Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Policia e Kosovës u bë pjesë e gëzimit të vogëlushëve në disa rajone të vendit, përmes aktiviteteve të ndryshme edukative e argëtuese.
“Në një atmosferë të mbushur me buzëqeshje, fëmijët patën mundësinë të takohen nga afër me zyrtarët policorë, të mësojnë për sigurinë, rregullat e komunikacionit dhe mënyrat për të parandaluar dukuritë negative që ndikojnë tek fëmijët dhe të rinjtë. Pyetjet e tyre morën përgjigje të sinqerta, ndërsa respekti dhe mirëkuptimi u ndërtuan përmes bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të jetë pranë qytetarëve pa dallim – veçanërisht pranë gjeneratave të reja dhe fëmijëve duke ndërtuar ura bashkëpunimi për një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të bashkuar”, thuhet në njoftimin e Kosovo Police./EPIQENDRA.COM



