Autori i mirënjohur Shkelzen Marevci së fundi ka botuar veprën e tij me tregime “Shihe Zotin”, një libër që flet për madhështinë e Zotit. Marevci është i njohur për stilin e veçantë të shkrimit dhe artikulimit, për qasjen e tij kritike dhe kreative, që nxitë refleksione psikologjike, sociale e shpirtërore, me mënyrën se si i ndërton dhe ndërthur tregimet, përvojat, shembujt, alegoritë dhe metaforat me imagjinatën e tij artistike, me nuanca sociologjike. Ai është autor i shumë librave, por gjithmonë e mbanë lexuesin të freskët me veprat e tij markante e shpërthyese.
“Një libër i vogël në faqe, por i madh në peshë shpirtërore. Një udhëtim nga atomi te galaktikat, udhëtim nëpër gjurmët e krijimtarisë së Krijuesit që nuk shihet me sy, por shihet në sy dhe ndjehet deri në palcë të shpirtit. Ta njohësh Zotin është dhurata më e madhe. Kur e prek madhështinë e Tij, kupton sa i vogël je… dhe sa shumë ke nevojë për Të. Po të ra në duar, lexoje. Po s’të ra, kërkoje, se ndoshta je ti ai që duhet ta gjejë. Faleminderit, o Zot, që ma dhe këtë frymëzim!”, është shprehur autori Shkelzen Marevci gjatë njoftimit të publikut për botimin e librit.
Para jush po ndajmë një pjesë të fuqishme nga libri:
“Ti… po ti që sapo e hape këtë libër. Sikur të vinte dikush sot dhe të të thoshte: “Ta jap gjithë botën, vetëm ma jep zemrën tënde”-do ta pranoje? Jo. Sepse ç’vlerë ka bota, kur ti nuk jeton më brenda saj? Por tani, ndalo pak dhe mendo. E ke menduar ndonjëherë çfarë dhurate është vetëm ky moment? Që sytë të shohin këto shkronja, duart të mbajnë këtë libër, truri të kuptojë fjalët që po lexon… E di sa njerëz nuk i posodojnë këto të mira? E di sa njerëz janë të gjallë por nuk mund të ndjejnë, të flasin, të ecin, të lexojnë, të kuptojnë? Po ti… pse jo mes tyre? Mos vallë mendon se Zoti e ka për borxh që ti të jesh shëndoshë? Se të takon të jesh i plotë? Jo, nuk të takon asgjë. Ti je një shpirt i veshur me mëshirë, që ecën mbi tokë pa e ditur sa shumë i është dhënë… dhe sa pak ka falënderuar. E nëse për asgjë tjetër… atëherë fali një falënderim Dhuruesit të çdo të mire vetëm për faktin që po lexon këtë faqe. Se ti je dëshmi e gjallë që Zoti ekziston. Dhe që ende po të jep kohë për ta njohur.”, shprehet Marevci në librin e tij “Shihe Zotin”.
