VILDANA-Foundation sponsorison pikturën e një fëmije të talentuar me autizëm

Epiqendra
By
3 Min Read
3 Min Read

Për nder të përvjetorit nga ndarja e jetës së Vildanës (15.10.2018), Fondacioni VILDANA i themeluar në Zvicër për mbështjetjen e studentëve të talentuar me bursa, ka sponsorisuar një pikturë të një fëmije të talentuar me autizëm, nga Asociacionit Nacional të Autizmit Kosovë – ANAK.

Sot u bën 5 vite që nga ndarja e jetës së Vildanës. Ajo u nda fizikisht nga ne, por emri, shpirti dhe karakteri i saj human vazhdon të jetë i pavdekshëm dhe thellë i ngulitur në vizionin e VILDANA-Foundation. Jeta e saj humane dhe profesionale, personaliteti fisnik dhe ëndrrat e saj, mbeten frymëmarrja e fondacionit, inspirimi dhe motivimi ynë kryesor, që ta çojmë përpara idealin e saj për një shoqëri të suksesshme, me studentë të talentuar e të mbështetur, që nesër do të japin kontributin e tyre në shoqëri. Për nder të përvjetorit të saj, ne po paraqesim para jush një pikturë ekskluzive abstrakte moderne, të punuar nga një fëmijë autik, L.Z., që vjen nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, dedikuar VILDANA-Foundation, pikturë kjo që fondacioni e ka sponsorizuar në mbështetje të fëmijëve autikë, janë shprehur nga fondacioni në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Më poshtë gjeni një përshkrim interesant mbi piktorin e talentuar L.Z, të cilin Fondacioni VILDANA e ka siguruar nga ANAK:

Prej një 4 vjeçari kur ka filluar të marrë shërbim terapeutik, tashmë me 13 vitet e tij të jetës, është adoleshent e shtathedhun si nxënës i shkollës së mesme të ulët. Vazhdon të ndjekë rutinat e shkollës, e duket se më me qejf qëndron në orën e pikturës, gjuhës angleze dhe edukatës muzikore. Në anën tjetër, papastërtia dhe parregullsia në rrugë, mund ta shqetësojnë si dhe kur ka qenë më i vogël kontenierat e mbeturinave i ka uruar për efektin e tyre mbledhës. “Dhuna e ndaluar”, fraza që përsërit vazhdimisht kur sheh akte të dhunës të shfaqura në lajmet e mbrëmjes në televizor, të cilat i ndjekë rregullisht, për të pasqyruar shpirtin paqësor e dashurinë për njerëzit, energji të cilën dëshiron ta transmetojë tek njerëzit e tjerë. Dhe, jo më kot dy figurat historike që i pëlqejnë dhe kërkon të shfletojë librat e tyre apo të vizatojë shtatoret e tyre, janë Dr. Ibrahim Rugova dhe Nëna Terezë. Pasioni për pikturën doli të jetë edhe produktiv. Gjatë vitit të kaluar ka arritur të shes numër të konsiderueshem të pikturave, 27 sosh, duke siguruar kështu vetë shërbimin terapeutik për gjithë vitin 2022. L. po rritet e ka filluar të kujdeset për veten edhe financiarisht.

/ EPIQENDRA.COM

TAGGED:
Share This Article