një paleo-antropolog i shquar, Charles Dawson, deklaroi në vitin 1912 se kishte gjetur një kockë nofulle dhe një fragment kafke në një gropë, në Piltdaun, Angli. Megjithse kocka e nofullës anonte më shumë nga ajo e majmunit, ndërsa dhëmbët dhe kafka ishin si ato të njeriut, këto mostra të menduara si 500 mijë vjeçare u etiketuan me emrin “Njeriu i Piltdaunit” dhe u paraqitën në disa muze si prova absolute të evolucionit të njeriut. Jo më pak se 500 doktorata janë shkruar mbi këtë subjekt.”[14]
“Fosilet janë nxjerrë nga toka nga Charles Dawson dhe i janë dhënë Sir Arthur Smith Woodward. Pjesët janë rindërtuar për të formuar kafkën e famshme. Duke u bazuar në kafkën e rindërtuar, janë bërë shumë vizatime e skulptura dhe janë shkruar shumë komente e artikuj. Dyzet vjet pas zbulimit të tij, fosili i Piltdaunit u provua nga një grup kërkuesish se ishte një mashtrim. Ky falsifikim u bë publik në vitin 1953 në analizën e hollësishme të bërë nga Weiner. Kafka i përkiste një njeriu 500 vjeçar, ndërsa kocka e nofullës i përkiste një majmuni të ngordhur pak kohë më parë. Dhëmbët ishin rregulluar më vonë dhe i ishin shtuar nofullës. Bashkimet ishin bërë në mënyrë që të dukeshin si ato të njeriut. Pastaj të gjitha pjesët ishin veshur me dikromat potasiumi për t’i dhënë një pamje të vjetër. Pas gjithë kësaj “Njeriu i Piltdaunit” u hoq me shpejtësi nga Muzeu Britanik ku ishte ekspozuar për më shumë se dyzet vjet.”[1]
Evolucionistët ishin aq mizor dhe dehumanizues, saqë për interes të ideologjisë së tyre poshtëruan shumë njerëz për t’i instrumentalizuar si “fakte evolucioni” ose “forma kalimtare”, ndër ta personi i famshëm afrikan Ota Benga, i kapur në vitin 1904, nga një kërkues evolucionist në Kongo, i ekspozuar në një kopsht zoologjik së bashku me speciet e tjera të majmunëve si “lidhja kalimtare më e afërt e njeriut”. Dy vjet më vonë e dërguan në një kopsht zoologjik në Bronx të Nju Jorkut, ku u prezantua si “stërgjyshi i lashtë i njeriut”, së bashku me disa shimpanze, gorilla dhe orangutangë.

Dhe e dini çfarë ndodhi me Ota Bengën (“formën kalimtare”)? Ai vrau veten, sepse nuk mundi ta duronte trajtimin që i bëhej. E po ndoshta nga të gjitha historitë e vetëvrasjeve që kam lexuar e dëgjuar, vetëvrasja e Ota Bengës për mua mbetet “vetëvrasja më e arsyeshme” ose “vetëvrasja më e kuptueshme”.
Por kishte edhe evolucionistë, shpjegimet e të cilëve na japin një pasqyrë pak më ndryshe, sepse kanë folur për një shpërthim të madh dhe për pandryshueshmërinë e kafshëve në dy periudha: periudha e Kambrianit (periudha e parë e fosileve) dhe periudha e sotshme. Richard Monastersky, botues i “Earth Sciences”, një nga botimet më popullore të literaturës evolucioniste, thoshte për “Shpërthimin e Kambrianit”: “Pesëqind milionë vjet më parë u shfaqën papritur format komplekse të kafshëve që ne shikojmë sot. Ky moment, tamam në fillim të periudhës Kambriane, 550 milionë vjet më parë, shënon shpërthimin evolutiv që mbushi detet me krijesat e para komplekse të botës. Numri i madh i kafshëve të sotme ka qenë i pranishëm që në Kambrianin e hershëm dhe ato ishin të ndara mirë nga njëra-tjetra, ashtu siç janë sot.”[15]
Mendoni pak, si është e mundur tërë ai numër i madh kafshësh ta vërshonin tokën papritur?
Douglas Futuyma, biolog evolucionist i shquar, thotë:
“Organizmat janë shfaqur në tokë plotësisht të zhvilluar ose janë zhvilluar. Në qoftë se janë zhvilluar, ato duhet të zhvillohen nga specie që kanë ekzistuar më parë me anë të ndonjë procesi modifikimi. Në qoftë se janë shfaqur në një fazë plotësisht të zhvilluar, ato duhet të jenë krijuar nga një inteligjencë e plotëfuqishme.”[16]
E vërteta është kjo: Të gjitha gjallesat janë të krijuara nga Zoti i Gjithësisë, nuk janë produkt i evolucionit. Krijimi është proces kompleks i mozaikut të larmishëm të organizmave me ndërhyrje dhe inteligjencë hyjnore. Ato janë krijuar të ndara nga njëra-tjetra, nuk kanë paraardhës të përbashkët, me forma dhe funksione të përsosura, secila me ADN të veçantë. As me Teorinë e Probabilitetit nuk mund të vërtetohet qoftë edhe një proteinë e vetme se mund të formohet nga rastësia, asnjë aminoacid, asnjë molekulë. Ligji i Entropisë dhe Ligji i Dytë i Termodinamikës na bindin edhe më shumë se sa larg është evolucioni nga shkenca. Nga eksperimentet e evolucionistëve nuk ka dalë jo vetëm një specie e re, por as edhe një enzimë e re. ADN-ja dhe ARN-ja, zbulimi i gjenomit, si një nga zbulimet më të rëndësishme të shek. XX, e varrosin evolucionin pa mundësi ringjalljeje.
Por evolucionistët sigurisht se do të ringjallen në Ditën e Gjykimit, jo nga rastësia, jo nga forcat evolutive, jo nga inorganikja, jo nga kaosi ujor, jo nga një paraardhës i përbashkët, por nga Krijuesi i jetës, i Pafillim dhe i Pambarim, Vetekzistues, vullnetin dhe projektimin e përsosur të Të Cilit ata e mohuan dhe e përgënjeshtruan me arrogancë.
Mrekullia e krijimit të qelizës, si sistem aq elegant dhe kompleks, e ka futur evolucionin në një errësirë të plotë e të përhershme. Nëse e zmadhojmë qelizën miliarda herë në diametër gjigant, do të shohim brenda një super teknologji, një mega-qytet që asnjë metropol bote s’i afrohet, që njeriu nuk mund ta imitojë. Inteligjenca njerëzore vetëm mund t’i përkulet Inteligjencës Hyjnore kur ka përballë qelizën. Qelizës nuk i duhet mekanizmi i seleksionimit natyror apo mutacionit që të mbijetojë dhe zhvillohet. I mjafton ligji natyror i vendosur në ekuilibër nga Krijuesi i çdo gjëje.
Pse nuk mendojnë evolucionistët dhe ateistët për harmoninë në organizmin e njeriut? Çfarë dinamike dhe përsosmërie, sidomos nëse shohin trurin që është organ shumëfish më kompleks dhe më i përsosur se organizmi? Si funksionojnë neurotransmiterët dhe si krijohet balanca në sistemet e trurit, na bindin se trurin njerëzor e ka krijuar vetëm Një Qenie Inteligjente.
Po kush i krijoi farat në këtë botë? Ne mbjellim e korrim, por kush është Krijuesi i farave të para të jetës? Cila është përgjigjja e shkencës për këtë pyetje? Hë?
Mendojeni krijimin dhe funksionimin e syrit me të cilin po e lexoni këtë libër, çfarë mrekullie dhe dhuntie keni nga Zoti i Gjithësisë.
Mendoni pak për inteligjencën instinktive të bletës. Kush e frymëzon në ndërtimin inteligjent të strukturave gjeometrike – hojeve gjashtëkëndëshe.
Po ashtu për mrekullinë inxhinierike të rrjetës së merimangës, e cila ndërtohet me gjëndrat pështymore të saj?
Apo për parandjenjën e tërmetit nga milingonat, të cilat funksionojnë si “komunitet i organizuar”. Kush ia dha milingonës dhuntinë e “aparatit sizmologjik”?
Kush ia pajisi mushkonjës sensorët specialë, që gjatë marrjes së sofistikuar të gjakut, proteinave dhe albuminave të nevojshme për t’i bërë vezët, të mos lejojë ngjizjen e gjakut duke lëshuar një enzimë për gjakun që të mos trashet? Po kush e mësoi që të presë në formë sharre dhe jo të shpojë?
A keni menduar pse miza ka shikim panoramik?
A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend pse gjeli sheh rreze të mira ultravjollcë dhe këndon, ndërsa gomari sheh rreze të rrezikshme ultra të kuqe dhe pëllet?
Kush i mësoi delfinët të komunikojnë me telepati?
Apo kush i dha aftësi mendore ketrit që të kujtojë se ku i ka fshehur arrat e tij për muaj të tërë?
Po qukapiku, pse nuk fiton hemorragji nga goditjet e mëdha? Po shqiponja, si arrin ta shohë deri në 3 000 metra prenë e saj? Po salmonët, kush i orienton në dete dhe oqeane? Kush u dha aftësi të veçanta?
Sigurisht se nuk i fituan me evolucion, por me dijen dhe frymëzimin e Të Gjithëdijshmit.
Tani po sjell një listë të gjatë të shkencëtarëve me renome botërore, të cilët janë skeptikë mbi teorinë e evolucionit dhe kanë mospajtime shkencore, që përfshin shkencëtarë nga Akademia Kombëtare e Shkencave e ShBA-së, akademitë kombëtare ruse, hungareze dhe çeke, si dhe nga universitete si Yale, Princeton, Stanford, MIT, UC Berkeley, UCLA dhe të tjerë, që tregojnë me prova të reja shkencore nga shumë disiplina shkencore si kozmologjia, fizika, biologjia, kërkimi i “inteligjencës artificiale” etj., mbi jostabilitetin e kësaj teorie. Pra, ata shprehen skeptikë ndaj pretendimeve për aftësinë e mutacionit të rastësishëm dhe përzgjedhjes natyrore. Ata inkurajojnë që të bëhet një ekzaminim i kujdesshëm i provave për teorinë darviniane. Kjo është deklarata e tyre e famshme:
“Ne jemi skeptikë ndaj pretendimeve për aftësinë e mutacionit të rastësishëm dhe përzgjedhjes natyrore për të llogaritur kompleksitetin e jetës. Duhet të inkurajohet ekzaminimi i kujdesshëm i provave për teorinë darviniane.”[17]
Dhe nuk është i vogël numri i këtyre shkencëtarëve dhe i studiuesve eminentë pasi shifra kalon mijëra sosh, por unë po përmend me emra vetëm disa prej tyre: Paul Ashby – Ph.D. Chemistry, Harvard University; Stanley Salthe – Emeritus Professor Biological Sciences, Brooklyn College of the City University of New York; Braxton Alfred – Emeritus Professor, Anthropology, University of British Columbia (Canada); Raymond C. Mjolsness – Ph.D. Physics, Princeton University; Philip Bishop – Professor of Kinesiology, University of Alabama; Suzanne Sawyer Vincent – Ph.D. Physiology & Biophysics, University of Washington; Hans-Peter Roost – Ph.D. Immunology & Virology; William Harris – Ph.D. Nutritional Biochemistry, University of Minnesota; Peter Line – Ph.D. Neuroscience, Swinburne University of Technology (Australia); Daniel L. Moran – Ph.D. Molecular & Cellular Biology, Ohio University etj.
Ju mund të gjeni mjaftueshëm studime dhe libra seriozë që e rrëzojnë këtë teori monstruoze dhe e çojnë në koshin e plehrave të historisë, si:
1. “Not By Chance: Shattering the Modern Theory of Evolution”dhe “The Evolution Revolution: Why Thinking People are Rethinking Evolution”,nga Lee Spetner;
2. “Darwin on Trial”, nga Phillip E. Johnson;
3. “The Origin of Species Revisited: The Theories of Evolution and of Abrupt Appearance”,nga W.R. Bird;
4. “Darwin Retried: an Appeal to Reason”, nga Norman Macbeth;
5. “Shattering the Myths of Darwinism”,ngaRichard Milton;
6. “A Case Against Accident and Self-Organization”, nga Dean L. Overman.
Prandaj, bazuar në këto evidenca të reja shkencore dhe në bazë të thirrjeve të qindra-mijëra shkencëtarëve që e cilësojnë Teorinë e Evolucionit si dogmë antishkencore, propozoj që urgjentisht të rishikohen tekstet shkollore të biologjisë në Kosovë dhe të hiqet nga planprogramet shkollore dhe universitare kjo teori e dështuar e evolucionit, që ka pësuar disfatë serioze akademike.
Teoria e Evolucionit duhet të zëvendësohet me Teorinë e Kreacionit. Sepse njeriu është vullnet dhe projekt hyjnor dhe unik i krijimit, assesi rrjedhojë e rastësisë, e aksidentit apo e inorganikes. Sepse të gjitha speciet u krijuan dhe erdhën në jetë të veçanta, të pavarura dhe të ndara nga njëra-tjetra. Sepse evolucionistët kanë dështuar të vërtetojnë teorinë e tyre në të gjitha pretendimet, fazat, argumentet, instrumentet dhe të dhënat e tyre, që ideologjikisht janë fabrikime që nuk kanë për qëllim zbulimin e së vërtetës, por shërbimin ndaj materializmit dhe ateizmit./EPIQENDRA.NET
[1] Harun Jahja, Gjunjëzimi i evolucionit, Furkan-ISM, Shkup, 2003.
[2] Charles Darwin, The Origine of Species, Harward University Press, 1964.
[3] Michael Pitman, Adam and Evolution, River Publishing, London, 1984.
[4] Harun Jahja, Fatkeqësitë që solli darvinizmi për njerëzimin, Furkan-ISM, Shkup, 2003.
[5] Charles Darwin, The Descent of Man, New York, A. L. Burt. Co., 1874.
[6] Francis Darwin, “The life and letters of Charles Darwin”, New York, 1896, https://ia601304.us.archive.org/8/items/lifelettersofcha1896darw/lifelettersofcha1896darw.pdf
[7] Labinot Kunushevci: Intervistë me shkencëtarin e mjekësisë, prim. dr. med. sc. Ali Iljazi, Radio Kosova e Lirë, 2016, https://www.radiokosovaelire.com/labinot-kunushevci-interviste-me-shkencetarin-e-mjekesise-prim-dr-med-sc-ali-iljazi/
[8] Alija Izetbegoviq, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Komiteti i Bashkuar Saudit – Ndihmë Kosovës, Prishtinë, 2002.
[9] Pierre Grasse, Evolution of Living Organisms, New York, Academic Press, 1977.
[10] Derek V. Ager, “The Nature of the Fossil Record”, Procreedings of the British Geological Association, v. 187, 1976.
[11] Stephen Jay Gould, Ever Since Darwin, W. W. Norton & Company, New York 1992.
[12] Jerry Bergman, “Darwinism and the Nazi Race Holocaust”, Answers in Genesis, 1999, https://answersingenesis.org/charles-darwin/racism/darwinism-and-the-nazi-race-holocaust/?srsltid=AfmBOoqsDlMWp3KY-py1Si8Mf3jzrtREWJ6DgW6kUoSJ35GbuoYOwmBV
[13] Klaus Mehnert, Kampf um Mao’s Erbe, Deutsche Verlags, Anstalt, 1977.
[14] Stephen Jay Gould, “Smith Woodward’s Folly”, New Scientist, 1979.
[15] Richard Monastersky, “Misteries of the Orient”, Discover, 1993.
[16] Douglas J. Futuyma, Science in Trial, New York: Pantheon Books, 1983.
[17] Dissent From Darwinism, “A SCIENTIFIC DISSENT FROM DARWINISM”, 2023: https://www.discovery.org/m/securepdfs/2023/05/Scientific-Dissent-List-05012023-2.pdf