Shpëlarja e trurit: Cilat të vërteta nuk na i mëson shkolla dhe nuk na i transmeton media?

Epiqendra
By
35 Min Read
35 Min Read

Shkruan: Labinot Kunushevci

Keni dëgjuar për eksponatet e vjedhura nga qytetërimet e tjera, që një qytetërim i mban në muzetë e tij? Kështu e gjithë historia njerëzore është e mbushur me të pavërteta, vjedhje historike dhe gjenocid kulturor, mite dhe legjenda urbane, kulte dhe sekrete të pazbuluara, manipulime dhe agjenda, propaganda dhe shpëlarje masive të trurit, kiç dhe ekskomunikim, viktima të pafajshme e heronj të rrejshëm, ashtu që turmave sociologjike t’u shpëlahet truri dhe të besojnë vetëm në një version të imponuar nga sistemi apo ideologjia e kohës.

Sepse shumë histori janë ndërtuar nga njerëz që kanë poseduar pushtet dhe pasuri, aleanca dhe dominime, autoritet dhe kontroll, nga njerëz që kanë qenë mjeshtër të manipulimeve dhe gropues të sekreteve historike, dredharakë të dëshmive dhe puthadorë të sunduesve, hipnotizues të turmave dhe shterues të potencialit kritik, jo nga e vërteta, realiteti apo fakti. Kjo është jeta në epokën “post-truth” (epoka pas të vërtetës), me një dozë mosbesimi në rritje, ku fjala shkencore nuk është fjala përfundimtare. Pra, ne jemi viktima të historive që i shkruajnë fituesit, jo të ndershmit. Sepse instrumenti më i kobshëm që ka shpikur njeriu kundër vetvetes është ideologjia.

Shihni me kujdes së çfarë manipulimesh me të vërtetën janë bërë me ndihmën e ideologjive, sistemeve, autoriteteve, institucioneve, fuqive dhe agjendave të ndryshme, në periudha e ngjarje historike e sociale, të cilat janë fuqizuar jashtëzakonisht shumë nga mediat, shkollat, universitetet, organizatat dhe elitat e kohës. Këto manipulime nuk ua zbulojnë mediat, shkollat apo organizatat. Përkundrazi, ato ua mjegullojnë dhe instrumentalizojnë të vërtetën.

Ata që mendojnë ndryshe nga turma, zakonisht marrin epitetin publik “njerëz me tru të shpëlarë”. Por kush në të vërtetë është mashtruesi dhe i mashtruari? Kujt i ka penguar e vërteta që ajo të shpërfillet në mënyrë kaq të sofistikuar, që të mos t’i vërehet brutaliteti dhe antinjerëzorja e fshehur?

Po edukojmë gjenerata me të pavërteta të gatuara nga tharmi i ideologjive dhe i sistemeve grabitçare të kohës, i atyre që kanë aftësinë e mpirjes së të menduarit kritik dhe sorollatjes nëpër konspiracione koti Njerëzit inteligjentë gjithmonë do të jenë kureshtarë ta kuptojnë gënjeshtrën dhe ta mësojnë të vërtetën. Argumentet sociologjike dhe referencat shkencore që kam përdorur këtu do ta japin përgjigjen, e cila shumë vështirë gjendet në librat e tjerë të shkencave humane e sociale, të cilët shpeshherë e kanë relativizuar, gati edhe rehabilituar, fajësinë dhe fajtorët e vërtetë. Ata që priren të mendojnë si turmat, janë potencialisht më afër manipulimit.

Kur e vërteta bëhet monopol i një grupi, pushteti a sistemi, të gjithë janë të mashtruar, të gënjyer, të ekskomunikuar dhe në terr informativ. Ka shumë ngjarje e fenomene, arritje e rezultate, kontribuuesit dhe autorët e të cilëve s’do t’i njihni kurrë nëse nuk provoni të shihni përtej hundëve të shkollës dhe mediave. Nëse i shikoni gjërat me sytë e turmave, dijeni se shikimi i tyre është shumë më i shkurtër për t’i kapur disa realitete të thella.

Shumë njerëz nuk arrijnë apo nuk duan të shndërrohen në protagonistë dhe sensacion të ngjarjeve. Por nëse shoqëria nuk i njeh si fytyra apo emra të famshëm, nuk do të thotë se kontributi i tyre është i vogël apo i parëndësishëm. Në epokën e ekipeve, ndryshimet shoqërore nuk ndodhin nga një person, sado i zoti të jetë ai. Ngjarjet e mëdha varen thelbësisht nga rrjeti i resurseve humane dhe profesionale, që shumë njerëz karizmatikë e të vetëkënaqur e injorojnë. Injorimi i meritave është një nga gabimet më të mëdha sociologjike dhe një nga mëkatet më të pafalshme historike.

Mbaj mend se në tekstet shkollore të shkencave sociale, sidomos në lëndën e Edukatës qytetare apo të Sociologjisë, kur trajtohet pajtimi i gjaqeve ndër shqiptarë, aty hasim vetëm një protagonist, Anton Çettën. Sigurisht se kontributi i jashtëzakonshëm i Çettës nuk kontestohet dhe ai gëzon merita për punën e tij humane, kulturore dhe akademike, ku shoqëria shqiptare do t’i jetë gjithmonë mirënjohës. Por pse nuk përmendet gati askund që Çetta bashkëpunonte edhe me figura dhe personalitete të tjera, kishte një ekip fantastik të shpërndarë nëpër rajonet e Kosovës dhe nuk ishte i vetëm në themelimin e pajtimit të gjaqeve? Pak njerëz e dinë që hoxha i nderuar, Idriz Dërmaku, ishte i përzgjedhur nga Çetta për ta përfaqësuar rajonin e Anamoravës në pajtimin e gjaqeve. Pak njerëz e dinë që hoxha i nderuar, Idriz Kakruki, ishte një ndër themeluesit e parë të pajtimit të gjaqeve në Kosovë. Pra, kishte priftërinj dhe hoxhallarë, profesorë dhe akademikë, intelektualë dhe njerëz të urtë, të mençur e inteligjentë, me autoritet moral në shoqëri, që ndërmjetësuan dhe pajtuan gjaqet e familjeve të hasmëruara në vitet ’90-të.

Shembuj se si lavdia mbi shumë shpikje, zbulime, kontribute dhe autorësi ishte e rrejshme dhe jo e merituar, gjejmë gjithandej historisë, si në rastin e strategut të njohur luftarak, Napoleon Bonaparta, për të cilin autorja Emily Brunte thoshte se ai vodhi strategjitë ushtarake nga Khalid ibn al-Walid, komandanti më i suksesshëm ushtarak mysliman, i cili fitoi mbi 100 beteja luftarake, pa asnjë humbje, një fakt ky ë cilin autori i librit “The 33 Strategies of War”, Robert Greene, nuk e përmend në librin e tij. Madje Brunte thekson se po të mos ekzistonte Khalid ibn al-Walid, sot bota nuk do ta njihte Bonapartën.

Dilemat mbi autorësinë e shumë shpikjeve në industri dhe teknologji kanë çuar shumë nga gjenitë e kohës në beteja dhe konflikte ndërmjet vete, si në rastin e dy pionierëve të famshëm të elektricitetit, Thomas Edison (që kishte mbi 1000 patenta) dhe Nikola Tesla (rreth 300 patenta). Madje thuhet se në vitin 1884, Edisoni i premtoi Teslës 50 000 dollarë për t’i rregulluar problemet me energjinë DC, pavarësisht se energjia alternative AC e Teslës ishte më efikase, por Edisoni nuk e pagoi kurrë Teslën duke pretenduar se premtimi ishte një shaka. Në fund, Edisoni përpiqej ta diskreditonte sistemin alternativ AC të Teslës përmes fushatave dezinformuese. Por Tesla qëndronte i fuqishëm për të dëshmuar sigurinë e këtij sistemi alternativ, që edhe sot gjen përdorim më të gjerë. Dhe në anën tjetër, Edisoni vazhdonte me punën e tij, ku ndër të tjerash, financoi projektin e karriges elektrike, si një metodë më “humane” sesa varja, gjë që bëri që shteti i Nju Jorkut ta adoptonte karrigen elektrike në 1890.

Shumë nxënës dhe studentë sot kur përmendet shpikësi i radios, mësojnë emrin e sipërmarrësit italian Guglielmo Marconi. Por i njëjti, në kontributin e tij për transmetimin e parë të radios kishte përdorur teknologjinë nga 17 patenta të Teslës. Të dy këta u përfshin në një luftë patentash. Në fakt, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara revokoi patentat e radios të Marconit në 1943 në favor të Teslës dhe dy shkencëtarëve të tjerë, Oliver Lodge dhe John Stone. Ai i hapi rrugë edhe energjisë së pastër kur pa fuqinë e ujit në Ujëvarat e Niagarës. Nëntë nga dymbëdhjetë patentat e përdorura për të ndërtuar një nga stacionet e para hidroelektrike në botë, të ngritur në Niagara Falls, Nju Jork, i përkisnin Teslës.[1]

Por ne harrojmë edhe një fakt, që duhen shumë njerëz dhe resurse për të shpikur një telegraf, një motor me avull, një gramafon, një telefon, një sistem energjie të drejtpërdrejtë, siç e kishte Edisoni (DC), apo sistem energjie alternative, siç e kishte Tesla (AC), ose çfarëdo inovacioni të rëndësishëm që revolucionarizon mënyrën e jetesës, por në fund, një njeri, protagonist i novacionit, e merr meritën dhe patentën për të, ndërsa harrojmë të tjerët që i ndihmuan atij në atë proces shpikjeje shumë kompleks.

Kështu, sa herë përmenden Apple apo Macintosh, mendja na shkon te Steve Jobs, por harrojmë bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Steve Wozniak, që ka merita të pamohueshme në vendosjen e themeleve të para. Kur përmendim Microsoft, na sillet vërdallë emri Bill Gates, por pranë tij gjithmonë ishte, jo vetëm fizikisht, Paul Allen, që pak njerëz e njohin. Ose kur përmendet sistemi i parë komercial i menaxhimit të bazës së të dhënave, gjiganti softuerik Oracle, ne kujtojmë Larry Ellison, por nuk duhet harruar kontributin e Rober Miner.

Pra, a mos ndoshta harrohen bashkëthemeluesit, pasi nuk janë në qendër të vëmendjes, apo se nuk kanë qenë të interesuar në promovimin e vetvetes?!

Të mos e harrojmë edhe një fakt tjetër: shumë heronj të vërtetë bota nuk i shpërbleu me asgjë, përveç trishtimit, refuzimit, paragjykimit, diskreditimit, komprometimit, sabotimit dhe depresionit, gjersa ata përmirësuan jetën e njerëzve.

Shumë njerëz mediokër historikisht kanë luftuar për të përvetësuar patentat e gjenive të vërtetë, duke i shitur shpikjet e të tjerëve, sepse nuk e kishin as idenë e as fuqinë ta realizonin vetë. Pra, thjesht ata tregonin gjenialitet në mashtrime dhe pirateri, ishin promovues të fortë, krijonin lidhje me kapitalistët e kohës, manipulonin suksesshëm me psikologjinë e turmave, imponoheshin si protagonistë, por nuk ishin gjeni në shpikje reale, sepse u mungonte vizioni shpikës.

Kur flitet për zbritjen e parë në Hënë, më 1969, nga Apollo 11, të gjithëve na kujtohet vetëm Neil Armstrong, por harrojmë se bashkë me të ishin edhe Buzz Aldrin dhe Michael Collins.

Ja një shembull tjetër i fanatizmit dhe i nacionalizmit rus, se si njerëzit në Rusi besonin se pjesa dërrmuese e zbulimeve dhe e shpikjeve të mëdha në kohën moderne ishin vepër e rusëve dhe atyre u takonte merita për këtë. Kështu për ta nuk ishte Lavoisier ai që vendosi ligjin mbi strukturën e atomit, porse kjo gjë ishte meritë e shkencëtarit rus Mikail Lomontosov, apo gjithashtu nuk i takonte merita Edisonit apo Teslës  për përdorimin e rrymës elektrike për ndriçim, pasi këtë e kishte bërë rusi Leugen gjashtë vjet më parë. Ndërkohë që gazeta Pravda shkruante se shkencëtarët rusë arritën të shpiknin shërbimin telegrafik para Morsit, si dhe zbuluan lokomotivën me avull para Stefensonit, si dhe të tjera pretendime në histori, të cilat kishin një nxitje të vetme: fanatizmin nacionalist dhe shenjtërimin e Rusisë.[2] Në vitin 1896 Tesla botoi artikullin shkencor për rrezet X, për të cilat më vonë Wilhelm Rontgen do ta merrte patentën.

Të gjithë nxënësit dhe studentët në botë sot mësojnë se Hillary dhe Tenzing ishin personat e parë që pushtuan Majen e Everestit më 1953. Por pak prej tyre lexojnë se “pushtimi i parë” ka elemente misteri, sepse dyshohet nëse para tyre, George Mallory dhe Sandy Irvine, në një ekspeditë britanike, u ngjitën më 1924, të cilët nuk u kthyen të gjallë. Ndonëse është gjetur çizmja, bombola e oksigjenit, thika, shkronja, një këmbë e shkëputur në një çizme, por kamera e tij që synonte të dokumentonte pushtimin e majës nuk është gjetur kurrë, ashtu si fotografia që Mallory synonte ta linte në majë. Shumë njerëz mungesën e dokumentimit fotografik të ngjitjes në majë të Mallory dhe Irvine e marrin si argumentin më të qëndrueshëm. Por as Hillary dhe Tenzing nuk na kanë sjellë ndonjë fotografi nga maja e famshme! A mos ndoshta kishte banorë të Tibetit dhe të Nepalit që e pushtuan më herët majën?

Më 1 maj 1999, alpinisti amerikan Conrad Anker, anëtar i një ekspedite ndërkombëtare kërkimi, gjeti trupin e Mallory të ngrirë në rrënoja në lartësinë 8,159 metra. Këmba e Mallory ishte thyer dhe dëmtimet e rënda në kokë ishin të dukshme – qartë si rezultat i një rënieje. Ka disa mundësi sesi trupi i Irvine mund të kishte rënë në Akullnajën Qendrore Rongbuk.[3]

A keni menduar ndonjëherë pse binjakët Winklevoss (Cameron dhe Tyler) dhe partnerja e tyre e biznesit, Divya Narendra, i ngritën një padi Zuckerbergut, të cilin e akuzuan se ua vodhi idenë e tyre për një rrjet social, që më vonë u bë Facebook? Ata pretenduan se kishin punësuar Zuckerbergun për t’u ndihmuar në kodimin e faqes së tyre ConnectU në vitin 2003, ndërsa ai ishte student në Harward, por Zuckerbergu dyshohet se përdori idenë e tyre për të krijuar platformën e tij Facebook.

Një nga zbulimet e tjera shkencore epokale është zbulimi i strukturës gjenetike ADN, zbulim ky që u njihet shkencëtarëve Jim Watson dhe Francis Crick, sipas artikujve të botuar në revistën shkencore “Nature” në vitin 1953, por siç duket nuk u vlerësua si duhet kontributi i Rosalind Franklin, e cila natyrisht se, sipas Matthew Cobb, po ta mbërrinte kohën e shpalljes së çmimeve Nobel kur u dhanë Watsonit dhe Crickit, do të duhej t’i jepej edhe Franklinit.

Është e qartë se, po të kishte jetuar Franklin, komiteti i çmimit Nobel duhet t’i kishte dhënë asaj gjithashtu një çmim Nobel – kuptimi i saj konceptual i strukturës së molekulës së ADN-së dhe rëndësisë së saj ishte në të njëjtin nivel me atë të Watson dhe Crick.[4]

Dhe të mos e harrojmë edhe një gjë tjetër: sa herë del një novator me një shpikje të re, alternative ndaj industrive që mbajnë monopolin e resurseve, do të rrezikohet nga fuqia e tyre e madhe. Pra, ose nuk do të patentohet shpikja e tij, ose do të komprometohet nga autoritetet, ose vetë shpikësi do të shuhet e zhduket, minimalisht do të demoralizohet. Gjenialiteti ishte aq i thellë, saqë kur nuk kuptoheshin nga turmat apo elitat e kohës, shpalleshin të çmendur.

Shoqëria njerëzore e ka edhe një faqe lavdikeqe të historisë: heronjtë e rrejshëm. Për shembull, të gjithë e njohim historinë e terroristit Gavrilo Principit, që vrau Franz Ferdinandin më 1914, vrasje kjo që thuhet se çoi në Luftën e Parë Botërore. Principi ishte një terrorist, ndërsa Serbia e konsideron si hero dhe dëshmor të serbizmit.

Instituti Kulturor i Çuprijës paturpësisht shpalli “konkursin për krijimin e një murali për gjeneralin Nebojsha Pavkoviç”, mural ky që do të vendosej në afërsi të Sheshit të Përkujtimit të Viktimave të Agresionit të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999. Pra, Nebojsha Pavkoviç ishte një ish-gjeneral i Ushtrisë Jugosllave, i cili vuan dënimin me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa Serbia synon ta “rehabilitojë” dhe “relativizojë” kriminelin e llojit të tij, duke e “heroizuar” nëpërmjet muraleve të ndyra. Siç thoshte Jovana Kolariç, nga Organizata Humanitare me qendër në Beograd: “Kjo është një “vazhdim” i politikës së shtetit serb për të mohuar krimet e luftës.[5]

Kush ka lexuar për Inkuizicionin, e di fare mirë çfarë krime monstruoze janë bërë në atë periudhë. Por kjo botë, katërçipërisht e padrejtë, njohu dhe shpalli “Dëshmorët e kauzës së Inkuizicionit”! Largësia ndërmjet dëshmorëve të vërtetë dhe kriminelëve të Inkuiziconit, sigurisht është më e madhe sesa largësia ndërmjet tokës dhe vrimave të zeza. Më shumë gjasa ka të “preket” singulariteti i vrimave të zeza (aty ku supozohet se nuk ekziston koncepti kohë dhe hapësirë), sesa një kriminel inkuizicioni të bëhet dëshmor historie. Sepse dëshmorët sakrifikohen për ideale, terroristët sakrifikohen për krime.

Nuk është çudi, pasi edhe Car Lazarin, pushtuesin e tokave të Kosovës, që është jo më pak kriminel sesa Car Dushani, i cili luftoi për asimilimin dhe shfarosjen e shqiptarëve, na e portretizuan si hero. Lazari edhe mund të jetë hero i serbëve, sepse serbët ende vuajnë nga halucinacioni mitologjik. Por çfarë kërkon Car Lazari te historiografia shqiptare?!

Po çfarë kërkuan ata shqiptarë tradhtarë që u inkuadruan si partizanë të komunizmit dhe kryen krime kundër popullit të vet, kryen krime kundër antikomunistëve? Ata flisnin shqip, por mendonin serbisht. Dehja me ideologjinë komuniste është më e rrezikshme sesa dehja me alkool. Dehja me alkool mund të kalojë për disa orë ose ditë, ndërsa dehja me ideologji është mpirje që mund të zgjatë për shekuj.

Krimet kundër antikomunistëve mund t’i kuptojmë kur ato vijnë, fjala vjen, prej rusëve, siç shpjegon studiuesi Bajram Mjeku, se policia sekrete ruse në pyllin e Katinit në Poloni, në prill të vitit 1940, masakroi rreth 22 mijë oficerë dhe intelektualë polakë antikomunistë. Por si t’i kuptojmë krimet e shqiptarëve komunistë ndaj shqiptarëve antikomunistë? A nuk kishin një fije turpi e nderi ndaj rilindësve shqiptarë, ndaj asaj renesance që u ngre duke luftuar sistemet totalitare, sepse ndryshe nacionalizmi shqiptar do të ishte i shfytyruar, i deformuar dhe i paaftë për të krijuar identitet shqiptar?

Mungesa e vullnetit dhe e gatishmërisë së qeverisë qendrore dhe asaj lokale në Prishtinë për ngritjen e një memoriali përkujtimor për 350 anëtarët e familjeve elitare fisnike të Prishtinës, që u masakruan mizorisht nga partizano-çetnikët serbë më 1944, është argument se neokolonializmi është prezent si vetëdije e topitur.

Fjalët e gazetarit Pickthall, të New York Times, meritonin të gravoheshin diku, kur ai shkruante se masakrat e serbëve në Kosovë, nën Kryqin e Krishterë, kapërcenin çdo instinkt gjakpirësie. Studiuesi Milazim Krasniqi na sjell raportimin e konsullit austro-hungarez në Shkup, i cili raportonte:

Me të hyrë në Prishtinë më 22 tetor 1912, forcat ushtarake serbe kishin ekzekutuar pesë mijë shqiptarë. Dëshmitë e tjera për masakrat në Prizren janë edhe më tronditëse. Ato rrëfejnë se gjaku i të vrarëve ka rrjedhë si uji nëpër rrugicat e qytetit. Megjithëkëtë sakrificë sublime, deri sot Shqipëria nuk ka bërë asnjë gjest nderimi për ato mijëra viktima të gjenocidit serb, të ndërmarra me qëllim të pengimit të krijimit të një shteti shqiptar në Ballkan. Së paku një memorial për to ka mundur të ngrihej diku, qoftë edhe në një kodër të vetmuar, nëse jo në kryeqytetin e shtetit shqiptar. Nëse Serbia ka ngritur memorial për ushtarët francezë, që e kanë ndihmuar në Luftën e Parë Botërore, pse nuk ka mundur Shqipëria ta ngrejë një memorial për kontributin e shqiptarëve të Kosovës për të?[6]

Kthehemi në Kosovë, te presidenti historik, Ibrahim Rugova, biografinë intelektuale të të cilit e lexoj me ëndje, sidomos atë të shkrimtarit në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Por jam irrituar shumë kur e kam kuptuar nga njëri prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, studiuesi Milazim Krasniqi, sipas të cilit:

Pikërisht këtë shoqatë e cila e bëri Rugovën lider të shqiptarëve, e zhduku vetë Rugova nga skena, pasi me urdhrin e tij, objekti i shoqatës u shndërrua në “muze të pavarësisë”, ku i ekspozoi të bëmat e veta.”, duke fshirë kontributet e gjithë asaj elite intelektuale që bota shqiptare nuk do të njohë më si ajo.[7]

Ne nuk duhet t’i harrojmë vetëm armiqtë tanë, duhet t’i kujtojmë edhe miqtë tanë që na ndihmuan në krijimin e shtetit, të kombit dhe të identitetit shqiptar kulturor. Kush e di që revistën “Albania”, që dilte në Bruksel, të Faik Konicës, e financoi Perandoria Austro-Hungazere? Kombi shqiptar u ka shumë borxh austro-hungarezëve, sepse faktet e reja dëshmojnë se ata ndihmuan shqiptarët të pavarësoheshin, ta formonin shtetin shqiptar (Konferenca e Londrës), të krijonin media, të hapnin shkolla në gjuhën shqipe, ta zhvillonin shtypin shqiptar, të studiojnë nëpër universitete në Austri etj. Perandorisë Austro-Hungareze as nuk ia ndiente që serbët, grekët, malazezët, bullgarët me aleatët e tyre rusë, francezë e anglezë, ishin për copëtimin e tokave shqiptare dhe shpërbërjen e kombit shqiptar, duke zhvilluar një komplot.

Në një rast, kur i pyesja nxënësit në një shkollë: “Pa cilin shtet sot Kosova nuk do të ishte shtet?” Të gjithë e dinin se ishte Amerika. Por kur i pyesja: “Pa cilin shtet Shqipëria nuk do të ishte shtet?” Askush nuk e dinte se pa Austro-Hungarinë nuk do të kishte Shqipëri.

Të mos harrojmë edhe se pushtimi nazist gjerman dhe ai fashist italian ishte i favorshëm për shqiptarët që po përjetonin çizmen koloniale serbe mbi qafë, sepse ua mundësoi ta krijonin identitet dhe t’i hapnin shkollat shqipe në pak kohë.

Të ndalemi pak tek industria farmaceutike apo “Big Pharma”. Sot kemi të bëjmë me një elitë të intelektualëve, të profesorëve apo të shkencëtarëve, të cilët sfidohen para ofertave dhe sponsorizimeve të kompanive gjigante industriale. Mendjet, revistat, librat, punimet shkencore, qëndrimet dhe teoritë e tyre dorëzohen dhe diskreditohen duke lejuar që ndërgjegjja e tyre akademike të korruptohet, kështu duke mashtruar qytetarin përmes manipulimit të opinionit dhe informacionit publik, ndihmuar nga shpëlarja e trurit që bëhet përmes mjekëve apo profesionistëve shëndetësorë të instrumentalizuar.

Këtë e kanë bërë shumë herë kompanitë e fuqishme farmaceutike duke instrumentalizuar mjekë, duke korruptuar shkencëtarë, duke kontrolluar teoricienë të mjekësisë. Dhe për këtë po e sjell një dëshmi: Sipas një artikulli në Daily Mail, dokumentet e sapozbuluara tregojnë se industria e sheqerit ka paguar dhe korruptuar shkencëtarët prestigjiozë të Harvardit që të publikojnë hulumtime që thonë se yndyra, jo sheqeri, ishte shkaku kryesor i sëmundjeve të zemrës.[8]

Krejtësisht e ndryshme ishte përvoja e disa mjekëve në të kaluarën që eksperimentonin me trupin e tyre, duke vetinjektuar mikrobe të murtajës, në kërkim të gjetjes së ilaçit dhe gjenin vdekjen pas pak kohësh. Por sot, kur shkenca ka arritur nivelin që për ta konfirmuar një sëmundje apo për ta zbuluar një ilaç, nuk rrezikohet jeta e askujt, sepse ka mjaftueshëm metodologji shkencore, diagnostike, radiologjike, teknologjike e laboratorike të sigurta, prapë disa “ekspertë shkencorë”, të verbuar nga lakmia për para, injorojnë këto mundësi.

Ka dhe një rrezik tjetër, kur shumë hulumtues shkencorë, me integritet akademik, që posedojnë të dhëna të pa publikuara, kur duan ta flasin një të vërtetë mbi shëndetin publik, frikësohen, sepse gjithmonë sfidohen para disa autoriteteve që kanë fuqinë t’ua marrin licencën, sepse ajo e vërtetë mund ta cenojë logjikën e fitimit të një industrie apo kompanie farmaceutike.

Në këtë rast, na kujtohet fenomeni “Big Pharma”, që neuropsikiatri i njohur, njëherësh recensenti i librit tim, Afrim Blyta, në një Podcast në RITWELLS, shpjegoi:

Ata që e udhëheqin modelin aktual medicinal nuk janë të interesuar për ta zhvilluar parandalimin e sëmundjes. Mjekët sot nuk janë shkak i modelit aktual medicinal, por ata janë pasojë. Prapa saj qëndron industria farmaceutike e cila lufton për profit dhe bën shpëlarje të vazhdueshme të trurit të mjekut. Themelues i modelit aktual medicinal është dikush që s’ka lidhje me mjekësi, ai është Rockefeller, një prej njerëzve më të pasur të fund-shekullit XIX dhe fillim-shekullit XX, i cili e ka kuptuar që prej naftës mundet me u marrë me industri kimike dhe prej industrisë kimike mundet me prodhu barëra. Dhe ai është themelues i industrisë së parë farmaceutike në SHBA. “Big Pharma” janë 7-8 kompani të mëdha botërore farmaceutike, cilado prej tyre ka më shumë profit sesa krejt kompanitë ajrore në botë. Në farmakologji, në universitet, mësojmë për “medikamentin ideal” si një medikament që shëron shpejt, nuk ka efekte anësore dhe nuk kushton shtrenjt. Industria farmaceutike i ka standardet e “medikamentit ideal”: një medikament që nuk shëron, por trajton sa më gjatë, mundësisht tërë jetën dhe të kushtojë sa më shumë që është e mundur. Pra, kontrolli i tyre është shumë i madh. Kështu shndërrohet pacienti si ajo lopa e lidhur në stallë të cilën ti mund ta mjelësh sa herë të duash.[9]

Të ndalemi te pyetja: A na shtyu dhuna ta pranojmë një fe që e ndalon dhunën? Kur urrejtja patologjike tejkaloi kufijtë, u fabrikua edhe një mit tjetër se shqiptarët e pranuan fenë islame, të shtyrë nga dhuna në kohën e Perandorisë Osmane.

Këtë deklaratë skandaloze mund ta dëgjoni sot nga disa historianë sharlatanë dhe demagogë shqiptarë, që për fatin e keq janë bërë edhe autorë tekstesh shkollore, profesorë universitarë dhe akademikë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (AShAK). Kjo ide ka dominuar dhe është mbrojtur fuqishëm nga shumë mekanizma publikë institucionalë. Do të thotë, këtë qëndrim e ka mbrojtur shteti, elitat intelektuale kulturore e arsimore, organizatat, mediat dhe është përhapur si metastazë në opinionin publik.

Mirëpo ka shumë qëndrime shkencore serioze nga historianë dhe institute prestigjioze që e demantojnë pretendimin se shqiptarët janë detyruar dhunshëm të konvertohen në Islam në kohën e Perandorisë Osmane.

Po e marr për referencë vetëm njërin prej tyre, një nga autoritetet më të besueshme në fushën e historisë në botë, një mik të madh të shqiptarëve, një studiues me renome botërore, që e ndriçoi çështjen historike të Kosovës në qarqet më të larta akademike në botë, Noel Malcolm, i cili në studimet e tij e mohon dhunën si faktor dhe mekanizëm force të Perandorisë Osmane për konvertimin e shqiptarëve në myslimanë. Ai gjithashtu mohon edhe qëndrimin e elitave fetare që pretendojnë se ishte besimi dhe vetëdija fetare faktori i vetëm i konvertimit të shqiptarëve në Islam. Pra, kishte diçka më shumë, përtej forcës dhe vetëdijes, diçka më komplekse. Sigurisht Malcolm është më i mençur dhe nuk ka bindje raciste ndaj fesë apo formime materialiste-marksiste, nuk e trajton Islamin ndër shqiptarë, siç e trajtonte Kadare, i cili e quante Islamin “mall i fshehur dhe i kontrabanduar në bagazhe”. Malcolm askund nuk e përmend që ndihej i gëzuar që diktatori Enver Hoxha arriti ta dobësonte Islamin ndër shqiptarë, si “gjeniu i letrave Kadare”. As ta kushtëzojë identitetin evropian të shqiptarëve me rikthimin në krishterim, si gjeniu Kadare, të cilit i iku Nobeli.

Gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2023, Malcolm ishte i ftuar në emisionin Pressing në T7. Në pyetjen: “Shqiptarët, e kanë pranuar Islamin në mënyrë të vullnetshme apo me dhunë?” – ai u përgjigj:

Sa i përket forcës, përgjigjja e përgjithshme mendoj se është e qartë, nga shumë analiza të mira historike, të mbështetura në dokumente të Arkivave të Stambollit dhe llojeve tjera të dëshmive. Përgjigjja është jo. Forca nuk ishte faktor i rëndësishëm. Në mënyrë shumë të jashtëzakonshme, në disa raste, pas një revolte, një zonë mund të ketë pasur një lloj të masave të paqësimit, të cilat mund ta përfshinin, të paktën në letër, detyrimin e njerëzve që të konvertoheshin, por këto ishin përjashtime absolute, kjo nuk ishte gjëja e zakonshme. Ka shumë studime për islamizimin në periudhën e hershme osmane, është temë shumë e ndërlikuar. Përshtypja e përgjithshme është se (kovertimi) ishte pothuasje gjithmonë vullnetar, se arsyet, motivet për individët mund të kenë qenë shoqërore dhe financiare, deri në një shkallë sepse jomuslimanët paguanin një taksë tjetër, haraçin e famshëm ose “jizyah”, por mos harroni që, kur bëheshe musliman, ju e paguanit zekatin, taksën e armatimit, që ishte formalizuar dhe të krishterët nuk e paguanin atë. Nuk do të them presioni, por nxitjet shoqërore, nganjëherë, nëse një anëtar i familjes suaj ishte bërë musliman dhe kishte karrierë të mirë e kishte ndikim, ju mund të donit që t’i bashkoheshit atij për të përfituar më shumë nga ndihma dhe mbështetja e tij. Kur një grup njerëzish në një fshat konvertoheshin, disa prej të tjerëve mund të dëshironin që t’u bashkoheshin nëse ata ishin grupi mbizotërues. Sigurisht, çështja e taksave në një periudhë u bë një lloj presioni financiar, sepse, edhe pse mendoj se sistemi i përgjithshëm nuk ishte në masë të rëndë kundër të krishterëve, në kohë lufte, për shembull, ata vendosnin taksa të posaçme, ato ishin kryesisht për njerëzit jomuslimanë, pra kishte faktorë të ndryshëm. Një faktor që unë nuk po e përfshij shumë, është ai të cilin ne do ta mendonim si motivi fetar. Kur ne sot mendojmë për konvertimin e njerëzve, mendojmë pothuajse tërësisht për besimin fetar dhe mendoj se kjo është anakronike, nëse mundohemi që ta analizojmë periudhën e islamizimit osman. Dimë shumë pak për atë se në çka besonin njerëzit, por feja përgjithësisht ishte një lloj besnikërie shoqërore ndaj komunitetit.[10]

/ EPIQENDRA.COM

Referenca:


[1] Lauren Kent, “The Nikola Tesla inventions that should have made the inventor famous, such as the ‘teleautomaton,’ ‘shadowgraphs’ and possibly a death ray”, CNN, 2019, https://edition.cnn.com/2019/10/25/world/most-famous-tesla-inventions-scn/index.html

[2] Ebu Hasen En-Nedeuij, Çfarë humbi bota me dobësimin e muslimanëve, ALSAR, 2020.

[3] Stefan Nestler, “Mount Everest: The 100-year mystery of Mallory and Irvine”, Deutsche Welle, 2024, https://www.dw.com/en/mount-everest-the-100-year-old-mystery-of-mallory-and-irvine/a-70524517

[4] Matthew Cobb, “Sexism in science: did Watson and Crick really steal Rosalind Franklin’s data?”, The Guardian, 2015, https://www.theguardian.com/science/2015/jun/23/sexism-in-science-did-watson-and-crick-really-steal-rosalind-franklins-data

[5] Milicia Stojanovic, “Proposed Mural of Serbian General ‘Glorifies War Criminal’”, Genocide Watch, 2024, https://www.genocidewatch.com/single-post/proposed-mural-of-serbian-general-glorifies-war-criminal

[6] Milazim Krasniqi, NACIONALIZMI SHQIPTAR, Logos-A, Shkup, 2017.

[7] Milazim Krasniqi, SEKRETET QË NUK I MORI ME VETE IBRAHIM RUGOVA, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2017.

[8] Mia De Graff, “Revealed: How the sugar industry paid prestigious Harvard researchers to say fat (NOT sugar) caused heart disease”, Daily Mail, 2016: https://www.dailymail.co.uk/health/article-3785753/How-sugar-industry-paid-prestigious-Harvard-researchers-say-fat-NOT-sugar-caused-heart-disease.html

[9] Ritwells, “Dr. Afrim Blyta: Shëndeti parandalues, mjekësia holistike & keqkuptimet në modelin aktual medicinal”, 2024, https://www.youtube.com/watch?v=9h_4xuGD0NQ

[10] PRESSING | T7, “Malcolm, historiani që i tregoi botës historinë e Kosovës”, 2023, https://www.youtube.com/watch?v=41-0WUAdf5A

Share This Article